Kërko

Vatican News

Imzot Bonazzi: Klementi XI dёshmon vёmendjen e Selisё sё Shenjtё ndaj arbërorëve

“Çdo vend ka nevojë të kujtojë e të mbajë gjallë historinë e figurat e veta si Klementi XI, e ky vit përkon edhe me 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë”. Papa Klementi dëshmon edhe faktin se marrëdhëniet Shqipëri - Seli e Shenjtë janë të vazhdueshme ndër shekuj, në forma të ndryshme. Interesi i Vatikanit për të mirën e popullit arbëror ka qenë dhe është i vazhdueshëm, e në këto tridhjetë vite në mënyrë akoma më intensive nëpërmjet nuncëve

R.SH. - Vatikan

Klementi XI dёshmon vёmendjen e Selisё sё Shenjtё, dje e sot, ndaj popullit arbёror. Prandaj, “çdo vend ka nevojë të kujtojë e të mbajë gjallë historinë dhe figurat e veta". Viti jubilar i 300 vjetorit të vdekjes së Papës Klementit XI sivjet përkon edhe me 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndermjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë.

"Papa Kementi XI dëshmon, mes tjerash, se marrëdhëniet Shqipëri - Seli e Shenjtë janë të vazhdueshme ndër shekuj, në forma të ndryshme. Interesi i Selisë së Shenjtë për të mirën e popullit arbëror ka qenë dhe është i vazhdueshëm, e në këto tridhjetë vite në mënyrë akoma më intensive nëpërmjet nuncëve apostolikë”, pohoi Imzot Luigi Bonazzi nё Konferencёn shkencore jubilare, dje, mё 15 korrikut, nё Tiranё, organizuar, me rastin e përkujtimit tё 300 vjetorit të vdekjes së Papës Klementit XI, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Nunciaturën Apostolike në Shqipëri me temën “Papa Klementi XI dhe Shqipëria“.

Punimet e kёsaj konference shkencore mbi jetën, kontributin dhe lidhjet e Papës Klementit XI me popullin dhe Kishën shqiptare u hapen nga kryetari i Akademisë së Shkencave tё vendit, Skënder Gjinushi dhe nga Nunci Apostolik nё Tiranё, Imzot Luigi Bonazzi, i cili mes tjerash kujtoi edhe 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisё sё Shenjtё dhe Shqipёrisё, në periudhën pas rënies së diktatures komuniste, lidhje qё kanё njё histori shumё tё lashtё. Nё vijim fjala e Nuncit Apostolik nё Shqipёri Imzot Luigi Bonazzi mbajtur në Konferencёn shkencore jubilare, dje, mё 15 korrikut, nё Tiranё.

I nderuar Prof. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,

I nderuar Prof. Pëllumb Xhufi, moderator i kësaj Konference,

I nderuar Monsinjor Gjergj Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit

Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave

Të nderuar profesorë

Si edhe ju të gjithë miq këtu të pranishëm,

Pikë së pari dëshiroj të përgëzoj Akademinë e Shkencave për këtë iniciativë të lavdërueshme për të përkujtuar Papën me origjinë shqiptare Klementi i XI në përvjetorin e 300-të të ndarjes së tij nga kjo jetë. Kjo jo vetëm sepse që çdo vend ka nevojë të kujtojë e të mbajë gjallë historinë e vet, por edhe për faktin se pikërisht ky vit përkon edhe me 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Dhe pikërisht përkujtimi i figurës të Papës Klementi dëshmon faktin se marrëdhëniet Shqipëri Seli e Shenjtë janë të vazhdueshme ndër shekuj në forma të ndryshme. Interesi i Selisë së Shenjtë për të mirën e popullit arbëror ka qenë dhe është i vazhdueshëm. Prania e Selisë së Shenjtë është shprehur qoftë nëpërmjet të dërguarve të saj të ndryshëm, qoftë nëpërmjet Delegatëve të saj Apostolik e në këto tridhjetë vite në mënyrë akoma më intensive nëpërmjet nuncëve apostolikë.

Giovanni Francesco Albani, Papa Klementi XI lindi në Urbino më 23 korrik 1649 dhe vdiq në Romë më 19 mars 1721. Ai u zgjodh Papë më 23 nëntor 1700  dhe qe Papa i 243º  i Kishës Katolike.

Sigurisht fakti që Papa Klementi XI rridhte nga një familje me origjinë shqiptare do të ndikonte në mënyrë edhe më intensive raportet e tij me “bashkëkombasit”. E siç dihet qe ai shtytësi dhe mbështetësi i Kuvendit të Arbërit (Kuvend përfshirës i trojeve të banuara nga shqiptarët). Ky Kuvend pati një rëndësi historike për Kishën në Shqipëri edhe për faktin që Kuvendi nga një anë pati qëllimin e riorganizimit të jetës kishtare në zbatimin e normave morale e kishtare, por përveç kësaj pati një rol të rëndësishëm për mbarë popullin shqiptar katolik e jo-katolik nxiti përdorimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe.

Një nga iniciativat e tij që do të konkretizohet vite më pas nga një tjetër Papë, Papa Klementi XII, është ngritja e “Collegio Orsini” në fshatin arbëresh San Benedetto Ulliano. Siç do të kujtojë edhe një tjetër Papë, Papa Pali VI, Klementi XI “mburrej me prejardhjen e tij të moçme shqiptare”. Edhe Papa Shën Gjon Pali II përpara vizitës së tij historike në Shqipëri, e përmend disa herë këtë figurë Pape me origjinë shqiptare, duke theksuar që kujdesi i tij për tokat arbnore, shprehte pikërisht atë lidhje të ngushtë midis Selisë së Shenjtë dhe trojeve shqiptare, lidhje këto që ishin të vazhdueshme dhe gjithmonë në të mirën e popullit shqiptar.

Prandaj edhe vendosja e marrëdhënieve dipllomatike në vitin 1991 në nivel ambasadori dhe nunci apostolik është shenjë e qartë e kësaj vëmendje që Selia Apostolike ka pasur dhe ka ndaj gjithë popullit shqiptar. Kisha Katolike është angazhuar dhe angazhohet që të japë kontributin e vet për rimëkëmbjen e një Shqipërie të re, dhe për këtë qëllim janë marrëveshjet e bashkëpunimit që Ajo dhe Shteti Shqiptar lirisht i bëjnë, duke respektuar autonominë reciproke e qëllimet specifike. Nxitja e lirisë, e drejtësisë, e paqes janë qëllime rë nxitura në forma të ndryshme edhe nga Kuvendi i Arbërit nën nxitjen, si thamë më sipër, të Papës Klementi XI, e këto qëllime mbeten të pandryshueshme.

Sigurisht që që nga viti 1991 deri më sot Shqipëria ka bërë hapa jo të paktë në realizimin e aspiratave demokratike. Prandaj në mbyllje dëshiroj të kujtoj edhe një herë disa fjalë të Papës Gjon Pali II drejtuar ambasadorit të Parë Prof. Willy Kamsi, në ceremoninë e paraqitjes të letrave kreddenciale. Papa u shpreh me këto fjalë: Sekreti i një demokracie, arritja e saj, ruajtja e saj, nuk qëndrojnë thjesht e vetëm në një funksionim të mirë të strukturave e të rregullave, por qëndron në vlerat e mëdha që duhet të jenë themeli e shpirti i saj. Shqipëria, e cila ka vuajtuar peshën e një diktature mbytëse, është e thirrur të ndërtojë një të ardhme duke bërë thesar edhe të përvojave jo gjithmonë të mira të botës ashtu të quajtur e lirë dhe demokratike. Në fakt, një demokraci pa vlera kthehet lehtësisht në një totalitarizëm të hapur apo tinëzar.

I uroj sukses kësaj Konference kushtuar Papës Klementi XI, dhe shpreh falenderimin tim për të gjithë ata që do të sjellin kontributin e tyre.

Gjithashtu duke uruar një vazhdim të sukseshëm të kësaj Konference, shpreh bindjen se shkëmbimet dhe lidhjet midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë do të jenë, ashtu si edhe në kohën e Papa Klementit të XI, gjithmonë frytdhënëse për të mirën e popullit shqiptar, për forcimin e demokracisë në këto troje, që të jetë një demokraci reale e në dobi të të gjithëve.

Tirana, 15 luglio 2021

16 korrik 2021, 16:29