Kërko

Vatican News

Nga të pesë kontinetet, nderim e dashuri për Papën Françeskun

Mesazhe urimi, afërsie e mbështetjeje vijojnë t’i arrijnë Papës nga mbarë bota. Nga Qatari në Bahrein, nga Paraguay në Mianmar, ipeshkvijtë aziatikë e falënderojnë Papën, që kujdeset aq shumë për popujt e, posaçërisht, për popullin birman, të plagosur e të prekur nga pandemia, nga situata politike e nga kolapsi ekonomik.

R.SH. - Vatikan

Papës vijojnë t’i arrijnë dëshmi afërsie e dashurie nga të pesë kontinentet. Ndërmjet sundimtarëve të botës islamike, arrijnë mesazhe urimi nga emiri i Katarit dhe Mbreti Mohammed VI i Marokut i cili, nga pallati mbretëror i Fez, më 7 korrik, i shprehu Papës “ndjenjat e respektit, të konsideratës e të admirimit”, duke e siguruar se i lutet Zotit të Tejetlartë e të Gjithëpushtetshëm” që ta shërojë plotësisht e ta mbushë me hir, për të gëzuar shëndet të plotë e jetë të gjatë e për të vijuar ta kryejë misionin e përhapjes së vlerave fisnike njerëzore”.

Urime vijnë edhe nga princi e kryeministri i Bahreinit, Salman bin Al-Khalifa, që në të njëjtën ditë kur u operua Papa, dërgoi një telegram, përmes të cilit i uron suksese për operacionin e shëndet të plotë, lumturi e mirëqenie”.

Në emër të International Jewish Committee on Interreligious Consultations, rabini David Fox Sandel, më 8 korrik - domethënë, më 28 të Tammuzit të vitit 5871 sipas kalendarit hebraik - kujton se iu lut Zotit për shërimin e shpejtë e të plotë të Papës.

Urime vëllazërore vijojnë të arrijnë edhe nga Konferencat ipeshkvnore të mbarë botës: nga ajo e Paraguajt, tek ipeshkvijtë e Mianmarit “me falënderime drejtuar Zotit, të cilit i luten ta shoqërojë Papën në jetë e në mision”. E gjithë familja e krishterë e vendit aziatik - shkruan kardinali salezian Bo - vijon të lutet e i uron Papës shumë vjet jete përplot me hir, për t’i sjellë ngushëllim botës së plagosur”.

Të gjithë ia besojnë shëndetin e Françeskut kujdesit amtar të Marisë, që të mund të vijojë ta ushtrojë shërbesën e tij papnore e ta forcojë gjithnjë e më shumë Kishën, që është në shërbim të çdo njeriu”.

12 korrik 2021, 21:11