Kërko

Vatican News

Në Kopshtet e Vatikanit, mozaiku i Zojës së Chiquinquirà

Në praninë e kardinalit Giuseppe Bertello, president i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, u fronëzua mozaiku i Pajtores së Kolumbisë

R. SH. - Vatikan

Pranë figureve të Zojës, simbol i vendeve të ndryshme, tani në Kopshtet e Vatikanit është edhe Zoja Rruzare e Chiquinquirà. Mozaiku u përurua në përvjetorin e kurorëzimit të Pajtores së Kolumbisë, tejet e dashur në të katër anët e Amerikës Latine.  

Në ceremoninë e përurimit, mori pjesë kardinali Giuseppe Bertello, president i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe Jorge Mario Eastman Robledo, Ambasador i Kolumbisë pranë Selisë së Shenjtë. Nisma  u realizua nga domenikanët e Provincës së Shën Luigjit Bertrán të Kolumbisë,  të cilët  e quajtën këtë çast “shenjë, e cila fton të punohet në bashkim për mirëqenien edhe drejtësinë shoqërore,  që kërkon Kolumbia”.

Figuret më të famshme mariane, në Kopshtet e Vatikanit

Figura, simbol i Kolumbisë, ekspozohet së bashku me figuret e tjera të famshme mariane: me Zojën e Fatimes, Pajtore e Portugalisë; Zojën Lurdë, Zojat që nderohen në Amerikën Latine: Zojën e Quinche, Pajtore e Ekuadorit, Zojën e Guadalupes, Pajtore e Meksikës; Zojën e Aparesidës, Pajtore e Brazilit; Zojën e Luján e Argjentinës e, kohët e fundit, edhe Zojën e Karmen, Pajtore e Kilit! Ndërmjet Pajtoreve të vendeve të ndryshme të botës, edhe Pajtorja e Shqiptarëve, Zoja e Këshillit të Mirë!

Zoja e Këshillit të Mirë, simbol i shqiptarëve, në Kopshtet e Vatikanit

Në ditët e para të korrikut, më 2009, Papa i nderit Benedikti XVI bekoi një figure të Zojës e Këshillit të Mirë, Pajtore qiellore e shqiptarëve, realizuar me teknikën e mozaikut, e cila u vendos në Kopshtet e Vatikanit. Është fjala për të njëjtën figurë të mrekullueshme të Zojës, që nderohet me përkushtim të veçantë, njihet si Zoja e  Këshillit të Mirë e gjendet në Gjenacan afër Romës. Ndër shqiptarë njihet edhe si Zoja e Shkodrës, sepse e vendosur në Kishën rrëzë Kështjellës Rozafa, sot Shenjtërore e mbarë shqiptarëve.

Është e njëjta figurë e Zojës së Këshillit të Mirë që, sipas traditës, më 25 prill 1467, u shkëput nga muri i Shenjtnores për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E njëjta që, e riprodhuar artistikisht, u rikthye në Shqipëri së bashku me Papën Wojtila më 25 prill 1993. Prandaj, duke bekuar figurën, Papa Benedikti XVI rikujtoi shtegtimin e Papës Gjon Palit II në Shenjtëroren e Gjenacanit, më 22 prill 1993, tri ditë para se shtegtonte drejt Shqipërisë.  Po kujtojmë edhe lutjen e Papës polak kushtuar Zojës së shqiptarëve.

Urata e Papës Gjon Palit II Zojës së Këshillit të Mirë

O Zoja e Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Shqipërisë, ti Nëna jonë e ëmbël!

Ti, që në zemër të rrjedh gjaku i popullit tënd: silli sytë e tu mbi këtë komb i cili pati fatin ta marrë mësimin e parë të Ungjillit nga goja e Apostujve e Ty të nderoi përherë me dashuri të pastër bijnore.

Edhe sot, në errësirën e provës, ky komb të drejtohet Ty plot shpresë e pret ndihmën tënde amtare.

Ti i prin Kishës në shtegtimin e fesë: silli sytë e tu mbi bijtë e bijat shqiptare, që udhëtojnë të ngarkuar me prova e mundime: “Forco të ligshtit, ngushëllo të mjeruarit, mbaje të gjallë fenë në zemrën e të gjithëve!”.
Nënë e Shëlbuesit, bekoji familjet e krishtera të cilat përbëjnë thelbin e Kishës së Birit tënd hyjnor.

Nënë e shpresës, shpejtoje ditën në të cilën ky popull fisnik do të shikojë të realizuara edhe një herë të gjitha dëshirat e thella të shpirtit të tij, atëherë kur të gjithë, bij e bija, do të mund të bashkohen në harmoni të plotë për të rindërtuar të ardhmen në drejtësi e në paqe! Amen.

10 korrik 2021, 12:32