Kërko

Vatican News
Sinodi i Ipeshkvijve Sinodi i Ipeshkvijve  

Grech: Kisha është sinodale, sepse është bashkësi

Sekretari i Sinodit: “Sinodaliteti është forma, që realizon pjesëmarrjen e gjithë popullit në mision”

R. SH. - Vatikan

“Për të bërë sinodin, duhet të jetë sinodi”. Këtë nënvizon kardinali Mario Grech, Sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve që, duke folur për hartimin e dokumentit përgatitor lidhur me procesin sinodal, kujton: “Para botimit dëgjuam kryetarët e të gjitha asambleve të Konferenacave ipeshkvnore kontinetale, së bashku me kryetarët e Konferencës ipeshkvnore  të SHBA-ve  dhe kryetarin e Konferencës ipeshkvnore kanadeze”.

Hirësia e Tij e vlerëson “ushtrimin e kolegjialitetit”, për të cilin mendon se është shumë i frytshëm: “Me këtë përpjekje deshëm të komunikojmë mesazhin, sipas të cilit pjesëmarrja sinodale e të gjithëve ka shumë rëndësi edhe në fazën  fillestare të projektit”.

Kardinali Grech vëren edhe se tema e caktuar nga Papa në Asamblenë XVI  të zakonshme, është sigurisht “komplekse”, sepse “flet për bashkim, për pjesëmarrje e mision”,  apo “për aspektet e sinodalitetit të një Kishe krijuese e të sinodalitetit, ashtu siç e nënvizoi edhe vetë Françesku në fjalimin e mbajtur me ratin e 50-vjetorit të themelimit të Sinodit. Përsa i përket konceptit të sinodalitetit, Hirësia e tij është krejt i qartë: “Shumë mendojnë se është ‘mani’ e Papës. Shpresoj se asnjëri nga ne nuk e ka këtë mendim! - pohon - Në takimet e ndryshme të përgatitjes  u  bë e qartë  se sinodaliteti ishte forma dhe stili i Kishës së zanafillës. Është, pra, kategoria,  që i  harmonizon të gjitha temat konciliare, të cilat  më parë,  e shumë shpesh, kundërshtoheshin pas koncilit. Mendoj, sidomos, për kategorinë kishtare të popullit të Zotit që, për fat të keq - vijoi -  iu kundërvu asaj të hjerarkisë, duke ngulur këmbë mbi një “Kishë nga poshtë”, Kishë demokratike, e duke e shfrytëzuar pjesëmarrjen si kërkesë, jo fort larg nga ajo sindikale.

Kardinali Grech saktëson se sinodaliteti “është formë që krijion mundësitë e pjesëmarrjes së mbarë popullit të Zotit, secili sipas gjendjes e funksionit të tij, në jetën dhe misionin e Kishës”. Sipas Hirësisë së Tij, funksioni hjerarkik e magjisterial është plotësisht i qartë. Gjë që nuk mund ta themi aq edhe për sensus fidei, apo instinktin shpirtëror të besimtarit. “Por për ta kuptuar rëndësinë - kujton -  mjafton të nënvizohet tema e Pagëzimit e të shpjegohet se ky Sakrament nuk është vetëm fillimi i jetës në Krishtin, por edhe bashkimi i menjëhershëm me Kishën, si anëtar i korpit të saj”, duke shtuar se “Dokumenti i përgatitur e nënvizon shumë mirë gjithë këtë: “Nëse do të dimë ta njohim vlerën e sensus fidei, e do të dimë ta bëjmë edhe popullin e Zotit të fitojë vetëdijen e kësaj dhantie, që na jepet nga Pagëzimi, e kemi nisur tashmë rrugën e vërtetë të sinodalitetit. Sepse do të kemi  hedhur jo vetëm farën  e bashkimit, por edhe atë të pjesëmarrjes.

Ka nga ata, që  druhen se ky angazhim do ta ndërlikojë jetën e Kishave vendase e të Kishës në përgjithësi. Kardinali u përgjigjet  se “ky nuk është proces, që e ndërlikon jetën e Kishës, përkundrazi. Mbasi po të mos e dimë çka i thotë Shpirti Shenjt Kishës, nuk mund të bëjmë tjetër, veçse të veprojmë  më kot e, madje, edhe pa e ditur mirë çfarë po bëjmë. Por pasi të kemi zbuluar përmasën pneumatologjike të profecisë - që është në bazë të procesit sinodal, nuk mund të bëjmë tjetër, veçse ta adoptojmë dinamizmin e profecisë. Kjo vlen posaçërisht po të mendojmë  për termin e tretë: misionin – përfundon Grech. “Sinodi i të rinjve foli për sinodalitetin misionar. Sepse sinodaliteti është pikërisht për misionin. Është  dëgjim, që të kujton se Kisha bëhet vetvetja duke e jetuar, duke e dëshmuar e duke e çuar Ungjillin në të katër anët. Të gjitha termat e propozuara nga titulli lidhen me njëra-tjetrën: qëndrojnë në këmbë ose rrëzohen së bashku. T’i lutemi edhe ne Zotit që të bëjmë kthesën e sinodalitetit: sepse kjo do të thotë  të kthehesh në rrugën e Krishtit e të Shpirtit të Tij Shenjt, duke e lënë Zotin aty ku i takon: në krye të vendit”.

22 korrik 2021, 12:36