Kërko

Vatican News

Benedikti XVI: Kisha shprehet “me zemër e me shpirt”, jo me “funksione”

Papa i nderit, në një intervistë dhënë një reviste, flet për Kishën gjermane dhe e fton “demondalizohet”, domethënë, të heqë dorë nga mendësia e botës, nëse dëshiron që “bota të mos vijojë të largohet nga feja".

R.SH. - Vatikan

Papa i nderit Benedikti e thyen heshtjen e, duke iu përgjigjur me shkrim pyetjeve drejtuar nga revista Herder Korrespondenz, bën disa vërejtje  kritike drejtuar Kishës gjermane. Intervista do të botohet në numrin e gushtit, po revistës iu duk e arsyeshme të botojë  ndonjë fragment online.

“A isha bari i mirë?”- ky, titulli që duket në kapakun e revistës, me nëntitull: Benedikti XVI rikthehet në kohën kur ishte kapelan” . Kujtohet, kështu, koha kur Ratzinger, pas shugurimit meshtarak, më 29 gusht 1951, u emërua kapelan në Bogenhausen, zonë e Munihut,  detyrë që e kreu  për disa muaj para se t’ia rikushtonte gjithë kohën mësimdhënies dhe studimit. Besimtari është njeri, që e pyet papushim vetveten. Njeri, që duhet të  rigjejë vazhdimisht realitetin e kësaj feje, pas e kundër realitetit, që ia ndryshon jetën e përditshme - shkruan Papa i nderit në njërën nga përgjigjet.  E, në këtë kuptim, mendimi “për ikjen nga doktrina e pastër”, më duket absolutisht irrealistik – shkruan. Një doktrinë, që ekziton vetëm si një farë rezerve natyrore, e veçuar nga bota e përditshme e fesë dhe e kërkesave të saj, do të ishte, në një farë mënyre, mohim i vetë fesë. Doktrina duhet zhvilluar në fe e duhet të niset nga feja, e jo përkrahë fesë”.

Kisha - vëren më tutje Benedikti XVI - duhet të flasë “me zemër e me shpirt” e duhet “demondanizuar”, domethënë, duhet zhveshur nga mendësia e botës”, sepse “derisa në tekstet zyrtare të Kishës do të flasin funksionet, por jo zemra e Shpirti Shenjt, bota do të vijojë të largohet nga feja”. E, kujtojmë, në sfond të këtyre fjalëve është udha sinodale  e Kishës në Gjermani. Joseph Ratzinger vëren se pritet “një dëshmi e vërtetë e personale e fesë së njerëzve të Kishës”, e se “në institucionet kishtare” - spitale, shkolla, karitas - shumë njerëz kanë pozita vendimtare, që nuk e durojnë misionin e Kishës e, prej këndej, shpesh e errësojnë dëshminë e këtij institucioni”. E akoma thekson se pjesa më e madhe e “teksteve zyrtare të Kishës në Gjermani shkruhet nga njerëz, për të cilët feja është vetëm zyrtare”.

Në intervistë Ratzinger, duke kujtuar shembëlltyrën e Ungjillit sipas Mateut, nënvizon se “Kisha përbëhet nga gruri e nga egjra, nga peshq të mirë e të këqij. Ndaj këtu nuk flitet për t’i ndarë të mirët nga të këqijtë, por për t’i ndarë besimtarët, nga ata që nuk besojnë”.  Benedikti XVI rikthehet  tek Fjala e Friburgut, shqiptuar në vitin 2011, kur ishte Papë, dy vjet para se  të jepte dorëheqjen nga papnia. Asokohe Papa i nderit e pati nxitur Kishën “të distancohet nga bota”; sot Benedikti XVI  pyet nëse zgjedhja e fjalës “Entweltlichung”(demondanizim), shkëputur nga vepra e filozofit Martin Heidegger, ishte e përshtatshme, apo nuk arriti ta shprehë aq sa duhej “aspektin pozitiv të argumentimit të tij”.

Në Vatican News Andrea Tornielli, drejtor editorial  i Dikasterit për Komunikimin e Selisë së Shenjtë, vuri në dukje se ky është “një këndvështrim, që e gjejmë shumë herë edhe në fjalët e pasardhësit, Françeskut. Për shembull, në dialogun e tij me meshtarët, rregulltarët e rregulltare, në Katedralen e Milanos, më 25 mars 2017, kur i pati ftuar  ata që ungjillëzojnë të çlirohen nga rezultatet e të mos trishtohen për sfidat, që detyrohet të jetojë Kisha sot, duke u tërhequr vëmendjen të ruhen pikërisht nga rreziku  i shndërrimit të fesë në ideologji”. 

28 korrik 2021, 12:55