Kërko

Vatican News

Vatikan, fillon “Vera e fëmijëve”

Pas muajve të mbylljes në shtëpi e të mësimdhënies në distancë, me verën, kthehet argëtimi për të vegjlit brenda Mureve Leonine, mes lojërash e sportesh, duke zbatuar enciklikën papnore “Laudato si’”

R.SH. - Vatikan

Do të jetë enciklika e Papës Françesku “Laudato si’”, në qendër të “Verës së Fëmijëve në Vatikan”, ku do të marrin pjesë deri më 30 korrik, rreth 200 fëmijë të moshës nga 5 deri në 13 vjeç, që do të përfshihen në lojra dhe në veprimtari krijuese e edukative për mbrojtjen e ambientit. Nisma, propozuar nga Guvernatorati i Shtet-Qytetit të Vatikanit, organizohet nga Bashkësia Saleziane dhe nga shoqata “Gjithçka në një festë”. Të ndryshme, vendet ku do të zhvillohet oratori kishtar i verës. Dita fillon në Sallën Pali VI, ku fëmijët do të hanë mëngjesin pas një çasti lutjeje e pastaj, të gjithë jashtë: në Kopshtet e Vatikanit do të bëhen shëtitje me udhërrëfyes; në zonën e heliportit, lojëra në grupe; në zonën e fushave do të organizohen lojëra në ujë, për të cilat janë ngritur dy pishina, ndërsa në vende të tjera, sporte si basketbolli dhe tenisi. Pavarësisht se vaksinat kundër koronavirusit i kanë bërë pothuajse të gjithë në Vatikan, fëmijët do të mbajnë maskë dhe do të lajnë shpesh duart, duke respektuar rregulloren kundër Covid-19, edhe gjatë lojës. Çdo grup-moshe identifikohet nga një bluzë me ngjyrë të veçantë: jeshile, për fëmijët e moshës 5 deri në 7 vjeç, blu për ata nga 8 deri në 10 dhe portokalli për fëmijët nga 11 deri në 13 vjeç.

Ambientet e "Verës së Fëmijëve në Vatikan"
Ambientet e "Verës së Fëmijëve në Vatikan"

Tema “Laudato si’”

         “Këtë vit, duke pasur parasysh temën e ambientit, do të vlerësojmë edhe më shumë aspektin e Kopshteve të Vatikanit - shpjegon koordinatori i veprimtarisë, don Franco Fontana, drejtori i Bashkësisë së Salezianëve në Vatikan dhe kapelan i Drejtorisë për Sigurinë dhe Mbrojtjen Civile në Muzetë e Vatikanit. - Çdo javë do të sillet një filiz, të cilin, të premten, grupi i fëmijëve më të mëdhenj do ta mbjellë në një zonë që do të na caktohet, quajtur ‘e pyllit’. Ndërsa çdo pasdite, të rinjtë do të mblidhen në Sallën Pali VI për t’i kushtuar një orë çështjeve kryesore, që lidhen me enciklikën, nga ambienti tek ekologjia e tek barazia e të drejtave, për të luajtur më pas një lojë me këto tema”. Çdo ditë, fëmijët do të flasin për një temë të caktuar së bashku me animatorët, duke përdorur video, histori dhe tregime, që do t’i sensibilizojnë për rëndësinë e respektimit të ambientit dhe të burimeve energjitike.

Ambientet e "Verës së Fëmijëve në Vatikan"
Ambientet e "Verës së Fëmijëve në Vatikan"

Takimi e loja në bashkësi, pas Covid-19

         Për fëmijët dhe adoleshentët do të jetë mënyrë për t’iu kthyer lojës jashtë shtëpisë e për të ndenjur bashkë me moshatarët, pas një viti të vështirë, për shkak të pandemisë. “Presim fëmijë sigurisht të ndryshëm nga ata të vitit të kaluar, të cilët ende po e zbulonin këtë problem – shpjegon Sergio Garozzo, përgjegjësi i shoqatës “Gjithçka në një festë”, që kujdeset për pjesën argëtuese të Verës së Fëmijëve në Vatikan. - Këtë vit, mësimi në distancë i ka detyruar të rrinë larg miqve e shokëve, prandaj, ne do të punojmë që ta rizbulojnë dëshirën për të ndenjur me njëri-tjetrin, për të jetuar e për të krijuar së bashku, duke ndërtuar objekte me materiale të ricikluara e, sidomos, duke u argëtuar së bashku”.

Vera e Fëmijëve në Vatikan
Vera e Fëmijëve në Vatikan
21 qershor 2021, 16:16