Kërko

IOR në Vatikan IOR në Vatikan

Presidenti i IOR-it: Instituti i së kaluarës nuk ekziston më

Për të nëntin vit radhazi, Instituti për Veprat e Fesë bën të njohur publikisht bilancin e vet, në kuadrin e paraqitjes së Raportit vjetor

R.SH. - Vatikan

“Jemi institucion sipas standardeve ndërkombëtare. Misioni, që na besoi Papa, tashmë, u plotësua. Tani, duhet ta konsolidojmë dhe ta forcojmë këtë pozitë, gjithnjë, duke i shërbyer Kishës, ‘veprave të fesë’”. Një ditë para publikimit të sotëm të raportit të Institutit vatikanas për Veprat e Fesë, që njihet botërisht me akronimin IOR, presidenti i tij, bankieri dhe ekonomisti francez, Jean-Baptiste de Franssua, 57 vjeç, vuri në dukje në një intervistë për gazetën ekonomike italiane “Il Sole 24 ore”, aspektet pozitive të reformës së dëshiruar nga Papa Françesku për këtë Institut. IOR-i, nënvizoi ai, nuk është më ai i së kaluarës, duke kujtuar edhe vlerësimin e dhënë kohët e fundit nga Moneyval, grupi i ekspertëve të Bashkimit Evropian, që gjykon vende dhe organizma nga pikpamja e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.   

Jemi më të vegjël, shpjegon de Franssua, por i shërbejmë Kishës dhe Papës, prandaj, reputacioni është në plan të parë. Që nga viti 2014, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. De Franssua përmend marrëveshjen e vitit 2015 me SHBA-të për aspektet fiskale e të antiriciklimit; në vitin 2016, marrëveshjen me Bankën e Italisë për mbikqyrjen dhe shkëmbimin e informacionit, pastaj hyrjen në të ashtuquajturën “white list” (lista e bardhë), si edhe miratimin e Statutit të ri të IOR-it. Kjo udhë vijon, duke e përfshirë gjithnjë e më shumë Institutin vatikanas në rrethin e virtuozëve, në nivelin ndërkombëtar.

Më 27 prill, Këshilli i Mbikqyrjes së IOR-it miratoi bilancin 2020, të cilin Komisioni Kardinalor e caktoi 75% në dispozicion të Atit të Shenjtë e të disa enteve, ndërsa 25% për rritjen e kapitalit, në përkim me objektivat e Vatikanit e të Kishës Katolike. Të dhënat kryesore financiare për vitin 2020 janë këto: “5 miliardë euro nga depozitat e klientëve, nga të cilat 3.3 miliardë euro kanë të bëjnë me aktivin nën administrim dhe me ruajtjen e letrave me vlerë; 36,4 milion euro fitim neto, rezultat i procesit të investimeve në përputhje me etikën katolike; 645.9 milion euro kapital më 31 dhjetor 2020”.

11 qershor 2021, 12:51