Kërko

Vatican News

Papa Françesku reformon të Drejtën Kanonike, duke përfshirë krime të tjera

Nga krimet trashëgimore te përpjekja për të shuguruar gratë dhe te abuzimi i të miturve: Papa Françesku vendos rregulla të reja e të njëjta për gjithë Kishën, me Kushtetutën apostolike “Pascite gregem Dei”.

R.SH. - Vatikan

Një reformë që pritej, e domosdoshme për risimin e përditësimin e së drejtës kanonike, ligj kishtar, që është edhe mjet baritor e që vitet e fundit “ka pësuar, nganjëherë, interpretim të gabuar, duke ushqyer një atmosferë lëshimesh të tepruara në zbatimin e ligjit penal, në emër të një kundërvënieje pa bazë ndërmjet kujdesit baritor dhe ligjit, sidomos ligjit penal në veçanti”. Rishikimi i librit VI të Kodit të së Drejtës Kanonike u kërkua nga Papa Benedikti XVI në vitin 2007. Kohët ndryshojnë e nevojiten përditësime.

Për këtë arsye, Papa Françesku, në Kushtetutën Apostolike “Pascite gregem Dei”, botuar sot dhe nënshkruar në Ditën e Rrëshajëve, sqaron se “barinjtë e Kishës duhet ta përdorin sistemin penal sa herë të jetë e nevojshme, duke pasur parasysh tre qëllimet, që e bëjnë të domosdoshëm për bashkësinë kishtare: rivendosjen e drejtësisë, ndryshimin e shkelësit dhe shlyerjen e pasojave të shkandujve”. Kushtetuta do të hyjë në fuqi më 8 dhjetor 2021.

Kodi reformohet, jo thjesht i përshtatet kohës

Natyrisht, bota e sotme është krejt e ndryshme nga ajo e viteve ’70 të shekullit të kaluar, kur u shkruan normat e librit VI, që tani janë shfuqizuar. Kodi reformohet, jo thjesht i përshtatet kohës, siç shpjegon Sekretari i Këshillit Papnor për Tekstet legjislative, imzot Juan Ignacio Arrieta Ochoa de Chinchetru. I rëndësishëm, për shembull, neni që e konsideron personin të pafajshëm, deri në provimin e fajësisë së tij. “Në Kod – vijon ai – janë përfshirë krimet e tipizuara vitet e fundit në ligje të veçanta, siç është përpjekja për shugurimin e grave; regjistrimi i rrëfimeve; shugurimi i hosteve dhe i verës me qëllim sakrilegji. Pastaj, janë përfshirë disa raste të pranishme në Codex-in e vitit 1917, që nuk u pranuan në vitin 1983. Për shembull, korrupsioni në aktet zyrtare, mbarështimi i sakramenteve për subjektet, të cilëve nuk u duhej dhënë; fshehja e parregullsive para autoritetit të ligjshëm, ose censura në lidhje me shugurimin në urdhrat e ndryshme kishtare”.

Tre kritere

Kriteret – bazë janë tre: “saktësia e duhur në ligjet penale, e cila më parë nuk ekzistonte, në mënyrë që t’u jepet indikacion i qartë dhe i sigurt atyre, që duhet t’i zbatojnë. Për të arritur përdorimin e njëtrajtshëm të ligjit penal në gjithë Kishën, normat e reja e kanë zvogëluar fushën e gjykimit që më parë i lihej autoritetit, pa eliminuar plotësisht diskrecionin e nevojshëm, kërkuar nga disa lloje krimesh, që kanë nevojë për shoshitjen e bariut të Kishës”. Kriteri i dytë “është mbrojtja e bashkësisë dhe vëmendja për shlyerjen e shkandullit e për kompensimin e dëmit” ,e së fundi, objektivi i tretë është “t’i sigurojë bariut të Kishës mjetet e nevojshme për parandalimin e krimeve”.

Krimet e reja

Ndër krimet e reja, “shkelja e sekretit papnor; anashkalimi i detyrimit për ekzekutimin e një vendimi, ose të një dekreti penal; anashkalimi i detyrimit për të njoftuar kryerjen e një krimi; braktisja e paligjshme e shërbimit. Në veçanti, janë tipizuar krimet trashëgimore, siç është tjetërsimi i pasurive kishtare pa konsultimet e parashikuara, ose krimet trashëgimore të kryera me faj të rëndë, ose me neglizhencë të rëndë në administrim”. Gjithashtu, klerikëve u ndalohet të administrojnë “pasuri pa lejen e Ordinarit të tyre”.

Përveç kësaj, “krimi i abuzimit të fëmijëve tani nuk inkuadrohet më brenda krimeve kundër detyrimeve të veçanta të klerikëve, por konsiderohet krim kundër dinjitetit të njeriut”. I rëndësishëm, edhe neni i ri 1398, që mbulon “veprimet e kryera jo vetëm nga klerikët, të cilët, siç dihet, i përkasin juridiksionit të rezervuar të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, por edhe krime të këtij lloji (pra, abuzimi), të kryera nga rregulltarë jo-klerikë dhe nga laikë, që kanë role të caktuara në Kishë, si dhe çdo sjellje e këtij lloji me të rritur, kryer me dhunë ose abuzim të autoritetit”. Bocat e tekstit, para se të miratoheshin përfundimisht, janë shqyrtuar edhe nga Kishat lokale.

01 qershor 2021, 16:27