Kërko

Vatican News

Nga pandemia buron përgjegjësia për ta ringritur në këmbë mbarë njerëzimin

Fondacioni vatikanas Centesimus Annus pro Pontefice studion prej tridhjetë vjetësh mundësinë për t’i kuptuar e për t’i zbatuar parimet e doktrinës shoqërore të Kishës, posaçërisht në sektorët më delikatë: në atë të ekonomisë dhe të financës. Në dritën e “Lëvduar qofsh”, Papa Françesku hapi një dialog me sipërmarrjet në nivel ndërkombëtar, për të thelluar aktualizimin konkret të parimeve të enciklikës: është çështje “përgjegjësie për botën mbarë” - pohon për Vatican News, sekretari i përgjithëm Tiliacos.

R.SH. - Vatikan

Përgjegjësi, vlera, ndërgjegje. Në kohë pandemie bëhen më të fuqishme thirrjet, që burojnë nga “Laudato Si’”, enciklikë e Papës Françesku, kushtuar kujdesit për shtëpinë e përbashkët, përballë “zhvillimit të jashtëzakonshëm teknologjik që, në rrjedhë vitesh, nuk u shoqërua edhe me zhvillimin e njeriut si dhe me kuptimin e drejtë të mënyrës së ushtrimit të pushtetit”.

Reflektimi lidhur me këtë pikë kritike për mbarë njerëzimin mbahet nga Fondacioni Centesimus Annus pro Pontefice, realitet vatikanas i lindur  me kirografin e Gjon Palit II, në vitin 1993, i angazhuar për të studiuar, për të kuptuar dhe për të zbatuar parimet e doktrinës shoqërore të Kishës në të gjitha rrethanat e botës bashkëkohore, posaçërisht në sektoret e ekonomisë dhe të financës.

Ambienti dhe njeriu

Prej kohe Fondacioni, i kryesuar nga Anna Maria Tarantola, çon përpara nismën “One to many” (Një, për shumë), përmes së cilës bëhet përpjekja  për të parë nëse realitetet imprenditoriale, akademike, edukative e politike të Sektorit të tretë, po i vënë konkretisht në jetë parimet e shpallura pikërisht nga Enciklika e Papës, botuar në vitin 2015. Për këtë do të flitet edhe në konferencën ndërkombëtare 2021, organizuar nga Centesimus Annus, në program tetorin e ardhshëm, kushtuar temës së solidaritetit, kooperimit e përgjegjësisë, parë si baza mbi të cilat do të mund të ndërtohet një botë më përfshirëse.

Pandemia dhe kufizimet e teknologjisë

“Pandemia vuri në dukje kufizimet e teknologjisë dhe të marrëdhënieve të saj me njeriun”- vëren Eutimio Tiliacos, sekretar i përgjithshëm i Centesimus Annus pro Pontificenë një bisedë me Vatican News. Teknologjia - shpjegon - krijon probleme shumë të ndërlikuara të natyrës etike e të marrëdhënieve me etikën: kujtohen mrekullisht mirë në “Laudato si’”e rikujtohen edhe më fuqimisht në “Fratelli Tutti”. Posaçërisht tema qendrore, që i lidh këto dy enciklika - vëren. Është ajo e përgjegjësisë së njeriut gjatë përdorimit të këtyre teknologjive, të cilat nga njëra anë sjellin përfitime, nga tjetra, probleme, sepse po ndryshojnë jo vetëm ambientin, por edhe vetë njeriun, duke ndërhyrë mbi të.

Përgjegjësi për ne, të tjerët

Fondacioni e rilexon posaçërisht “Laudato si’ jo vetëm në optikën e mbrojtjes së natyrës, por edhe si “enciklikë shoqërore”. “Ati i Shenjtë  ripohon fuqimisht se nuk ekziston një krizë vetëm ambientale apo vetëm shoqërore - kujton Tiliacos -  dy anë të të njëjtit problem. Për ta bërë këtë,  është e qartë se duhet ndërhyrë mbi personalitetin, mbi mendjen e mbi shpirtin e çdo njeriu e, posaçërisht, të atyre që kanë më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve, si në drejtim politik, ashtu edhe ekonomik e botëror, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ngushtësisht lokal.

Udha është ajo e adoptimit të një metode që,  duke e ngarkuar individin me përgjegjësi për ndërhyrjet mbi gjithçka të papërkryer e të gabuar, që është bërë në të kaluarën, e detyron ta marrë mbi vete këtë përgjegjësi, metodë, që duhet zbatuar në mbarë botën.

Nga ky këndvështrim - shpjegon akoma Tiliacos - “tema  e zhvillimit të qëndrueshëm çon në marrëdhëniet ndërmjet individit dhe personave të tretë, ku të tretët nuk janë gruaja a fëmijët tanë, por mbarë njerëzimi. “Nuk ka kufij, as mure politike a shoqërore që mund të na izolojnë - kujton Françesku në Enciklikë. Prandaj nuk ka as hapësirë për globalizimin e indiferencës”. 

Një rënie, nga e cila duhet të ngrihemi përsëri në këmbë

Nga kjo perspektivë lindin shtytje të reja edhe për të përballuar emergjencën e koronavirusit në vijim, për të cilën fondacioni u mobilizua, duke nxitur forma të reja të bamirësisë. E kujtoi Papa në letrën drejtuar vitin e kaluar presidentit Tarantola, të cilin e falënderoi “për përgjigjen që i dha pandemisë, duke u përpjekur për ta mbështetur e për ta shoqëruar si dhe duke nxitur lindjen e projekteve, që ndihmojnë për t’iu kundërvënë krizës shëndetësore, shkaktuar nga Covid-19”.

Në Meshën e kremtuar për Rrëshajët 2020, Papa Françesku nënvizoi: “Më e keqe nga vetë kriza, do të ishte drama e shpërdorimit të saj”.

Kjo krizë do të na çojë, sigurisht, në mënyra të reja prodhimi, në mënyra të reja organizimi shoqëror, më mënyra të reja bashkëjetese.  Do të kërkojë një udhëheqje të fortë. E posaçërisht, riforcimin e themeleve etike të bashkëjetesës shoqërore, ekonomike e politike, pa të cilat nuk do të arrijmë dot ta qeverismin të ardhmen”, me rrezikun “që të mposhtemi nga pasiguria”.

10 qershor 2021, 08:53