Kërko

Vatican News

Në zanafillë të Muzeut të Vatikanit

Nga koleksionizmi i Papëve të Rilindjes, tek lindja e muzeografisë moderne! Do të bëhej qyteti i Papës, caku aq i dëshiruar i Grand Tour kur, në vitet’700, në djepin e studimeve të Winkelmann, do të lindte muzeu. E duhet kujtuar se Grand Tour ishte shtegtimi i gjatë në Evropën kontinentale, që bënin të pasurit e aristokracisë evropiane. Sot, janë më shumë shtegtarët, që mund të nisin “Grande Tour”, për ta përfunduar tek mrekullia që quhet “Muzetë e Vatikanit”

R.SH. - Vatikan

Një thesar i fshehur nën dhe! Kështu nis historia e Muzeve të Vatikanit. Në fillim, thjesht koleksion privat, vend kënaqësish për Papët rinashimentalë; sot qendër jetike  kërkimi e kulture, me portat e hapura mbi botën!

Laokonti
Laokonti

Zanafilla: Laokonti e vreshtarët

Ishte 10 janari i vitit 1506. Vanga  e vreshtarëve  të Felice De Fredis, mbi Kodrën Oppio, ndesh në një pengesë. Vreshtarët, të mësuar të vjelin me deliktatesë vilet e rrushit - këtë herë “vjelin” një mrekulli të pashoqe, me të cilën do të niste edhe një vepër po aq e pashoqe: zbulojnë ngadalë, me kujdes të jashtëzakonshëm, njërën nga kryeveprat më të mëdha të lashtësisë: grup skulpturor, që njihet me emrin Laokonti, përshkruar hollësisht në gjysmën e parë të shekullit I pas Krishtit nga historiani i famshëm latin, Plini Plak, në veprën “Titis imperatoris domo”. Papa i asokohshëm, i famshmi artëdashës Juli II Della Rovere da Sangallo, e bleu menjëherë këtë kompozim gjigand prej mermeri, duke ndjekur pa asnjë ngurrim, këshillën e Mikelanxhelos e të Julianit nga Sangallo, për t’i treguar botës se Papnia e tij ishte vazhdimësi e madhështisë së Romës pagane… madje shkonte edhe më përtej … sepse grupi skupturor  ishte pasqyrim i një ngjarjeje, që do të mbetej në historinë e botës së lashtë e moderne: rënies së Trojës. Kompozimi në mermer, Laocoonte (në greqishten e lashtë Λαοκόων, Laokóōn; latinisht Laocoon), personazh i mitologjisë greke, prifti vegimtar trojan i Poseidonit, ishte ai, që do të paralajmëronte se Kali i drunjtë, i ndërtuar nga njeriu më dinak i të gjitha kohëve, Odiseu, do të sillte rrënimin e qytetit, “sepse në bark të tij fshihej gënjeshtra”. Ky koment mund të lexohet në Veprën e famshme të Publio Virgilio Marone “Eneida. Ndërsa vepra madhore, që përjetësoi historinë e rënies së Trojës,  u realizua nga tre skuptorë tejet të famshëm të Greqisë antike: Agesandri i Rodit dhe bijtë e tij, Athenodoros e Polydoros. Do të mjaftonte soditja e kësaj kryevepre të pashoqe, për ta nxitur çdo artdashës  të ëndërrojë një vizitë në Muzetë e Vatikanit, që nisën me të…

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Trashëgimtarë të Romës Pagane

Historia e priftit trojan, e thirrjes së tij të padëgjuar për të mos i besuar kalit të drunjtë dhe vdekja tragjike e tij me gjithë dy të bijtë, shtrënguar në spirat e gjarpërinjve, treguar në Eneidën e Virgjilit që, siç e kujtuam më lart, u skalit në Rodi, ndërmjet viteve 40 e 20 para Krishtit, paralajmëronte themelimin e Romës. Me ndihmën e skulptorit të famshëm Bramante Papa, emri i të cilit Juli, nënkuptonte prejardhjen e fisit të tij nga gens Iulia e ekspozoi grupin Laokonti, të lidhur me dy të bijtë në spirat e dy gjarpërinjve, në kopshtin me portokalle, rrethuar me gardhe bushi, mbi kodrën e Vatikanit, në Belvedere. E rreth kësaj kryevepre, nisi të grumbullojë një mori kryeveprash të tjera skulpture: prej këndej, emri Oborri i Shtatoreve. Veprën e tij e vijuan Papët e familjes Medici, Leoni X dhe Klementi VII, ashtu edhe Pali II Farnese, duke e shndërruar këtë vend përfaqësish diplomatike, në një peshtaf studimi për artistët e rilindjes.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Muzeu i parë në botë

Interesi për artin profan zbehet ndjeshëm në epokën e Kundëreformës, por, në vitet shtatëqind, në skenën e Vatikanit duket Papa Klementi XI Albani - Shqiptari, që ia riktheu Kopshtit të Skulpturave shkëlqimin e parë: jo vetëm që u kujdes fort për ruajtjen e skulpturave të famshme, si për shembull, Kleopatra, por përgatiti me kujdes edhe parmakun për Pignën prej bronzi, skulpturë e gjatë katër metra, vendosur në Oborrin e Pignës, (prej nga vjen edhe emri i oborrit) në kompleksin e Muzeve të Vatikanit. E gjithnjë në shekullin XVIII lind në Romë ideja për të hapur për publikun  koleksionet e lashtësisë. Duhet t’ia dimë për nder Klementit XII Corsini hapjen, më 1734,  të muzeut të parë në botë: Kapitolinit!

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Winckelmann dhe thesari i Qytetit të Amshuar

Shteti Papnor është vendi i zanafillës së muzeografisë, që shumë shpejt do të bëhej model ndërkombëtar: së pari, do të pajisej me ligje, në mbrojtje  të trashëgimisë artistike. E kjo ishte epokë e pushtuar nga ethet arkeologjike, e ushqyer edhe nga zbulimet e qyteteve romake, të varrosura nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit. Që nga viti 1709, në Mbretërinë e Napolit,  nisin gërmimet në rrënojat e teatrit të Erkolanos së lashtë, të kontrolluara drejtpërdrejt nga Kurora Mbretërore, duke nisur nga viti 1738, ndërsa në vitin 1748 nisën gërmimet, që do të nxirrnin në dritë Pompein, me thesaret e tij, prej shekujsh në gjumë të rëndë,  nën hirin e lëshuar mbi to nga vullkani! Do të bëhej qyteti i Papës, caku aq i dëshiruar i Grand Tour kur, në vitet’700, në djepin e studimeve të Winkelmann, do të lindte muzeu. E duhet kujtuar se Grand Tour ishte shtegtimi i gjatë në Evropën kontinentale, që bënin të pasurit e aristokracisë evropiane. Sot, janë më shumë shtegtarët, që mund të nisin “Grande Tour”, për ta përfunduar tek mrekullia që quhet “Muzetë e Vatikanit”

Johann Joachim Winckelmann u magjeps nga Qyteti i Amshuar ku, nën mbrojtjen e kardinalit Alessandro Albani, jetoi më se 13 vjet, duke u bërë pikë referimi e prijës për shtegtarin e Gran Tour. Më 1763 Klementi XIII, të cilin ai e quante “Papa që më do fort” e emëroi  Komisar të Lashtësive të Romës. Prania në Vatikan e studiuesit gjerman, atë i arkeologjisë dhe i historisë moderne të artit, do të linte gjurmë të pashlyeshme: duke nisur nga studimet e tij, “thesari i lashtësisë nuk konceptohet më vetëm si vlerë estetike, por edhe, e sidomos, si dokument për ta kuptuar e për ta rindërtuar historinë. Lidhur me këtë, do të shkruante “më duket se për lashtësinë flitet paksi verbërisht, duke u bazuar vetëm mbi librat, pa e pasë parë personalisht”. Hidhërimi i thellë për plaçkitjet e shumta të kryera në Romë, e nxiti të punonte me ngulm për mbrojtjen e trashëgimisë artistike. Karakteristikë, që do t’ia linte trashëgim edhe Giovanni Battista Viscontit, letrar e studiues i vjetërsive, që do ta zëvendësonte rreth vitit 1768 në rolin e Komisarit.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Muzeu, në Vatikan

Vetëm një vit më vonë në fronin e Shën Pjetrit u ul françeskani Klementi XIV Ganganelli i cili, me qëllim që t’i shpëtonte antikitetet romake nga rreziku i shitjes jashtë shteti, me ndihmën e ruajtësit të thesarit e pasardhësit të tij, kardinalit të asokoshëm Giovan Angelo Braschi, nisi ndërtimin e muzeut të dytë publik të Romës. Në gjashtë vjet, aq sa zgjati Papnia e tij, falë  drejtimit të Viscontit, mermere  të reja arritën në Pallatin e Belvederes, ndërtuar nga Inoçenci VIII, nga fundi i shekullit XV.

Në Muzeun e ri Clementinium hyhet nga Pallati Apostolik, përmes një korridori, që njihet si “Korridori lindor i Bramantes”: mbi pamjen ndikon shumë loja optike, krijuar nga harku i madh, paracaktuar për të fshehur  drejtimet e ndryshme të arkitekturave të rilindjes e të shtatëqindës, ashtu si dhe efektin skenografik të Galerisë së Shtatoreve, me lozhën e pikturuar nga Pinturicchio, prej nga mund të soditet pejzazhi romak i Monte Marios,  ose Oborri tetëkëndësh i Shtatoreve.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Muze i hapur për botën

Pas Klementit XIV vjen pasardhësi i tij, Piu VI Braschi, i zgjedhur në vitin 1775, që vijoi ta pasurojë muzeun me frymë krejtësisht të re; nisi menjëherë të organizojë gërmime arkeologjike, bleu skulptura të reja, i dha pamje monumentale e nxitje të reja projektit muzeografik në Vatikan. Nën Papninë e tij u ngrit për herë të parë  një ndërtesë me përmasa  të mëdha, për ekspozimin e objekteve të lashta. Arkitekt ishte Michelangelo Simonetti.

Mjediset, ku vendosen jo vetëm shtatoret e bustet, por edhe basorelievet e mozaikët, janë të gjitha në funksion të objekteve. Salla e Rrumbullaktë, e frymëzuar nga Pantheoni, u ndërtua enkas për dyshemenë e gjetur në Otricoli; Salla e Kryqit Grek, për sarkofagët prej porfidi të Shën Helenës  dhe Kostancës; Salla e Muzave u projektua për kompleksin skulpturor  ardhur nga Tivoli e dekoruar me afreske nga Tommaso Conca, me një cikël frymëzuar nga Parnasi, që u kushtohet arteve e filozofisë: e pastaj,  “parku” i famshëm zoologjik, që u ndërtua për të mikpritur, sipas rrymës enciklopedike të kohës “krijesat më të ndryshme të botës së kafshëve”. Veç këtyre, Muzeu, që u quajt Pio Clementini, hapet edhe nga jashtë; një shkallë elegante i lidh ndërtesat e reja, me “korridorin” e mëparshëm të Belvederes.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Një muze i pashoq

Duhet t’ia dimë kujdesit të Giovanni Battista Viscontit e, posaçërisht, të birit, Ennio Quirino, identifikimin korrekt të shumë shtatoreve dhe relieveve, promovimin e një kulture të re të restaurimit si dhe lartimin e fragmenteve në lartësinë e veprës së artit, sipas estetikës  të Tetëqindës. Ishin ata, që njohën Arianën e përgjumur, në shatoren që Juli II e kishte blerë  duke besuar se ishte Kleopatra.

Ky muze mahnitës - shkruante në vitin 1791 Mariano Vasi, në veprën “Këshilla për të vizituar Romën” - ua kalon të gjitha koleksioneve të monumenteve të lashta, si për hapësirën e vendit, ashtu edhe për madhësinë e ndërtesës dhe  mermeret e pafundme, që përmban”.

Më se 1600 veprat e Muzeut Klementin nuk kanë shoqe e, edhe sot e kësaj dite, kush takohet me Apolin e Belvederes, kalon në gjendje ekstaze, ashtu siç i pati ndodhur Winckelmanni-t, treqind vjet më parë, kur shikon në këtë copë mermeri” idealin më të lartë të artit, ndërmjet të gjitha veprave të lashta, që u ruajtën deri në kohët tona”.

25 qershor 2021, 08:16