Kërko

Vatican News
Motra Maria Laura Mainetti Motra Maria Laura Mainetti  

Motra Mainetti, e lume: martirizmi i saj, dhuratë për Kishën e fitore mbi të keqen

Don Ambrogio Balatti, asokohe famullitar i Chiavenna-s, qe njeriu i fundmë që foli me motrën Maria Laura, pak para se të therej nga tre të rinj, si flijim satanik. E vranë, atë që i donte me gjithë shpirt të tjerët, posaçërisht të rinjtë. Aq sa, nga shkrimet e saj, na duket se jetoi duke u përgatitur ta dhurojë jetën”. Do të lumnohet nesër, më 6 qershor, në dioqezën lombarde.

R. SH. - Vatikan

“Motër Maria Laura, ku po shkon?”. Ishte don Ambrogio Balatti, asokohe famullitar-kryeprift i Chiavenës, që ia drejtonte pyetjen. Përshkonte të njëjtën rrugë me biçikletë, pak minuta para se motër Maria të gënjehej nga tri vajza, të tërhiqej në një udhë të verbër e të goditej nëntëmbëdhejtë herë me thikë. Ishte flijim për shejtanin. Krim i kryer nga një grup të rejash, me probleme familjare e shoqërore, që e urrenin Krishtin e Kishën. Dhe e kërkonin shpëtimin nga djalli! Don Balatti e pa i fundmi motër Mainetin, në shekull Terezina Elsa, murgeshë e Kongregatës së Bijave të Kryqit. Atij i qe drejtuar motra pak ditë para 6 qershorit, për ta ndihmuar një 16 vjeçare që, pasi ishte dhunuar, qe dëbuar edhe nga familja, duke mbetur në rrugë të madhe. Kështu të paktën thoshte, duke qarë.  Motër Maria e kishte nuhatur se diçka nuk shkonte në këtë kërkesë për ndihmë, por nuk ishte mësuar të thoshte kurrë jo. Sepse dinte vetëm të ndihmonte, të dhuronte, të kushtohej. Kjo ishte jeta e saj, Jetë e shkrirë duke i dhuruar gjithçka mundte të afërmit. Deri sa dhuroi edhe jetën! E dhuroi duke falur.  Kur vdiq, ndonëse nuk dihej mirë si e pse,  famullitari, Don Ambrogio Balatti i tha ipeshkvit: duhet të njihemi hollësisht me jetën e kësaj Motre, sepse vdiq si martire. E ipeshkvi u kërkoi simotrave të saj ta studiojnë mirë jetën e rreguultares, që kishte emrin e Zojës së Bekuar. Studimi dha fryti e vet: Motra Maria Mainetti është e Lume!

05 qershor 2021, 15:04