Kërko

Vatican News

Meshtarë për dhe në mes të popullit të Zotit

26 vjet më parë themelohej Dita për Shenjtërimin e meshtarëve, të thirrur për t’u shenjtëruar në shërbim të njerëzve.

R.SH. - Vatikan

Në një Letër drejtuar meshtarëve me rastin e së Enjtes së Madhe 1995, Shën Gjon Pali II themelonte Ditën për Shenjtërimin e Meshtarëve, për t’u kremtuar ndër dioqeza me rastin e festës të Zemrës së Krishtit, ose në një datë tjetër, sipas kërkesave dhe dokeve baritore të vendit. Një Ditë lutjeje për meshtarët, “që të jetojnë në përkim me zemrën e Bariut të Mirë”. Duke kujtuar nxitjen apostolike “Pastores dabo vobis” Papa Wojtyla  kujtonte se “ungjillëzimi i ri” ka nevojë për ungjillëzues të rinj, e këta janë meshtarë, që angazhohen ta jetojnë shërbesën e tyre si udhë të veçantë drejt shenjtërisë. Kujtonte, kështu, detyrën e “prirjes drejt shenjtërisë”, për të qenë “shërbenjës të shenjtërisë”, gjithnjë pranë burrave e grave, që i besohen shërbimit të tyre baritor.

Barinj me erë delesh

Shprehja për të qenë “barinj me erë delesh” , “barinj në mes të grigjës”, pastaj, është e Papës Françesku, që i përmblodhi në të detyrat e meshtarit.  U shpreh kështu që në Meshën e parë të Bagmit, më 2013-tën. Kërkonte afërsinë me njerëzit e me periferitë ekzistenciale të kohës sonë. Prekëse edhe Letra e Papës dërguar më 4 gusht 2019 meshtarëve, me rastin e 160-vjetorit të Famullitarit Shenjt të Arsit, Pajtor i famullitarëve të botës. Theksonte në të,  siç ka bërë edhe herë të tjera, rëndësinë që ka rikthimi në thirrjen e parë, në kujtimin e thirrjes së kalimit të Zotit nëpër jetën e të zgjedhurit. E bënte thirrje,  sidomos, për afërsinë me njerëzit:

“S’ka gjë më të ngutshme se këto gjëra: prania, afërsia pranë korpit të vëllait, që vuan. Sa mirë bën shembulli i një meshtari, që u afrohet e nuk u largohet plagëve të vëllezërve. Është  pasqyrim i zemrës së bariut, që i pëlqen të ndjehet një gjë e vetme me popullin e vet; që nuk e harron se doli prej tij e se vetëm duke i shërbyer e gjen e mund ta shpjegojë identitetin e tij  më të pastër e më të plotë, që e mundëson të krijojë një stil të përkorë e të thjeshtë jete, pa kërkuar privilegje, të cilat nuk e kanë shijen e Ungjillit”. 

Meshtaria shërbestare, pasojë e asaj pagëzimore

Është një thirrje, e përsëritur shumë herë gjatë kësaj Papnie. Edhe kohët e fundit. Kur kremtoi sivjet Meshën për shugurimin meshtarak të nëntë diakonëve, me rastin e Ditës së 58-të botërore të lutjes për thirrjet, i nxiti

“Të zhvishen nga vetvetja e nga idetë e parapërgatitura”, për ta shikuar në sy realitetin e për të kuptuar si duhet kumtuar Ungjilli. E t’i zëvendësojnë “ëndrrat e madhështisë”, me ëndrrën për një Kishë të vënë krejtësisht në shërbim  të një bote vëllazërore e solidare. Të heqin dorë nga ambicjet  e vetë-vlerësimi, për ta vënë Zotin dhe njeriun në qendër të shqetësimeve të përditshme. Sepse meshtari nuk është sipërmarrës, por shërbëtor e meshtaria nuk është karrierë, por shërbim.

E, duke u takuar pak ditë më parë  me Bashkësinë e Konviktit  të Shën Luigjit të Francezëve, në Romë, Papa Françesku i besoi një mandat të saktë, që nuk është tjetër, veçse ai i shprehur në homelinë e Meshës së Bagmit 2013 - kur i pati ftuar të jenë “barinj me erën  e deleve”.  I ftoi të zhvishen nga vetvetja e për ta shikuar në sy realitetin e për të kuptuar si duhet kumtuar Ungjilli. E t’i zëvendësojnë “ëndrrat e madhështisë”, me ëndrrën për një Kishë të vënë krejtësisht në shërbim  “të një bote vëllazërore e solidare”:

“Shqetësohem kur bëjnë reflektime, kur japin mendime për meshtarinë si të ishte punë laboratori; ky meshtar, ai tjetri… Nuk mund të reflektosh për meshtarinë, jashtë popullit shenjt të Zotit. Jashtë Meshtarisë shërbestare, pasojë e asaj pagëzimore e popullit besnik të Zotit. Kjo nuk duhet harruar. Nëse ju mendoni një meshtari të shkëputun nga Populli i Zotit, kjo nuk është meshtari katolike, jo, e as e krishterë”.

E edhe dje, duke u takuar me bashkësinë e seminarit  Rajonal Markixhan “Piu XI”, Papa ftoi për të ndjekur shembullin e Shën Jozefit, si model frymëzues për formimin meshtarak, duke theksuar edhe një herë:

“Meshtari i vërtetë  nuk shkëputet kurrë nga populli i Zotit”.

11 qershor 2021, 13:00