Kërko

Vatican News

Media vatikanase: don Epicoco emërohet asistent kishtar

Papa ia beson detyrën e asistentit kishtar në mediat e Vatikanit, meshtarit 40-vjeçar me origjinë nga Pulja e Italisë, por që i përket klerit të kryedioqezës së L’Aquila-s

R.SH. - Vatikan

Një nga librat e tij, Papa Françesku e zgjodhi si dhuratë për kardinajtë, në ditën e shkëmbimit të urimeve me Kurien Romake, për Krishtlindjet e vitit 2019. E, pikërisht impenjimi në media e, përgjithësisht, si komunikator, është sigurisht një nga tiparet, që prej vitesh karakterizon veprimtarinë e don Luigi Maria Epicoco-s, të cilin Papa e emëroi sot asistent kishtar në Dikasterin vatikanas për Komunikimin dhe editorialist në gazetën “L’Osservatore Romano”.

 Meshtar që nga viti 2005, shuguruar nga kryeipeshkvi i atëhershëm i L’Aquila-s, imzot Giuseppe Molinari, don Epicoco përjetoi si prift i ri tragjedinë e tërmetit, që tronditi qytetin ku shërbente, më 6 prill 2009. Ishte kapelan i universitetit dhe mbeti veçanërisht i prekur nga drama e tetë të rinjve të Shtëpisë së Studentit, që humbën jetën nën rrënoja.

Aktualisht, meshtari me origjinë nga Mesagne, në zonën e Brindizit, autor i librave të ndryshëm me natyrë shpirtërore, është profesor filozofie në Universitetin Papnor të Lateranit, ndërsa në vitin 2019, kardinali vikar Angelo De Donatis e emëroi dekan të Institutit të Lartë të Shkencave Fetare “Fides et Ratio” në L’Aquila, qyteti kryesor i rajonit Abruzzo.

16 qershor 2021, 13:27