Kërko

Vatican News

Konferencë ndërkombëtare mbi “teologjinë negative”

Të enjten, më 3 dhe të premten, më 4 qershor, në Romë, do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare mbi “Teologjinë negative për shekullin XXI”, promovuar nga Akademia Papnore e Teologjisë dhe nga Fakulteti i Teologjisë i Universitetit Papnor të Kryqit Shenjt

R.SH. - Vatikan

“Teologjia negative karakterizoi qëndrimin e Etërve të Kishës në dialogun e tyre me filozofinë dhe kulturën e kohës. Në dritën e magjisterit të Papës Françesku, kjo qasje mund të ofrojë njohuri të vlefshme për dialogun ndërfetar dhe ndërdisiplinor, duke e vendosur realitetin përpara idesë”. Me këtë bindje, lind nisma e dy institucioneve papnore - Akademisë Papnore të Teologjisë dhe Fakultetit të Teologjisë të Universitetit Papnor të Kryqit Shenjt – që më 3 e 4 qershor kanë organizuar në Romë, konferencën me temë “Teologjia negative për shekullin XXI”. E njohur edhe si Via Negativa, ose Teologjia Apofatike, teologjia negative është një sistem i krishterë reflektimi mbi Zotin, që përpiqet ta përshkruajë natyrën e Hyjit, duke u përqendruar në atë që Hyji nuk është, në vend të shqyrtimit të gjithçkaje që Zoti është. Premisa themelore e teologjisë negative nënvizon faktin se Hyji është përtej kuptimit dhe përvojës njerëzore dhe se e vetmja shpresë për ta kuptuar sadopak natyrën e Tij, është renditja e gjithçkaje, që nuk është pjesë e natyrës së Zotit, pra, e një liste “negative”, një listë me “jo”.

“Hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët – lexohet në njoftimin për shtyp, me rastin e konferencës, që fillon nesër, - janë të vetëdijshëm se Zoti është i panjohshëm dhe veprimtaria e Hyjit, e pashqyrtueshme. Kjo mund të ndihmojë në kapërcimin e fundamentalizmit dhe në ruajtjen e ndjesisë së misterit, duke nxitur dialogun, lirinë fetare, tolerancën dhe respektin”.

Programi i konferencës

Konferenca ndërkombëtare, e cila mund të ndiqet përmes internetit, ose në Universitetin Papnor të Kryqit Shenjt, në Romë, fillon nesër në orën 15.30, me përshëndetjet dhe paraqitjen e organizatorëve. Pas kësaj, profesori John Milbank i Universitetit të Nottingham-it, do të mbajë referatin “Rëndësia e teologjisë negative për teologjinë aktuale”. Sesioni i parë - i titulluar “Mendimi Apofatik në shkrimet dhe në filozofinë greke” – do të trajtojë çështje si ajo e paraqitur nga prof. Riccardo Chiaradonna i Universitetit Roma Tre, që do të flasë mbi “Pohimet negative rreth Zotit në traditën platonike: Platoni, Filoni dhe Plotini”. Ndërkaq, prof. Bart Koet i Universitetit të Tilburgut do të mbajë referatin me temë: “Tingulli i heshtjes së ëmbël: teologjia narrative negative në Shkrimet e Shenjta”.

4 qershor, sesioni i dytë i punimeve, me titull “Teologjia negative në histori”. Do të diskutojnë prof. Giulio Maspero, pedagog i teologjisë dogmatike në Universitetin Papnor të Kryqit Shenjt, i cili do të flasë mbi “Teologjinë negative në Etërit e Kishës”, si edhe prof. Robert Wozniak i Universitetit të Krakovit mbi “Teologjinë negative në Mesjetë”. Konferenca do të vazhdojë me Paul van Geest, profesor i Historisë së Kishës dhe i Historisë së Teologjisë në Universitetin e Tilburgut, që do të mbajë një leksion kushtuar “Rëndësisë së teologjisë negative për marrëdhëniet ndërmjet teologjisë dhe botës”. Mbyll takimin, kryetari i Akademisë Papnore të Teologjisë, imzot Ignazio Sanna.

02 qershor 2021, 15:54