Kërko

Vatican News

Kardinali Tagle: migrantët, jo numra por emra, histori, ëndrra

Në Sallën Vatikanase të Shtypit - bilanci përfundimtar i fushatës globale të Caritas Internationalis “Share the Jorney”- “Ta ndajmë bashkë shtegtimin”. Prefekti i Propaganda Fides: migrantëve nuk mund t’u ndalohet dinjiteti!

R.SH. - Vatikan

Sfida ishte të fitohej vetëdija se, me kalimin e kohës, do të arrihej tek kthesa! Pothuajse katër vjet pas hapjes së Share the journey – ishte 27 shtatori 2017 kur përurohej nga Papa Françesku - Fushata e Caritas Internationalis, që do të përfundojë më 20 qershor, me ditën botërore të refugjatit - frymëzoi një shikim të ri mbi migrantët, duke e shndërruar frikën, në vëmendje. Të gjithë referuesit në konferencën e shtypit, duke nisur nga kardinali Antonio Tagle, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve dhe Kryetar i Caritas Internationalis, pohuan se këto vite ka qenë shumë më e lehtë të takohen migrantët, të ndihmohen në varfërinë e vuajtjen e tyre,  t’u lehtësohet shpirti, me bindjen se nuk janë numra, por njerëz me emër, histori e ëndrra e se në ta shikojmë Jezusin e ikur së bashku me prindërit në Egjipt”. Njëkohësisht, Karitasi ka arritur të krijojë e të përhapë një kulturë të re në nivel global, kulturë takimi personal, që krijon një vizion të ri të mikpritjes: atë, që të bën të shikosh njeriun - në migrantin.

Shtetet mbyllen në egoizmin e tyre

Pa e fshehur aspak emocionin e njeriut, që e di mirë ç’do të thotë migrim, sepse e ka jetuar në gjirin e familjes së vet, kardinali kujtoi se në migrantët shikon “rrënjët e veta” por, sidomos, i paralajmëroi shtetet të mos mbyllen në egozimin e tyre e të mos e kenë frikë të huajin. “Në një çast kur Covid-19 duhet të krijojë frymën e solidaritetit global - shpjegon Tagle -   përfundimi i fushatës globale të Caritas Internationalis është ftesë për të vijuar një udhë të përbashkët me migrantët, posaçërisht në këtë çast të vështirë”. Prej këndej, kujtoi se fushata përfundon formalisht, por misioni vijon me të njëjtin objektiv: të promovojë kulturën e takimit e të njohjes reciproke ndërmjet migrantëve, refugjatëve e bashkësive lokale, domethënë, koordinatat e 130 nismave, realizuar në këtë periudhë nga 62 Karitaset kombëtare, që i përkasin konfederatës e veprojnë në gjithë botën.

Papa, frymëzues i fushatës

 Këto katër vjet  kanë qenë shumë të pasura me çaste për t’u kujtuar: nga  ndarja e përbashkët e një gjelle, “Share the Meal”- kur Caritas Internationalis organizoi javën e ushqimeve të ngrëna nga bashkësitë vendase me emigrantët e refugjatët, tek Marshimi i Solidaritetit, “Global Solidarity Walk”, organizuar në Romë nga kardinali Tagle, kur Caritasi e ftoi botën të ecë së bashku me migrantët e refugjatët. E që nga ky çast,  shumë bashkësi morën pjesë në nismë, duke përshkuar 600 mijë kilometra e duke krijuar lidhje solidariteti.

“Ati i Shenjtë ishte gjithnjë burim frymëzimi për fushatën tonë” - nënvizon kardinali - duke shpjeguar se Françesku ka guximin të mirëpresë, të mbrojë, të promovojë, të integrojë, katër foljet kryesore, që Papa, në mesazhin për Ditën Botërore të Migrantit e Refugjatit 2018, i shikonte si përgjigje për sfidat e krijuara nga migrimi bashkëkohor, rikujtuar në fjalimet e tyre si nga Sekretari i përgjithshëm i Caritas Internationalis, Aloysius John, ashtu edhe nga imzot Bruno Marie Duffeé, sekretar i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, për të cilin këto folje theksojnë sa urgjente është “të mbrohen të drejtat e njeriut, t’u krijohen njerëzve mundësi për t’u shprehur në përkim me talentet e tyre e për t’i zhvilluar këto talente”.

Kufijtë, vende takimi

Objektivi kyç i fushatës është të jetohet detyra morale e mikpritjes, që do të thotë, t’i strehosh migrantët e refugjatët, që ikin nga padrejtësitë, vuajtjet, dhuna, varfëria, në kërkim të një jete dinjitoze, nga Libani, Jordania, Bangladeshi, madje edhe nga vende fare të afërta me viset më të zhvilluara të botës. Në çaste të tilla, ndërtimi i mureve dhe politikat diskriminuese përdoren për të penguar hyrjen e migrantëve, pa menduar fare se pandemia i bën çdo njeriu, që ka zemër njerëzore në kraharor, thirrje për solidaritet.

17 qershor 2021, 09:30