Kërko

Vatican News

Kardinal Gambetti: meshët në Shën Pjetër, duke respektuar kërkesat e besimtarëve

Kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit shpjegon normat e fundit në kremtimet e mëngjesit, duke kujtuar se ato nuk janë private, prandaj këshillon që meshtarët të bashkëkremtojnë. Njëkohësisht, ai sqaron përjashtimet dhe nevojën për të pranuar kërkesa të ligjshme nga meshtarët dhe grupet e besimtarëve, për ritin në formë të zakonshme dhe të jashtëzakonshme.

R.SH. - Vatikan

Një notë e nevojshme për të kuptuar dispozitat e fundit për meshët e kremtuara në mëngjes në Bazilikën e Vatikanit: shkruhet nga kardinali Mauro Gambetti, kryeprift në Shën Pjetër, i cili shpjegon komunikatën e 12 marsit të Sekretarisë së Shtetit, e cila kërkon që kremtimet “të mbahen në atmosferë të përshpirtshme e të denjë nga pikpamja liturgjike”.

Dy parime kryesore

         Normat e reja, nënvizon prelati, frymëzohen nga dy parime: të renditen kremtimet sipas orarit e cilësisë së tyre dhe të plotësohen kërkesat e veçanta e të ligjshme të besimtarëve, sipas mundësive. Kështu, ndërmjet orës 7 dhe 9 të mëngjesit, meshtarët mund të bashkëkremtojnë njërën nga meshët në orarin dhe vendin e caktuar brenda Bazilikës. Megjithatë, lejohen ndryshime vendi në rastet e përkujtimit të ndonjë shenjti, që është i varrosur në Bazilikë e në rastet e kremtimit të njëkohshëm me ndonjë grup tjetër shtegtarësh.

Akti liturgjik nuk është privat

         Gjithashtu, kardinali Gambetti sqaron se sipas traditës së Kishës Katolike, akti liturgjik nuk është privat, prandaj kremtimi komunitar duhet parapëlqyer në krahasim me atë individual e gati privat. Si rrjedhojë, kur është e mundur, në notë këshillohet që meshtarët të bashkëkremtojnë. Gjithashtu, besimtarët e grupet e shtegtarëve është mirë të marrin pjesë në meshën e parashikuar për kremtim në Bazilikë, pa u ndarë veç nga të tjerët.

Përjashtime e veçanti

         Në notë kujtohen përjashtimet e Magjisterit, në të mirë të besimtarëve, siç është kuptimi i gjuhës së përdorur në liturgji për ata që vijnë nga e gjithë bota. Gjithashtu, përmasat e Bazilikës së Shën Pjetrit lejojnë kremtime në grupe, por pa iu mbivënë kremtimeve të tjera në vendet kryesore liturgjike. Kjo, duke pasur parasysh edhe se në orarin nga 7 deri në 9 të mëngjesit, nuk ka shumë njerëz në kishë. Kardinali Gambetti nënvizon se herë pas here, mund të plotësohen edhe kërkesa individuale, gjithnjë duke vigjëluar që të ruhet atmosfera shpirtërore dhe liturgjike në Bazilikë e duke mos lejuar që kremtimi individual a në grupe të bëhet rrugë e zakonshme. Tjetër përjashtim mudn të bëhet për besimtarët që ndjekin Mesharin Romak të vitit 1962, siç parashikohet nga Motu Proprio “Summorum Pontificum”.

22 qershor 2021, 14:34