Kërko

Vatican News
Imzot Gallagher Imzot Gallagher  (un.org)

Gallagher: korrupsioni duhet luftuar e çrrënjosur

Fjala e sekretarit të Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet në sesionin e posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kushtuar “sfidave dhe masave për paradalimin, për luftën kundër korrupsionit dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

R. SH. - Vatikan

“Nëse duam të garantojmë drejtësinë për të gjithë e të ndërtojmë institucione të afta, të ndërgjegjshme e gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet, duhet ta luftojmë e ta çrrënjosim korrupsionin”. Këtë theksoi imzot Paul Richard Gallagher, sekretar  i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, gjatë sesionit të asamblesë së posaçme të Kombeve të Bashkuara, kushtuar “sfidave dhe masave parandalimin e luftën kundër korrupsionit si dhe për të fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Për kulturën e ndershmërisë

Prelati pohoi se, në radhë të parë, duhet punuar për edukimin me kulturën e ndershmërisë, duke nënvizuar se shteti i së drejtës dhe parandalimi i kriminalitetit duhet të ecin me të njëjtin hap: “Parandalimi i korrupsionit, tejet i përhapur në shumë vende të botës, lidhet ngushtë me respektimin  dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore universale, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”. Për këtë qëllim, sipas sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, “është e nevojshme të fuqizohet më tej bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër flukseve të paligjshme financiare e të zgjerohen mekanizmat ndërkombëtare ekzistuese për rikthmimin e pasurive dhe për ndjekjen penale të fajtorëve”.

Të luftohet kundër krimit të padënuar

Sipas imzot Gallagher, duhet luftuar kundër krimeve të padënuar të çfarëdolloj organizate kriminale, që pasurohet me fitime të paligjshme. E kjo realizohet përmes identifikimit, kërkimit, sekuestrimit, konfiskimit, rikthimit të fitimeve siguruar me rrugë kriminale. “Selia e Shenjtë - kujtoi  - bën pjesë që në vitin 2016 në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, për të dhënë ndihmesën dhe mbështetjen morale në luftën për parandalimin, ndjekjen dhe dënimin global të këtij krimi, që rrezikon seriozisht dinjitetin njerëzor dhe paqen në botë”.

Objektivi, transperenca

Imzot Gallagher kujtoi edhe masat që mori kohët e fundit Papa Françesku  për favorizimin e transparencës, të kontrollit dhe të konkurencës në procedurat lidhur me apaltet publike dhe për përmirësimin e komunikimit financiar të ndeshjes së mundshme të interesave. Sipas kryeipeshkvit Gallagher, takimi krijoi mundësinë e vijimit të  përpjekjeve të të gjitha shteteve për të përfituar nga praktikat më të mira, të cilat i vënë pritë plagës së korrupsionit, sëmundje e rëndë, që pengon zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

06 qershor 2021, 11:27