Kërko

Vatican News

Veprat Misionare Papnore: në mision, gjatë shtigjeve të formimit

Kryeipeshkvi Giovanni Pietro Dal Toso, kryetar i Veprave Misionare Papnore (Pom), ndalet sot tek tema, në qendër të mbledhjes së përgjithshme: “Tipi i pranisë, që jemi të thirrur të kemi jo vetëm me mjetet e komunikimit, por, me një botë të tërë, e cila vijon të ndryshojë çdo ditë”.

R.SH. - Vatikan

Udha misionare përshkohet edhe nëpër hullitë e formimit. Është ky një nga reflektimet, ndjekur në hapje të asamblesë së përgjithshme të Veprave Misionare Papnore(Pom), që do të vijojë deri nesër. Në takim merr pjesë, ndërmjet tjerëve, kardinali Luis Antonio Tagle, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Referatet e para po i mbajnë katër sekretarët e përgjithshëm të Veprave Misionare: atë Tadeusz Jan Nowak, i Veprës Papnore Misionare të Përhapjes së Fesë; motra Roberta Tremarelli e Veprës Papnore Misionare të Fëmijërisë së Shenjtë; atë Guy Bognon, i Veprës Papnore Misionare të Shën Pjetrit Apostull dhe Atë Đình Anh Nhue Nguyên, i Bashkimit Papnor  Misionar.

Dal Toso: gjithnjë më e dukshme, thirrja për  formim

Kryeipeshkvi Giovanni Pietro Dal Toso, president i POM, u ndalua posaçërisht tek tema, në qendër të vëmendjes së asamblesë, si dhe ajo e udhës së katër Veprave Papnore Misionare. Ta dëgjojmë imzotin Giovanni Pietro Dal Toso:

“Asambleja e përgjithshme është takim vjetor, që synon gjithnjë të vlerësojë veprimtarinë e Veprave Papnore Misionare dhe miratimin e ndihmave. Asambleja e përgjithshme për ne është organi institucional më i rëndësishëm, që duhet të  drejtojë Pom, duke u mbështur edhe nga Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve. Nuk bëhet fjalë thjesht për një takim vjetor por, sidomos, për një organ institucional. Sivjet, ashtu si vitin e kaluar, për arsye që i dimë të gjithë, asambleja  u zhvillua me udhë dixhitale. Kjo na detyron edhe të kufizohemi në diskutimin mbi detyrat kryesore. U ndaluam, prandaj, veçanërisht  mbi një temë, që e paraqiti sot kardinali Tagle: temë e lidhur me komunikmin, me pyetjen: “Çfarë tipi pranie  jemi të thirrur të zgjedhim, jo vetëm në mediat, por, në përgjithësi, në një botë që vijon të ndryshojë”.

 Çfarë mund të na thoni për sfidat që kanë përpara Veprat Papnore Misionare, posaçërisht në këtë kohë, kur morsa e pandemisë në disa vende, si për shembull India, bëhet gjithnjë më shqetësuese, ndërsa të tjerët, posaçërisht evropianët, duket sikur po lehtësohen

“Sfidat për ne lidhen ngushtë me karizmën tonë themelore. Sfidë vendimtare është ajo e nxitjes së frymës misionare, e promovimit të ungjillëzimit. Për këtë sfidë jemi të thirrur! Kjo bën pjesë  në udhën e Pom që prej 200 vjetësh. Sfidat kanë të bëjnë në radhë të parë me rrethanat, që lidhen me planet kishtare. Organizata jonë është shumë e lidhur me jetën baritore të Kishës. Për shembull, pakësimi i pranisë së besimtarëve në Meshën shenjte, në vendet perëndimore, është qartësisht pasojë e veprimtarisë sonë. Ndërsa shtimi i pranisë së besimtarëve në vendet e ashtuquajtura toka misioni, ka pasoja të tjera për ne. Institucioni ynë mbetet gjithnjë universal, por sfidat ndryshojnë edhe sipas rajoneve ku vihet jetë veprimtaria jonë”.

Në shërbim të Papës

Veprat Papnore Misionare janë rrjet botëror në shërbim të Atit të Shenjtë, për të mbështetur misionin e Kishave të reja me lutje, dashuri e bamirësi. Koncili II i Vatikanit pohon se kur themi mision, kemi parasysh dy veprimtari kryesore: kumtimin e Ungjillit dhe ndërtimin e Kishave të reja. Në vitin 1922 Papa Piu XI i quajti këto vepra “papnore”. Përmes tyre Papa kujdeset për të gjitha nevojat baritore të Kishave të reja.

E Veprat Papnore Misionare janë katër: Vepra Papnore Misionare për Përhapjen e Fesë; Vepra Papnore Misionare e Fëmijërisë së Shenjtë; Vepra Papnore Misionare e Shën Pjetrit Apostull dhe Bashkimi Papnor  Misionar.

Vepra Papnore Misionare për Përhapjen e Fesë, ka për detyrë t’a hapë zemrën e besimtarit për pafundësinë e horizontit misionar, përmes mbështetjes shpirtërore e materiale  të kumtimit të Mbretërisë së Zotit.

Vepra Papnore Misionare e Fëmijërisë së Shenjtë, e pranishme në më se 130 vende, synon të ndihmojë fëmijët dhe të nxisë frymën e protagonizmin misionar.

Vepra Papnore Misionare e Shën Pjetrit Apostull nxit në bashkësitë e krishtera  vetëdijen e nevojës për zhvillimin e klerit lokal dhe të jetës rregulltare në Kishat misionare të themeluara  së voni.

Bashkimi Papnor Misionar, i lindur në vitin 1916,  synon t’i gjallërojë e t’i formojë besimtarët e pagëzuar për përgjegjësinë e tyre misionare, përmes shërbimit baritor të ipeshkvijve e të priftërinjve, me moton: “Mbarë Kisha, për mbarë botën!”.

02 qershor 2021, 15:11