Atë Small, në Vatikan, për mbrojtjen e të miturve
R.SH. - Vatikan
Atë Andrew Small emërohet nga Papa Françesku sekretar i ri i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve. Misionari i Oblatëve të Zojës së Papërlyer, ish-drejtor kombëtar i Veprave Misionare Papnore në SHBA, tani bëhet pjesë e organizmit të dëshiruar nga Ati i Shenjtë për ta ndihmuar në marrjen e “nismave për mbrojtjen e të miturve dhe të rriturve të ligshtë, në mënyrë që krime si abuzimet të mos përsëriten më në Kishë”. “Komisioni - shpjegon atë Small për mediat e Vatikanit - së bashku me Kongregatën për Doktrinën e Fesë promovon përgjegjësimin e Kishave të veçanta për mbrojtjen e gjithë të miturve”.
“Dëgjimi – deklaron i sapoemëruari në mikrofonin e Radio Vatikanit – është i rëndësishëm për të kuptuar cilat janë hapat e ardhshëm për Komisionin dhe, natyrisht, duhen dëgjuar të abuzuarit. Mendoj edhe se duhet të krijohen rrugë të reja për ta impenjuar Kishën për këto çështje, në mënyrë që të gjithë ta ndiejnë se strukturat e përgjegjësisë janë të arritshme e transparente. Ka rëndësi që të gjitha masat e marra të vlerësohen – do të ishte mirë, në mënyrë të pavarur, - për të pasur sigurinë objektive se kemi një Kishë ku më të brishtët mbrohen praktikisht e jo vetëm teorikisht”.