Kërko

Vatican News

Vatikan: 300 të varfër të tjerë vaksinohen kundër Covid-19

Në Sallën Pali VI, të shtunën, më 8 maj, do të vaksinohen me nismën e Lëmoshtarisë Apostolike, edhe 300 njerëz të tjerë, të pastrehë e të varfër, ndërsa vijon fushata e “vaksinës pezull”, që ka bërë të mundur ndihmën për vendet në vështirësi serioze, për shkak të pandemisë, si India dhe Siria

R.SH. - Vatikan

Kërkesë, që erdhi spontanisht nga shumë njerëz që jetojnë në rrugë, të prekur nga bujaria e Papës e nga gatishmëria e tij për të ndihmuar më të varfrit dhe më të ekspozuarit ndaj koronavirusit. Kështu tregon kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtari i Papës, duke shpjeguar se që prej dy javësh, në klinikën “Nëna e Mëshirës”, nën Kolonatin e Shën Pjetrit, janë mbledhur firmat e njerëzve, që duan të vaksinohen. Të shtunën, më 8 maj, 300 prej tyre priten në Sallën Pali VI, ku është organizuar vaksinimi në Vatikan. Janë njerëz, që nuk ndihmohen nga organizatat bamirëse të zonës, ashtu si 1400 të varfrit, që u vaksinuan në Vatikan javët e fundit.

Ndihmat për Indinë e Sirinë

Nga ana tjetër, Lëmoshtaria Apostolike njofton se nisma “vaksina pezull” është përhapur përtej parashikimeve. Përmes faqes së internetit “elemosineria.va” kush dëshiron mund të blejë online një, ose më shumë vaksina, që e lë në dispozicion si dhuratë për dikë, i cili nuk ka mundësi ta blejë. Kjo është “vaksina pezull”. Përmes kësaj nisme është ndihmuar India, ku Papa Françesku ka dërguar 200 mijë dollarë për luftën kundër Covid-19, por edhe Siria, vend tjetër, i dërrmuar nga një konflikt pa fund dhe nga koronavirusi, ku janë dërguar 350 mijë euro.

Mrekullia e bamirësisë

Më 23 prill, në festën e Shën Gjergjit, dita e emrit të Papës, Françesku u bëri një surprizë rreth 600 nevojtarëve, që ndodheshin në Vatikan për dozën e dytë të vaksinës Pfizer-Biontech, duke e kaluar festën e tij me ta. Dozën e parë, këta njerëz e bënë gjatë Javës së Madhe të Pashkëve, duke i bërë kështu konkrete thirrjet e ndryshme të Papës, që askush të mos përjashtohet nga fushata e vaksinimit të koronavirusit.

07 maj 2021, 16:29