Kërko

Vatican News

Webinar mbi “drejtësinë e ushqimit”, kard. Turkson: ushqim për të gjithë me çmime të drejta

Duke folur në një seminar on linë, prefekti i Dikasterit tё Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit Integral Njerëzor, kardinali Turkson theksoi se në një kohë si kjo e tanishme karakterizuar nga çekuilibra të thella e përkeqësuar nga pandemia, është e nevojshme të promovohen sisteme ushqimore të qëndrueshme dhe tё drejta.

R.SH. - Vatikan

Rëndësia e punës së denjë, financave dhe inovacionit në rindërtimin e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit, veçanërisht në post-Covid. Gjatё uebinarit u shtjelluan tema si "drejtësia e ushqimit: puna, inovacioni dhe financa në shërbim të drejtësisë ushqimore". Takimi u mbajt në kuadrin e kremtimeve tё veçanta kushtuar enciklikёs ‘Laudato Si' dhe në gjashtë përvjetorin e botimit të enciklikës së Papёs mbi kujdesin e shtëpisë sё përbashkët. Takimi on line, nё transmetim tё drejtpërdrejtë, u hap nga Kardinali Peter Appiah Turkson, prefekt i Dikasterit tё Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit Integral Njerëzor, e punimet vijuan me ndërhyrjen e përfaqësuesve tё komuniteteve fetare e të përfaqësuesve të misioneve diplomatike pranë FAO-s, Ifad dhe Pam.

Turkson: pasiguri ushqimore e shkaktuar nga padrejtësitë

Seminari u hap një ditë pas paraqitjes sё "Platformës Nisma Laudato Si", një rrugëtim shtatë-vjeçare që synon të dëgjojë britmën e tokës dhe britmën e të varfërve. Duke pёrmendur këtë iniciativë, Kardinali Turkson tregoi një qëllim të arritshëm: sigurimi i ushqimit pёr mbarë popullsinë botërore, tha Turkson, është i mundur. Por shpërdorimet, mbeturinat dhe padrejtësitë e rënduara nga urgjenca jo shëndetёsore, shtoi kardinali, paraqesin një skenar gjithnjë e më shqetësues.

Kardinali Turkson kujtoi gjithashtu se, sipas të dhënave të fundit të FAO-s, mbi 150 milion njerëz në botë jetojnë në një situatë pasigurie ushqimore, e përmendi, në veçanti, fjalët e Papёs në videomesazhin për Ditën Botërore të Ushqimit 2020: "Për njerëzimin - theksoi Papa me atë rast - uria nuk është vetëm një tragjedi por edhe një turp. Uria shkaktohet, në pjesën mё të madhe, nga një shpërndarje e pabarabartë e fryteve të tokës, nga mungesa e investimeve në sektorin e bujqësisë, nga pasojat e ndryshimit të klimës dhe nga rritja e konflikteve në zona të ndryshme të planetit".

Sigurimi i ushqimit për të gjithë

Prefekti i Dikasterit tё Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit Integral Njerëzor kardinali Turkson theksoi se mungesa e ushqimit është e lidhur edhe me luftërat shoqërore të përkeqësuara nga pandemia. Pasiguria ushqimore është një tjetёr plagë e shkaktuar nga mungesa e proceseve politike demokratike, nga shkatërrimi i mjedisit, nga humbja e biodiversitetit. Duke cituar letrën enciklike të Papёs Françeskut "Fratelli tutti”, kardinali Turkson pohoi se "ushqimi është një e drejtë e patjetërsueshme". Për të kapërcyer padrejtësitë, shpjegoi kardinali, është e nevojshme të mbrohet kjo e drejtë dhe të promovohen sisteme ushqimore të qëndrueshme dhe tё drejta që nuk përjashtojnë askënd. "Garantimi i një aksesi të denjë në ushqim me çmime të arsyeshme dhe të drejta për të gjithë - përfundoi Kardinali Turkson - është çështje e drejtësisë sociale, kujdesit ekologjik dhe ndërtimit të një ekonomie që përqendrohet vërtet mbi njerëzit dhe dinjitetin e tyre".

27 maj 2021, 12:29