Kërko

Vatican News

Kardinali Parolin, legat papnor për 1300-vjetorin e vdekjes së Shën Odiles

Papa emëron Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, përfaqësuesin e tij për kremtimin kushtuar Pajtores së Alsazës, që do të mbahet në katedralen e kryedioqezës, më 4 korrik

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, Legat papnor në meshën, që do të kremtohet më 4 korrik në katedralen e Strasburgut, me rastin e 1300-vjetorit të vdekjes së Sainte Odile (Shën Odilës a Otilies), pajtore e Alsazës. Lajmi u dha sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Shën Odilë, pajtorja e Alsazës

Lindur rreth vitit 660 dhe vdekur në vitin 720, Shën Odilë - emri i së cilës do të thotë fjalë për fjalë “Drita e Zotit” - vinte nga një familje fisnike merovingje. E verbër që nga fëmijëria, ajo u shërua për mrekulli gjatë pagëzimit, të cilin e mori në moshën 15 vjeçare. Më pas, shenjtja e ardhshme u bë murgeshë dhe themeloi një kuvend në kështjellën e Hohenbourg-ut, që ndodhej mbi një mal, i cili, më vonë, mori emrin e saj, Mount St. Odile. Edhe sot, është vend i njohur për shtegtime e turizëm në Alsazë. Kanonizuar nga Papa Leoni IX në shekullin XI, ajo u shpall pajtore e Alsazës nga Papa Piu XII më 1946, një vit pas përfundimit të Luftës II Botërore, e cila e kishte sprovuar veçanërisht atë territor të aneksuar nga Gjermania naziste. Duke filluar nga 13 dhjetori 2020, dioqeza e Strasburgut ka nisur një Jubile të Madh për 1300-vjetorin e vdekjes së Shën Odilës.

Veçoritë fetare të Alsazës

Dioqeza e Strasburgut, ashtu si dioqeza fqinje e Metz-it, është e veçantë, pasi për të zbatohen rregullat e Konkordatit të Napoleonit. Meshtarët paguhen nga shteti dhe ipeshkvijtë emërohen bashkërisht nga Papa dhe nga Presidenti i Republikës, që më pas, e publikon emrin në Gazetën Zyrtare. Këto dy dioqeza u vizituan nga Shën Gjon Pali II në vitin 1988. Nga ana e tij, Papa Françesku pati bërë një vizitë të shkurtër në Strasburg, në nëntor 2014, gjatë së cilës foli në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.

04 maj 2021, 15:46