Kërko

Vatican News

Papa priti Ministrin e Jashtëm të Irakut, Fuad Hussein

Tridhjetë minuta bisedë kushtuar vizitës së Papёs nё Irak, nga 5 deri mё 7 marsi kaluar. Nga Ati i Shenjtё Françesku falënderimi për pritjen e pёrzemёrt qё pati nё vend dhe urimi qё "secili tё mund të rritet në solidaritet dhe në përgjegjësinë e kujdesit pёr brishtësinë e tjetrit".

R.SH. - Vatikan

Zgjati gjysmë ore, audienca e Papës, dje paradite në Pallatin Apostolik në Vatikan, me Ministrin e Jashtëm tё Irakut Fuad Hussein, pjesa më e madhe e së cilës iu kushtua vizitës historike tё Papёs nё Irak, në fillim të marsit nga 5 deri më 7, si dhe pritjes sё hareshme që Ati i Shenjtё pati nga popullsia irakiane.

Njoftimin e dha drejtori i zyrёs sё shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke shpjeguar se biseda "zgjati rreth 30 minuta". "Ati i Shenjtë – thuhet nё njoftim – pati rastin pёr të kujtuar me mirënjohje pritjen e pёrzemёrt qё pati  gjatë udhëtimit të tij të fundit apostolik nё Irak", të cilin vetë Papa e përcaktoi si një "shenjë shprese pas viteve të luftës e terrorizmit dhe gjatë një pandemie të vështirë" (audienca e Përgjithshme , 10 mars 2021).

Përshëndetja Irakut dhe urimi për "rritjen e solidaritetit"

Përmes ministrit tё jashtёm, Papa Françesku "i drejtoi një përshëndetje të pёrzemёrt Irakut, të gjithë pjesëtarëve të tij, duke uruar qё secili tё mund të rritet në solidaritet dhe në aftësinë për ta njohur veten si përgjegjës për brishtësinë e tjetrit".

Huseini, me origjinë kurde, mysliman shiit, ёshtё Ministër i Punëve të Jashtme të Irakut që nga 6 qershori 2020. Ai e priti Papёn nё çastin e mbërritjes së Atit tё Shenjtё në kryeqytetin Bagdad në udhëtimin e tij apostolik në fillim të marsit tё kaluar. Dhe në ditët qё paraprinin shtegtimin e Papёs pati deklaruar në disa intervista se irakianët e prisnin me padurim "mesazhin e paqes dhe tё tolerancës" që Papa Françesku do të sillte në vend dhe e përcaktojë vizitën papnore si një takim historik ndёrmjet "minares dhe kumbonares".

Gjatё qëndrimit  tij në Romë, ministri i jashtёm irakian, përveç vizitës te Papa, do të zhvillojë edhe disa takime të rëndësishme me anëtarët e qeverisë italiane.

04 maj 2021, 11:01