Kërko

Vatican News

Një muaj me Marinë, medalja e mrekullueshme

Sot kardinali Comastri, në meditimin e tij, rrëfen një anekdotë për medaljen e mrekullueshme.

R.SH. - Vatikan

Sot kardinali Comastri, në meditimin e tij, rrëfen një anekdotë për medaljen e mrekullueshme, send krejt i thjeshtë, e megjithatë, tejet i çmuar, duke e lidhur edhe me Nënë Terezën. Meditimi i  kardinalit është një nga 31 pjesët, që e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë gjithë majit, muajit, të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës.

Historiku i medaljes

“Medalja e mrekullueshme u realizua pas ngjarjes, që ndodhi në vitin 1830, në Francë, pranë Parisit, në rrugën du Bac. Zoja iu duk rregulltares Caterina Labouré. Disa herë, në kapelën e Shtëpisë Nënë të Bijave të Bamirësisë. Po kulmi arriti më 27 nëntor, kur Zoja u duk me një pamje të jashtëzakonshme. Mbi një glob të praruar. E, më pas, u dukën të gjithë elementet, që i shikojmë sot mbi medaljen e mrekullueshme, riprodhim besnik i vegimit të murgeshës franceze. Në të lexojmë fjalët: “O Mari, e zënë pa mëkat, lutuni për ne, që ngarendim drejt Teje”. Ky, shkrimi rreth aureolës së Zojës.  Ndërsa në anën tjetër të medaljes shikojmë menjëherë një shkronjë të madhe “M” (domethënë Mari) mbi një kryq, poshtë së cilës duken Zemra e Krishtit dhe e Zojës.

Medalja dhe Nënë Tereza

Kardinali tregoi edhe disa anekdota lidhur me këtë medalje, devocioni ndaj së cilës vijon të përhapet në të katër anët e botës, duke bërë shumë mrekulli. Nënë Tereza ishte e lidhur fort me medaljen, aq sa e mbante gjithnjë ndër xhepa. E ia falte një kujtdo që takonte. Në vitin  1993 - kujton Comastri -  kur ishte ipeshkëv në Massa Marittima e duhet të bënte një operacion të vështirë në zemër, Nënë Tereza e siguroi se gjithçka do të shkonte mrekullisht mirë, nëse nuk do të mendonte për thikën i kirurgut, por do të lëshohej i tëri dorë të Marisë e do ta mbante me vete Medaljen e Mrekullueshme. E Zoja e bëri mrekullinë!

17 maj 2021, 16:27