Kërko

Vatican News
Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj me Marinë”: kthesa shpirtërore e Napoleon Bonapartit

Sot kardinali Comastri u ndalua tek një çast historik: çasti kur në shpirtin e Napoleon Bonapartit rizgjohej feja, që i flinte në fund të shpirtit. Është reflektimi i ri, pjesë e 31 reflektimeve të majit marian, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R. SH. - Vatikan

Në reflektimin e sotëm kujtohet figura e Napoleon Bonapartit, njeriut, që pati suksese të bujshme, por edhe disfata po aq të bujshme. E që u mbyll tragjikisht në një ishull të vogël, të humbur, në mes të oqeanit. Në Shën Helenë. Atij i kushtohet poezia e famshme, shkruar nga Aleksandër Manzoni, titulluar “5 Maji”. Ishte data e vdekjes së Gjeneralit francez, lajm që poeti e mësoi duke lexuar  “Gazetën e Milanos”, ndonjë muaj më pas. Manzoni i këndoi lavdisë së Napoleonit - kujton Comastri. E edhe sukseseve të pakrahasueshme të gjeneralit më të madh të të gjitha kohëve - duke kujtuar se edhe Beetoveni, një “gjeneral tjetër i madh”, në fushën e muzikës, i kushtoi një simfoni.

Zoti i rrëzon të pushtetshmit nga fronet

Napoleoni ish lindur më 15 gusht 1769, në festën e të Ngjiturit e Zojës në Qiell. Si u rrit, nisi ta shikojë me sy të shtrembër këtë përkim. Ndoshta  ndoshta sepse festa i kujtonte Magnificat, sidomos “vargjet ku thuhet se Perëndia i rrëzon të pushtetshmit nga fronet”. Ndaj, me një dekret të posaçëm, e ndaloi solemnitetin, duke e zëvendësuar me festën e Shën Napoleonit. Gjest tejet arrogant, ky, kundër të cilit protestoi menjëherë Papa i asokoshëm, Piu VII. E dimë të gjithë epilogun e ngjarjes që, pohon kardinali, konfirmon  fjalët e shqiptuara nga Virgjëra. Napoleon Bonaparti  u nis për një mërgim të largët e u zhduk” - shkruan Manzoni - duke i kaluar ditët e fundit, fare boshe, në vetmi, në ishullin e Shën Elenës. Po pikërisht këtu, ku ish ngujuar “e shfryu krenarinë” e gjeti fenë, siç e dëshmuan disa njerëz, që jetuan pranë tij ditët e fundit në ishullin e largët, prej nga u rikthye në Francë, për të bërë gjumin e mbramë në Pantheon.

21 maj 2021, 16:01