Kërko

Vatican News
Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

Një muaj me Marinë: Kana e Galilesë

Shtegtim në kërkim të devocionit marian, udhëhequr nga kardinali Angelo Comastri, që na çon në vendin ku Jezusi bëri mrekullinë e parë në praninë e Marisë. Në Kanë të Galilesë. Nisma është e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R. SH. - Vatikan

Shkelim në këtë muaj, mbi gjurmët e Marisë, në viset më të përmendura nga Ungjijtë. E udha na çon së pari në Kanë të Galilesë, ku ndodhi mrekullia e parë e Jezusit. Shën Gjoni Ungjilltar na përshkruan harenë e dasmës e na kujton se aty ishte e ftuar edhe Maria. E ndërmjet dasmorëve, ishte edhe Jezusi, me disa prej dishepujve të vet. Këtu ndodhi mrekullia e parë e Krishtit. Në kulmin e gostisë, nisi të ndjehej mungesa e verës! Ishte një çast dramatik, në mes të haresë. Atëhere Maria e nxiti të birin  të bënte diçka. Nga që e dinte se mund të bënte gjithçka! “Bëni çka t’ju thotë”, janë fjalët e Nënës së Zotit drejtuar shërbëtorëve të asokoshëm, e edhe ne, sot! Ndiqeni! E shërbëtorët u bënë dëshmitarët parë të shndërrimit të ujit në verë!

Ky Ungjill na jep një mësim shumë të çmuar. Së pari, për vlerën e familjes, si institucion i dëshiruar dhe i bekuar nga vetë Zoti, sepse mrekullia kryhet pikërisht në kulmin e një dasme. Ku krijohet një familje e re. Comastri na kujton edhe një diskutim të  ashpër mbi këtë temë, me një  të burgosur, që nuk e kishte provuar kurrë ngrohtësinë e familjes. Ndaj e urrente! E prandaj thekson rëndësinë që ka rritja e fëmijëve nën një strehë ku “nuk mungon kurrë vera simbolike”. Domethënë,  kujdesi e përkëdhelja prindërore. “Nuk mendojmë fare çfarë padrejtësie bëjmë, kur i lëmë fëmijët pa nënë e pa baba - kujton kardinali Comastri - Edhe Jezusi u rrit në gjirin e një familjeje. “E aty shijoi ëmbëlsinë e prehërit të Nënës. Puthjen e Marisë!”.

09 maj 2021, 15:01