Kërko

Vatican News
Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj me Marinë”, fytyra e Zojës, parë nga Mikelanxhelo

“Zoja e Dhimbshme, e njohur me emrin “La Pietà”, la gjurmë të pashlyeshme në art. E kardinali Angelo Comastri e përqendron mbi fytyrën e Saj “të panjollë” meditimin e sotëm, një nga 31 pjesët e emisionit, që po e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë gjithë majit, muajit të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R. SH, - Vatikan

Bazilikën e Shën Pjetrit ruhet njëra nga veprat më të përkryera të Michelangelo Buonarrotit. Njihet me emrin “La Pietà”, që në shqip përkthehet “Zoja e Dhimbshme”, sepse Nëna mban në prehër Birin e vetëm, të sapo zbritur nga kryqi. Plot me plagë, që kullojnë gjak. Të vdekur. Është e vetmja vepër e nënshkruar nga dora e vetë artistit, protagonist i Rilindjes italiane. Në një skaj të skulpturës së famshme mund të lexojmë: “MICHEL.A[N]GELVS BONAROTVS FLORENT[INVS] FACIEBAT”, që do të thotë “Michelangelo Buonarroti, fiorentin, e bëri”, domethënë, e realizoi. E kur e realizoi ishte vetëm 20-vjeç. E nënshkroi  sepse shumëkush nisi ta paraqesë si vepër të  skulptorit lombard Cristofore Solari. Gjë që e preku keqas në sedër autorin e vërtetë. Me hollësitë tejet interesante të kësaj historie mund të njiheni duke lexuar veprën madhore të Vasarit “Jetët e piktorëve, skuptorëve dhe arkitektëve më të shquar”, botuar për herë të parë më 1550.

Një kritikë - e kritikuar

Comastri kujton edhe një kritikë, që i bëhet shpesh veprës. Madje edhe sot e kësaj dite: skulptori i madh kritikohet sepse Zoja në këtë kompozim të pashoq, duket më e re se i Biri. Në fytyrën e Krishtit natyrisht pasqyrohet gjithë dhimbja e njerëzimit, në çastin kur ai kishte marrë mbi vete mëkatet e botës. Ndërsa rinia e pacënuar e Marisë shpjegohet me faktin se Ajo ishte “e panjollë mëkati”, e pacënueshme nga kalbja. Është po ajo  grua e paplakshme, që Dante Alighieri  e quajti:

 Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,
mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështore
nga këshilli i amshuem cak i vendosun mirë”.

Mund të themi, prandaj, se kjo mënyrë e paraqitjes buronte nga teologjia. Fiksonte, kështu, teologjinë e pakalbshmërisë së Marisë, mbi mermerin e bardhë, që nuk plaket as rrudhet në shekuj. Dhimbje e kthjelltësi shkrihen në fytyrën e Marisë e të duket sikur ajo nuk është në pritje të varrosjes së të Birit, por të shkëndijës së ngjalljes, pas dhimbjeve të lehonës, që pësoi mbi Mal të Kalvarit. E të gjitha këto ndjenja, që i kundërvihen njëra-tjetrës, dëshmojnë  gjenialitetin e Mikelanxhelos.

Në maj të vitit 2017 kardinali Comastri, asokohet kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, pati shoqëruar tek “Pietà”, presidentin Donald Trump, që ishte për vizitë në Romë. E sot kujton habinë dhe admirimin e pafund  të presidentit amerikan për këtë vepër të pashoqe, me domethënie kaq të thellë njerëzore e hyjnore!

22 maj 2021, 11:58