Një muaj me Marinë: feja për Trilussën
R. SH. - Vatikan
Ndërmjet poezive në dialektin romanesk të Carlo Salustrit, që njihet me pseudonimin Trilussa, vërehen menjëherë dy poezi me tematikë fetare. E para flet për fenë, që në tingëllimën me të njëjtin titull na paraqitet si plakë, që i ngjitet një kodre me selvi, në maje të së cilës lartohet kryqi! Edhe pse e verbër, duket se di të na prijë në rrugën e jetës, nësa ecim në të përditshmen tonë. Drejt “kodrës me selvi”! Gjon Pali I e pati recituar këtë poezi në një nga audiencat e tij publike, duke shpjeguar se dora atërore e Zotit na prin edhe në mes të errësirës, domethënë në çastet e vështira të jetës. “Feja nuk është ecje në boshllëk, por braktisje e vetes, në dorë të Dikujt, që na sheh e na ruan”, shton Comastri duke e komentuar poezinë “Feja”:
Ajo, plaka e verbët, që udhës e ndesha më beh,
Natën ngatërrue ndër kapërthime të pyllit,
Në se - më tha- ti rrugën nuk e njeh,
të shoqnoj unë mbi gjurmë të dritës së hyllit.
Kambë-kambë po ece mbas hapave të mi,
Ta lëshoj ‘i za, të mos ndihesh fare qyq,
Deri në fund të rrugës, ku duket një selvi,
Der’ në maje të karmës, ku ngrihet lart një Kryq.
Ia drodha: - Ndoshta, por s’kam si ta besoj
se ‘i sy i shuem mund t’ më prijë në shtigje të reja.
E verbëta, atëherë, fort dorën ma shtrëngoi
Psherëtiu: “Eja mbas meje!”. Ishte Feja!
E, në disa vargje të tjera, Salustri pati pohuar:
“Feja është fort e bukur,
pa asnjë “kush e di”,
pa “pse” e, natyrisht,
edhe pa asnjë “si”.
Vargje për Zojën
Poezia tjetër ka si protagoniste Zojën. Poeti kujton këshillat e nënës, që e nxiste t’i lutej Marisë. “Kur ndjehesh krejt vetëm, provo të thuash ‘Falemrinë’, i kujtonte, sepse kjo lutje është e aftë t’i lartojë shpirtrat. Trilussa pohon se e ruajti deri në moshë të shtyrë këtë zakon të mirë. E përfundon me fjalët: “Kur ndjehem vetëm qyq, i lutem Zojës, e atëherë shpirtit i rriten flatrat e nis fluturimi.