Kërko

Vatican News
Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj me Marinë”- dukjet e Lurdës

Meditimi i parë i kardinalit Angelo Comastri kushtuar rrënjëve të devocionit ndaj Virgjërës Mari, përmes anekdotave dhe historive të kthimit në rrugën e fesë me ndihmën e Nënës së Krishtit, të atyre, të cilët patën dredhuar. Shtegtim imagjinar, që do të na shoqërojë gjatë gjithë majit, duke filluar nga Shpella e Masabielës, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R. SH. - Vatikan

“Të shkosh në shkollën e Marisë, do të thotë të shkosh në shkollën e fesë e të jetës”- pati thënë Papa Françesku gjatë audiencës me përfaqësuesit e Fakultetit Teologjik Marianum, më 24 tetor 2020. Me këtë siguri kardinali Angelo Comastri na ofron, në këtë muaj marian, disa refketime të çmuara, që të mund ta dëgjojmë zërin e Nënës së Zotit e të përfitojmë shpirtërisht prej saj. Kardinali e hap këtë seri me dukjet mariane pranë Lurdës, në Francë, në gjysmën e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Që asokohe  vendi u bë cak shtegtimi për miliona njerëz, që gjunjëzohen vit për vit tek shpella, ku u duk Zoja. E ku ndodhin vazhdimisht mrekulli!

Një muaj me Marinë: meditimi i parë

Protagoniste e këtyre ngjarjeve të mrekullueshme, qe adoleshentja Maria-Bernarde Soubirous, e njohur thjesht me emrin Bernardette. Në vitin 1858! Vajza e re tregoi se kishte parë një “Zonjë veshur me të bardha”, në mes të një pylli, ku po mblidhte dru për të ndezur zjarrin në vatrën e familjes.  E pa e edhe foli me Të. Pavarësisht nga tronditja që shkaktoi ky lajm, në dukje i pabesueshëm, në kishë, e edhe në familje, vajza  vijoi të shkojë te shpella e mrekullueshme edhe në ditët e mëpasme, për t’u siguruar se Zoja me të bardha ishte përsëri aty. E aty edhe e gjeti! E Ajo e porositi: “Thuaji meshtarëve se këtu duhet të ndërtohet një kapelë”. Kardinali Comastri e tregon me devocion të thellë ngjarjen e jashtëzakonshme e, më pas, edhe mrekullitë e kryera në praninë e Bernardetës nga Ajo që, më 25 mars,  deklaroi  se ishte “Zoja e Papërlyer”.

Dogma, që e quan Marinë “të ruajtur që në çastin e zënies nga çdo njollë mëkati origjinal”, qe shpallur vetëm katër vite më parë, më 1854, nga Papa Piu IX. Bernardeta nuk mund ta kishte njohur këtë dogmë, sepse nuk dinte shkrim as këndim e fliste vetëm në dialektin vendas.

Që atëhere - kujtoi kardinali Comastri - shpella e Lurdës u bë “Dritare e Qiellit mbi tokë”.  

02 maj 2021, 14:21