Kërko

Vatican News
Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

“Një muaj kushtuar Marisë”, Shën Tereza e Krishtit Fëmijë

“Meditimi i njëmbëdhjetë i kardinalit Angelo Comastri i kushtohet thjeshtësisë së njerës nga shenjtoret më të mëdha të Kishës, e ngjashme, në këtë drejtim, me Marinë. Nisma e Telepaces, realizuar nga Vatican News përfshin 31 pjesë, që e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë gjithë majit, muajit, që tradita e Kishës ia kushton Zojës.

R. SH. - Vatikan

Shën Tereza e Lisieux është shenjtore, që pati devocion të veçantë për Zojën. E figura e saj bëhet protagoniste në këtë pjesë. Kardinali Comastri na tregon shkurtimisht historinë e saj. E vdekur shumë shpejt, kur  sapo i kishte mbushur 24 vjetët, megjithatë konsiderohet si njëra nga shenjtoret  më të mëdha të historisë së krishterimit. Doktore e Kishës!  E edhe pse jetoi  një jetë të mbyllur, murgare, meritoi titullin e madh “Pajtore e misioneve” sepse, pa i shkelur kurrë me këmbë misionet, i jetoi me fantazi e, sidomos me uratë, kushtuar të gjithë misionarëve të botës. E Comastri shpjegon edhe apostullimin e rregulltares, shpallur Shenjte në fillim të viteve ’90-të të shekullit të kaluar,  duke u nisur nga çka shkroi në Ditarin e saj, një nga kryeveprat kushtuar jetës murgare.  Që meriton të lexohet nga të gjithë, besimtarë e jo besimtarë. Shkroi, pra, në Ditar, se e kishte kuptuar që “ kyçi” i jetës së saj ishte “dashuria”.

Meditim: një muaj me Marinë

Duke parafrazuar Shën Palin e madh, Tereza e vogël kuptoi se “po t’i mungonte dashuria, do të ishte askushi”. E nëse Kisha është trup i përbërë nga shumë gjymtyrë, më e rëndësishmja prej tyre është “zemra”. E pikërisht këtë zgjodhi Tereza e vogël për t’i shërbyer Kishës: zemrën, që  përvëlohet nga dashuria, e cila ushqen të gjitha thirrjet, sepse gjithçka bëhet pa dashuri, është fare pa vlerë!  “Faqe të shkëlqyera - këto që shkroi karmelitania franceze, në kryeveprën e saj “Historia e një shpirti”. Ndërmjet  tyre, disa rreshta prekëse kushtuar Marisë, Nënës së Jezusit. Shenjtja përsërit disa herë se e do fort Marinë, sepse e ndjen më pranë në rrugën që zgjodhi, rrugë e vogëlsisë, e thjeshtësisë në fe.  E sidomos, sepse misioni më i madh i Marisë, është t’u prijë të gjithë bijve të Zotit kah “maja e dashurisë”.

12 maj 2021, 16:39