Kërko

2021.05.14 Settimana Laudato Si' 2021 2021.05.14 Settimana Laudato Si' 2021

Nis Java e ‘Lëvduar qofsh”: ftesa e Papës për të marrë pjesë

Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku kujtoi rëndësinë e këtyre shtatë ditëve, parë si mundësi për ta mësuar e për ta dëgjuar britmën e Tokës e të të varfërve. Të shumta, nismat në program për këtë ngjarje, që do të përfundojë më 25 maj, me shpalljen zyrtare të platformës së Nismave Laudato Si’.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku falënderon dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor si dhe organizatat e shumta, që marrin pjesë në nismën “Lëvduar qofsh”. Dje, në përfundim të lutjes mariane drejtuar Mbretëreshës Qiellore,  Papa nuk e harroi këtë  takim, që synon “të  edukojë gjithnjë më shumë njerëz për ta dëgjuar britmën e Tokës  e britmën e të varfërve” dhe i ftoi të gjithë të marrin pjesë.

Vijat e angazhimit

Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, Global Catholic Climate Movement, Renova, Bashkimet Ndërkombëtare të Eprorëve dhe Eproreve të Përgjithshme, Caritas internationalis, CIDSE, Shoqnia e Jezusit dhe Vëllezërit françeskanë kanë si objektiv, skicimin e vijave të angazhimit për vitet e ardhshme: “Që kur u botua enciklika e Françeskut kushtuar ekologjisë së gjithanshme, Kisha dhe katolikët e mbarë botës bënë hapa domethënëse në udhën e tyre drejt kthesës ekologjike”.

Hapa,  që i vuri në dukje dikasteri vatikanas që më 16 majin e kaluar, njëmendjeje me Papën i cili, me rastin e pesëvjetorit të enciklikës, propozoi kremtimin e Javës Laudato Si’ e më pas, edhe Vitin e Përvjetorit të Veçantë të Laudato Si’. Në Edicionin 2021 të Javës “Lëvduar qofsh", do të kremtohet mbyllja e Vitit, duke dëshmuar sa gjëra ndryshuan gjatë kësaj kohe. Ndonëse mbetet ende shumë rrugë për t’u bërë - “në këto çaste të trazuara nga pandemia e Covid-19 - lexohet në  një komunikatë - ësht koha  për të treguar udhën drejt dhjetëvjeçarit të ardhshëm”.

Programi për Javën 2021

Shumë tema do të thellohen përmes webinarëve, organizuar me mbështetjen e specialistëve dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë: sot, e hënë17 maj, në orën 19,  do të shqyrtohen mundësitë politike të vitit 2021 për  të bërë  ndryshime si dhe përgatitjet për takimin e rangut të lartë COP15 të OKB-së, kushtuar Biodiversitetit si dhe takimin kushtuar Klimës COP26. 

Të martën, 18, në orën 14, do të jenë në qendër të vëmendjes veprimtaria  e Universiteteve dhe institucioneve të mbarë botës, që e përfshinë Laudato si’ në programet e tyre formuese.  Leader të institucioneve të njohura nga mbarë bota do të shkëmbejnë përvojën praktike dhe propozimet lidhur me mënyrën e përdorimit të tekstit, për t’i frymëzuar studentët.

Tema e veprimtarisë organizuar për të mërkurën, 19 maj, në orën 15, do të jetë: “Ekonomia, Lëndët djegëse fosile dhe të Drejtat Njerëzore”, për të tërhequr vëmendjen tek vijat udhëheqëse, që kanë të bëjnë me disinvestimin mbi energjinë fosile të Vatikanit si dhe mbi angazhimin e fesë e dizinvestimin katolik më të madh ndërmarrë deri më sot.

Të enjten, 20, në orën 15,  webinari titullohet: “Të mbjellim shpresë për Planetin / Rrjet lutjesh për kujdesin ndaj krijimit”. Protagonistë të këtij sesioni do të jenë rregulltarë e rregulltare të angazhuar për ta bërë të njohur “Laudato Si', të cilët do të shkëmbejnë histori kthese ekologjike, si personale ashtu edhe komunitare.

Dialogë on line dhe çaste lutjeje, deri më 25 maj

Të premten, 21 maj, me rastin e Ditës Botërore  të Veprimit për Shtëpinë tonë të përbashkët, do t’u drejtohet një thirrje individëve, bashkësive dhe istitucioneve të mbarë botës për organizimin e një aksioni konkret kushtuar kujdesit për Planetin, duke filluar nga nismat, për të vijuar me aksionet edukative e me takimet e lutjes.

Të shtunë, 22, në orën 19, do të jetë çasti i Festivalit Laudato Si “Këngë për Krijimin”, në të cilin do të vihet theksi mbi biolarminë e humbur në botë dhe pasojat e saj,  duke u përqendruar mbi problemet e biolarmisë në zonat ku jetojnë artistët e muzikantët. Gjatë kësaj ngjarjeje do të reflektohet për Mesazhin e Vatikanit, kushtuar Ditës Botërore të Biolarmisë do të shpallen fituesit e konkursit fotografik “Çasti Laudato Si’ dhe të konkursit “Historia e Laudato Si’”.

Të diel,  23, në orën 15, parashikohet Takimi i lutjes nga Asizi e Roma, për mbylljen e  Përvjetorit të Posaçëm të Laudato Si’, me lutjen drejtuar Shpirtit Shenjt që t’i prijë angazhimit të Kishës për kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët, si dhe dorëzimi i një Mandati Misionar  aktivistëve lokalë të Laudato Si' dhe  aktivistëve të tjerë baritorë, që të shkojnë e ta predikojnë  Ungjillin e Krijimit në të katër anët e globit. Kremtimin do ta kryesojë  prefekti i Kongregatës për  Ungjllëzimin e Popujve.

Të hënën, 24, në orën 23.30, një tryezë e rrumbullakët do të reflektojë  për përdorimin e ujit dhe shërbimet higjieno-sanitare në strukturat shëndetësore katolike, me pjesëmarrjen e kardinalit Peter Turkson, prefekt i dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

Së fundi, të marten, 25 maj, shpallja zyrtare e Platformës të Nismave Laudato Si'.

Enciklika “Lëvduar qofsh” u botua me 2015

Papa Françesku në Enciklikën ‘Lëvduar qofsh’ pohon se mbrojtja e shtëpisë sonë të përbashkët nuk lidhet vetëm me ambientin, por përfshin ekologjinë e gjithanshme, shqetësimin për drejtësinë,  kujdesin për të varfërit, impenjimin në shoqëri si dhe gëzimin e  paqen e shpirtit.

Ta bashkojmë mbarë familjen njerëzore në kërkim të një zhvillimi të qëndrueshëm e të gjithanshëm, përmes dialogut mbi mënyrën e ndërtimit të ardhmërisë së planetit e, sidomos, me sigurinë se gjërat mund të ndryshojnë, pohon Papa e shton: “Krijuesi, nuk bën hapa mbrapa në planit e Tij të dashurisë, nuk pendohet që na krijoi. 

Kur u botua më 2015, gjashtë vjet më parë, shumëkush e pati të qartë se enciklika  e Papёs Françesku “Lëvduar qofsh” do të linte gjurmë të thella jo vetëm në Doktrinën shoqërore të Kishës, por edhe në proceset politike, ekonomike e, natyrisht, ekologjike të shoqërive tona të globalizuara. Gjashtë vjet më pas, edhe në dritën e përvojës dramatike të coronavirusit, kemi tashmë prova, nga njëra anë për intuitën profetike të tekstit, e nga ana tjetër, për forcën e tij. Një gjallëri e tillë e bën të dalë nga faqet prej karte ose nga ekranet, për t’u shndërruar në jetë të jetuar si në nivelin ndërkombëtar e civil, ashtu edhe në atë të Kishës universale e të bashkësive kishtare lokale.

Frytet e “Lëvduar qofsh”

Frytet e dokumentit të Papёs Françeskut janë një mori procesesh afatgjata, që i hapin rrugën zhvillimeve të reja në të gjitha fushat e prekura nga Enciklika. E nuk është e rastit që Papa Françesku shpalli një vit të veçantë, në pesëvjetorin e botimit, për të reflektuar pikërisht për Enciklikën.

Enciklika “Laudato si’”  nuk lindi papritur e pa kujtuar, por në gjurmët e papnive të Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI.

E reja që sjell “Lëvduar qofsh”, është aftësia për t’i lidhur aspektet, që më parë trajtoheshin në mënyrë të veçantë. Nuk është rastësi, prandaj, që ndërmjet shprehjeve më të përdoruara, është “ekologjia e gjithanshme”, që përbën zemrën e saj dhe është bërë tashmë slogan, ngaqë na kujton se nuk ekzistojnë dy kriza të veçuara, por një e vetme, komplekse: “kriza shoqërore-ambientale”.

Lidhen ngushtë, pra, kriza shoqërore me atë ambientale; kriza ekonomike, me atë politike; kriza kulturore, me atë shpirtërore.  “Laudato sì’ - siç shkruhet kohët e fundit, nuk është tekst për t’u mësuar, por “burim frymëzimi e kuadër orientues i një projekti, që e sqaron hap pas hapi, atë që vihet në jetë”. 

17 maj 2021, 12:45