Kërko

Vatican News
Një muaj me Marinë Një muaj me Marinë 

Maria dhe një histori që vjen nga shkretëtira

Në javën e meditimit për rrënjët e devocionit ndaj Virgjërës Mari, treguar përmes anekdotave e historive të kthimit në fenë e Krishtit, kardinali Angelo Comastri ndalohet tek tregimi i shkrimtarit Carlo Carretto, frat i Vëllezërve të Vegjël të Krishtit. Nisma është e Telepaces, realizuar nga Vatican News.

R. SH. - Vatikan

Duke vijuar rrëfimet e tij lidhur me devocionin për Virgjërën Mari, Kardinali Comastri kujtoi një anekdotë, që lidhet me jetën e Carlo

Carretto-s. Ky rregulltar qe protagonist i krishterimit në shekullin e kaluar. Pasi luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e të rinjve, qe kryetar i GIAC (Rinisë Italiane të Veprimit Katolik). Më pas, siç kujtoi kardinali Comastri, u tërhoq në shkretëtirën e Saharës, ku iu kushtua plotësisht jetës kundruese, në gjirin e Vëllezërve të Vegjël të Jezusit, bashkësi e frymëzuar  nga figura e Charles de Foucauld. Gjatë këtyre viteve do ta tregonte  përvojën e tij përmes disa librave. Më i njohuri, titullohet: “Letra nga shkretëtira”.

Maria dhe një histori që vjen nga  shkretëtira

Në shkrimet e Carretos lexojmë edhe rrëfimin e takimit të tij me dy të fejuar. Çiftit të të rinjve, që sapo i kish njohur, Carlo i premtoi se do të lutej për ardhmërinë e të dyve, ndonëse nuk ishin të krishterë. E, si bëri këtë premtim, u nda  prej tyre. Pas disa vjetësh u rikthye në këtë fshat. E sapo shkeli në trojet e tij, iu kujtua menjëherë çifti dhe premtimi i dhënë, të cilin edhe e kishte mbajtur. Kureshtar për fatin e të rinjve, pyeti menjëherë për ta. Mori vesh, me hidhërim të thellë, se vajzës, sipas ligjit islamik, i qe prerë koka, sepse kishte mbetur shtatzënë para se të martohej. Atë natë, thellësisht i tronditur, vëllai Carlo pati një shoqërim idesh. I shkoi menjëherë mendja te Maria e tek fati që do të kish pasur në kohën e saj, nëse do të kish pohuar se ishte shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt!  “Sa mirënjohës duhet t’i jemi Marisë - pohoi kardinali Comastri - për atë ‘po’, që e tha aq vendosmërisht në atë kohe, e cila nuk ishte koha jonë! Një ‘po’ guximtare, kundër çdo logjike njerëzore, e sidomos, në kundërshtim të plotë me zakonet e shoqërisë së epokës”.

08 maj 2021, 09:40