Kërko

Prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Turkson Prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Turkson

Klima, kardinali Turkson: Papa ftohet në Cop26 të Glasgow

Prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor paraqet “Platformën e Nismave Laudato Si’”, një projekt, që për shtatë vjet me radhë, do të impenjojë dioqezat, institutet fetare, kompanitë, shkollat dhe spitalet, në krijimin e një stili të qëndrueshëm jetese. “Shpresojmë që Papa të marrë pjesë në Cop26, në Glasgow”

R.SH. - Vatikan

Për të dalë nga kriza e ambientit, duhet ta ndryshojmë stilin e jetesës. Këtë nënvizon gjithnjë Papa Françesku, duke kërkuar t’u garantohet brezave të rinj “një e ardhme e drejtë dhe e qëndrueshme”. Vetë Ati i Shenjtë Bergoglio është ftuar të marrë pjesë në konferencën COP26, planifikuar për nëntorin e ardhshëm në Glasgow të Skocisë. Kështu njoftoi dje prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Turkson, në konferencën për shtyp, gjatë së cilës u paraqit Platforma e Nismave Laudato Si’, në përfundim të Vitit kushtuar enciklikës papnore mbi ekologjinë njerëzore.

Seriozitet për temën e Gjithësisë

Prania e mundshme e Papës, pohoi prelati, do të ishte shenjë thelbësore për pjesëmarrësit në Takim: “Qeveritë duhet të impenjohen për këtë problem”, deklaroi kardinali Turkson për Vatican News. “Që nga Cop21 e vitit 2015, në Paris, çdo vend ftohet të impenjohet, secili, sipas mundësive të veta. Kemi nevojë që dikush të dëshmojë seriozitet për temën e Gjithësisë së krijuar nga Zoti. Siç shkruan Papa në enciklikën ‘Laudato Si’’, nuk është fjala për të mbledhur informacion, por për ta ndarë vuajtjen me të varfërit. E prania e mundshme e Papës shpresojmë që t’i bëjë krerët politikë e jo vetëm ata, ta kuptojnë këtë”.

26 maj 2021, 13:17