Kërko

Vatican News

Kardinali Ladaria u shkruan ipeshkvijve të SHBA-ve: dialog e bashkim

Kardinali Luis Ladaria, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, i përgjigjet kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, imzot José Horacio Gomez. Debati mbi kungimin dhe abortin të mos çojë drejt përçarjes

R.SH. - Vatikan

Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Luis Francisco Ladaria i shkroi të premten e kaluar kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, imzot José Horacio Gomez, duke u kërkuar ipeshkvijve amerikanë të vijojnë diskutimet për formulimin e një politike kombëtare, “që trajton çështjen e katolikëve në detyra publike, të cilët mbështesin legjislacionin në favor të abortit, eutanazisë, ose të këqijave të tjera morale”.

A mund ta marrin Kungimin shenjt politikanët katolikë, që e mbështesin një legjislacion të tillë? Çdo diskutim mbi këtë temë, shkruan kardinali Ladaria, “duhet trajtuar në një kornizë më të gjerë”, ku debatohet nëse janë të denjë të gjithë besimtarët e jo vetëm një kategori katolikësh për të marrë kungimin, “duke reflektuar mbi detyrimin e tyre për t’ia përshtatur jetën krejt Ungjillit të Jezu Krishtit, ndërsa përgatiten për Sakramentin”.

Magjisteri i kardinalit Ratzinger

Letra e kardinalit Ladaria është përgjigje për kryeipeshkvin Gomez, i cili, në mars, i shkroi Kongregatës për ta njoftuar se ipeshkvijtë e SHBA-ve do të diskutonin mbi këto çështje. “Do të ishte çorientuese, nëse ndonjë deklaratë do të jepte përshtypjen se aborti dhe eutanazia janë problematikat e vetme të rënda në mësimin katolik moral dhe shoqëror, që kërkojnë ndërhyrjen e Kishës”, lexohet në letrën e kardinalit.

Kardinali Ladaria i referohet Notës Doktrinore të vitit 2002, me titull “Për disa çështje lidhur me pjesëmarrjen e katolikëve në jetën politike”, botuar kur prefekt i ish - Sant’Uffizio ishte kardinali i atëhershëm Joseph Ratzinger. Më pas, i përgjigjet kërkesës që Kongregata të vërë në dispozicion një kopje të letrës dërguar në vitin 2004 nga prefekti i atëhershëm, kardinali Joseph Ratzinger, ish-kardinalit Theodore McCarrick, për të njëjtat tema. Por dokumenti i nënshkruar nga kardinali Ratzinger, Papa i ardhshëm Benedikti XVI, është “në formën e një letre private për ipeshkvijtë” dhe jo për publikim, prandaj, shpjegon prefekti Ladaria në letrën e datës 7 maj, Kongregata për Doktrinën e Fesë “do të vazhdojë ta respektojë këtë dëshirë”.

Ipeshkvijtë të mos përçahen

Kardinali vë në dukje se nota doktrinore u diskutua në vitin 2004, gjatë vizitës “ad limina” të ipeshkvijve amerikanë. “Ishte e qartë – nënvizon prefekti Ladaria - se ndërmjet ipeshkvijve nuk kishte marrëveshje mbi çështjen e marrjes së kungimit” dhe “një politikë kombëtare” në këtë fushë nuk ishte ende në diskutim.

Në letër, Dikasteri vatikanas sugjeron dialog. Së pari, ndërmjet vetë ipeshkvijve e, më pas, ndërmjet ipeshkvijve dhe politikanëve katolikë, që janë për legjislacionin në favor të abortit, eutanazisë e çështjeve të tjera morale, konsideruar të papranueshme nga Kisha Katolike. Ipeshkvijtë, shkruan kardinali Ladaria, duhet të pohojnë, në emër të Konferencës, se “ata që përfshihen drejtpërdrejt në organet legjislative kanë detyrimin e rëndë, por të qartë, t’i kundërvihen çdo lloj ligji, që godet jetën e njeriut”.

Kryeipeshkvi Gomez ia dha letrën e kardinalit Ladaria secilit prej ipeshkvijve të SHBA-ve, më 8 maj, siç kërkohej. Vuri në dukje se prefekti “u siguron materiale të mëparshme dhe një këndvështrim të rëndësishëm, të dobishëm për lutjen e vazhdueshme dhe për shqyrtimin e kësaj çështjeje”.

12 maj 2021, 14:25