Kërko

Vatican News

Papa reformon Kodin e së Drejtës Kanonike në lëndën e dënimeve penale në Kishë

Me Kushtetutën Apostolike “Pascite Gregem Dei”, Papa Françesku reformon Librin VI të Kodit të Ligjit Kanonik të Kishёs. Një punë rishikimi e reforme qё filloi me Benediktin XVI. Sanksionohen figura tё reja kriminale. Teksti i ri është një mjet korrigjues më i thjeshët, për t’u përdorur menjëherë për t’i "shmangur të këqijat më tё rёnda dhe për t’i shëruar plagët e shkaktuara nga dobësia njerëzores”. Teksti i reformuar hyn në fuqi duke nisur nga 8 dhjetori i ardhshëm.

R.SH. - Vatikan

“Kulloteni grigjën e Zotit, duke e ruajtur, jo pse jeni të detyruar, por me dëshirë (vullnet), ashtu si i pëlqen Zotit” (krh 1 Pj 5,2). Fillon me këto fjalë të Shën Pjetrit Apostull, Kushtetuta Apostolike “Pascite Gregem Dei” (Kulloteni Grigjën e Zotit) me të cilën Papa Françesku reformon Librin VI të Kodit të së Drejtës Kanonike lidhur me dënimet penale në Kishë. Teksti i reformuar  hyn në fuqi duke nisur nga 8 dhjetori i ardhshëm.

“Ky tekst - pohon Papa - është mjeti më i përshtatshëm për të shpëtuar e për të qortuar, për të shmangur sëmundjet më të rënda e për të  mjekuar plagët, e shkaktuara nga ligështia njerëzore”. E kjo, sepse shumë dëme u shkaktuan nga mungesa e perceptimit të marrëdhënieve intime ekzistuese në Kishë, ndërmjet ushtrimit të dashurisë së krishterë dhe disiplinës.

Prej këndej, u bënë “modifikime nga më të ndryshmet të së drejtës në fuqi”. Përveç kësaj teksti - shpjegon Papa - u përmirësua ndjeshëm, posaçërisht  në aspektet themelore të drejtësisë penale, siç është për shembull, e drejta e mbrojtjes, normat e veprimtarisë penale, përcaktimi më i saktë i dënimeve etj etj. Teksti u përmirësua edhe në këndvështrimin teknik. E posaçërisht, lidhur me aspektet themelore të së drejtës penale, siç është e drejta e mbrojtjes. Për t’u vërejtur, se ipeshkvijtë kanë përgjegjësinë t’i bëjnë të njohura këto norma, duke nënvizuar  se “dashuria e krishterë e mëshira kërkojnë që Ati të angazhohet për ta drejtuar edhe çka nganjëherë bëhet e shtrembër, për të mirën e atij, që gabon”.

Parashikohen edhe dënime të reja, si dëmshpërblimi, reduktimi ose heqja e plotë e shpërblimit kishtar, sipas rregullave të caktuara nga Konferencat e ndryshme Ipeshkvnore.

Përsa u përket shpëdorimeve mbi të miturit, ka një risi, që vë në dukje sa i rëndë është ky krim: këtyre shpërdorimeve u kushtohet Kapitulli: “Krime kundër jetës, dinjitetit dhe lirisë së njeriut”. Përfshihet në të, krimi i shpërdorimeve mbi të miturit i kryer jo vetëm nga klerikët, por edhe nga anëtarët e instituteve të jetës rregulltare e nga besimtarë të tjerë. Edhe lidhur me të drejtën e pronësisë ka të reja, që kërkojnë transparencë e drejtim korrekt në administrimin e pasurive.

“E drejta penale ka rëndësi edhe për të mbrojtur bashkësinë e besimtarëve, për t’i dhënë fund shkandullit të shkaktuar e, prej këndej, për të vënë në vend dëmin.

Aspekti i  tretë është t’u krijojë autoriteteve  mjetet juridike, që të munden t’i parandalojnë me kohë krimet, t’i përmirësojnë sjelljet e të shmangin edhe dëmin,  që Papa e përmend në Kushtetutën apostolike.

01 maj 2021, 16:07