Kërko

 Maddona di Fatima Pellerinaggio a Nicaragua. Giubileo mariano, 2020.01.28 Maddona di Fatima Pellerinaggio a Nicaragua. Giubileo mariano, 2020.01.28

Festa e Zojёs sё Fatimёs

Si sot, të dielën më 13 maj të vitit 1917, për herë të parë në shekullin e XX, Zoja e Bekuar iu dukë tre barinjve të vegjël, Lucisë së Jezusit, Françeskut e Gjaçintos, të cilëve u la një mesazh të rëndësishëm shpirtëror për mbarë njerëzimin.

R.SH. - Vatikan

Si sot, të dielën më 13 maj të vitit 1917, për herë të parë në shekullin e XX Zoja e Bekuar iu dukë tre barinjve të vegjël, Lucisë së Jezusit, Françeskut e Gjaçintos, të cilëve u la një mesazh të rëndësishëm shpirtëror për mbarë njerëzimin. Pra, më datën 13 maj 1917, për herë të parë në shekullin e XX, në livadhet e Kova d’Iria, ku tre fëmijë: Luçia, Gjaçinta e Françesko, kullosnin grigjat e tyre, u duk për herë të parë Virgjëra Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore. Për herë të fundit Zoja, që tashmë njihet me emërtimin “e Fatimës” u duk 13 tetor 1917, kur njerëzimi ishte i mbytur në gjakun e Luftës I Botërore. U foli tre barinjve të vegjël, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje, flijime e pendesë, që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave

Ipeshkvi i Leira-s, pat pohuar se mesazhi i Fatimës “përmbledh një doktrinë aq të gjerë sa që mund të pohohet se nuk i shpëton asgjë prej temave themelore të fesë sonë të krishterë...”

E mesazhi që Virgjëra Mari u përcolli barinjve të vegjël  e të thjeshtë në Fatima atë vit të paharrueshëm 1917 mbetet  aktual, sepse është mesazhi i paqes e i dashurisë ungjillore. Pra, është mesazhi i përhershëm, do të thotë mesazhi i Ungjillit. Jezusi, në fillim të jetës së tij publike, siç lexojmë në Ungjillin e Shën Markut, pati thënë “Pendohuni e besoni në Ungjill!”. Kjo pra është edhe thirrja që Nëna e Krishtit ua besoi tre barinjve të vegjël: Luçisë, Françeskut e Gjaçintës, në dukjet e saj në Fatima.

Siç dihet, për herë të parë Zoja e Bekuar Virgjëra Mari u duk më 13 maj 1917. Pastaj u duk edhe pesë herë të tjera, deri më 13 tetor të këtij viti, vit tragjik gjatë të cilit Evropa mbytej në gjakun e Luftës I Botërore. Mesazhi i parë i Virgjërës Mari ishte ftesë për lutje e pendesë, për shpëtimin tokësor e qiellor të bijve të saj.

E nuk duhet të harrojmë se mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi Luçisë, Françeskut e Xhaçintës, në vijim të atij të Lurdës, ishte një thirrje e fortë për lutje e pendesë; mesazh vërtetë profetik, duke pasur parasysh shekullin XX, shekull i shkatërrimeve të pashembullta, të shkaktuara nga luftërat e nga regjimet totalitare si dhe nga persekutimet e panumërta kundër Kishës

Me rritjen e devocionit marina, pra, të nderimit të Virgjërës Mari, që lidhet me këtë ngjarje, Papët ia kanë besuar shpesh njerëzimin pikërisht mbrojtjes amnore të Shën Marisë Virgjër, e cila iu duk tre barinjve vegjël e të thjeshtë Luçisë, Françeskut dhe Xhaçintës. Në veçanti, Papa shën Gjon Pali II e ndjente veten shumë të lidhur me këtë datë, në të cilën, në vitin 1981, siç thoshte vetë, një dorë armatosi Ali Agçain për t’i bërë atentat Papës, një tjetër, ajo e Zojës, drejtoi plumbin, që përshkoi gjithë trupin, pa prekur rëndë organe jetësore të Wojtilles.

“Të falemi Mari, Shenjta Mari”. “Të falemi Mari, Shenjta Mari”. Kështu kërcenin e luanin, duke ruajtur me një sy grigjën, tre barinj të vegjël portugezë, 103 vjet më parë në Fatima. Rruzarja simpatike “e shkurtuar” e Luçisë, Françeskut dhe Xhaçintës është tashmë një faqe historike e tregon për tri zemra të pastra, në të cilat, Maria, e thirrur mes lojërave, me thjeshtësinë e pabrengosur të fëmijëve, vendos të shkojë për të banuar. Tri zemra si tri shtëpi të panjollosura nga bota, nga ku ndërhyn për të zgjuar ndërgjegjen e atyre njerëzve, të cilët, që prej dy vjetësh, kishin filluar gjakderdhjen më të madhe në histori. Njerëz, të cilët në vend që t’i luten Nënës qiellore, shkëpusnin miliona bij nga kraharori i nënave tokësore, për t’i hedhur në llogoret e Luftës I Botërore, si mish për top.

Pushteti i Rruzares për t’u kthyer zemrat atyre, që i përdorin njerëzit si ushtarë në lojën e tyre për pushtet. Por, dukjet e Zojës në Fatima, fjalët e saj, nuk shërbejnë vetëm për atë periudhë. Përshkojnë si mesazh universal, historinë e viteve ‘900. Që nga ai 13 maj 1917, rreze force e dhembshurie mariane hedhin dritë përtej horizontit njerëzor. Shenjtërimi i Gjon Palit II, më 2014, na e kujtoi lidhjen e tij të fuqishme me Virgjërën e Fatimës. E ishte pikërisht Papa, që së bashku me Kishën, kapërceu pragun e Mijëvjeçarit të tretë, në një udhëkryq shpresash për të ardhmen, ai që ia kushtoi shekullin e ri Nënës së Zotit, me fjalë të paharrueshme, që i shqiptoi më 8 tetor 2000, në Jubileun e ipeshkvijve:

“Duam sot të të besojmë të ardhmen që na pret,
duke t’u lutur të na shoqërosh në rrugën tonë.
Jemi burra e gra të një epoke të jashtëzakonshme,
sa interesante dhe emocionuese, aq edhe të pasur me kontradikta.
Njerëzimi zotëron sot mjete me fuqi të paparë:
Mund ta kthejë botën në kopsht me lule,
ose ta shndërrojë në një grumbull rrënojash (…)
Sot, si kurrë në të kaluarën,
njerëzimi ndodhet në udhëkryq.
E, edhe një herë, shpëtimi është i gjithi dhe vetëm
o Virgjër e Shenjtë, në birin tënd, Jezusin.

Që atëherë, “e ardhmja” për të cilën fliste Papa, ka shkruar shumë vjet histori e akoma, në shumë anë të botës, shtohen rrënoja, që ende nxjerrin tym. Por një oktavë nën zhurmën shurdhuese të shpërthimeve moderne të kamikazeve, të autobombave, të predhave lëshuar nga avionë-dronë të sofistikuar, reziston pëshpëritja zë ulët e milionave, që ashtu si tre barinjtë e Fatimës, çdo ditë, i lartojnë Zojës lutjen “Të falemi Mari, Shenjta Mari”, që bota të ketë akoma shpresë në të ardhmen. Ky është besimi, që më 13 tetorin e vitit 2014, Papa Françesku e shprehu për të gjithë, në Ditën mariane të Vitit të Fesë:

“Jemi të sigurt se secili prej nesh është i çmuar për sytë e tu
E se asgjë s’është e huaj për ty, nga gjithçka banon në zemrat tona.
E lemë të na prekë vështrimi yt i ëmbël
e marrim përkëdheljen ngushëlluese të buzëqeshjes tënde.
Ruaje jetën tonë në krahët e tu:
bekoje dhe përforcoje çdo dëshirë të mirë;
përtërije dhe ushqeje fenë;
mbështete dhe shndrite shpresën;
zgjoje dhe gjallëroje dashurinë;
na udhëhiq të gjithëve në udhën e shenjtërisë”.

13 maj 2021, 09:56