Kërko

Vatican News

Dita Botërore e Komunikimeve Shoqërore 2021: “Eja e shiko!”

“Eja e shiko, të komunikosh duke i takuar njerëzit si e ku janë” . Kjo është tema e Ditës së 55-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që kremtohet të diel, më 16 maj. Papa Françesku zgjodhi fjalët e Filipit Apostull, për të kujtuar se ngjarjet mund të kuptohen vetëm nëse e njohim jetën e të tjerëve, duke marrë pjesë në të.

R.SH. - Vatikan

Tema që zgjodhi Papa për Ditën Boterore të Komunikimeve Shoqërore 2021 shpreh, në një farë mënyre, ftesën “Eja e shiko!”, që e lexojmë në Ungjillin e katërt. Këtë ftesë Jezusi ia drejton Filipit, duke e ftuar të shkojë e t’ua kumtojë fenë të tjerëve. E me të, edhe Natanaelit të cilit, pas dëshmimit të fesë, i thotë: “Të pashë para se të thërriste Filipi” (Gjn 1,48). Shprehet, kështu, mendimi se çdo besimtar duhet të marrë pjesë në veprimtarinë e komunikimit. Me besimin se hiri i Zotit vepron përmes mjeteve njerëzore, ndërmjet të cilave, edhe ato teknologjike.

Papa Françesku, në mesazhin për Ditën, i falënderon të gjithë profesionistët e sektorit, që ditën “të shkojnë tek njerëzit, t’i shikojnë, të rrinë me ta, t’i dëgjojnë, të kapin shprehjet kryesore të  realitetit e t’u  krijojnë ndjekësve të tyre mundësinë për njohjen e menjëhershme  të situatave të vështira a të lëna në harresë”.

Nëse do të mungonin zërat e tyre, njerëzimi do të ndjehej shumë më i varfëruar - kujton në mesazh Papa - që ngulmon mbi këtë takim, i cili  “shkon duke kërkuar të vërtetën e ngjarjeve e të jetës së njerëzve”. E, nëse është e nevojshme, edhe duke vënë në jetë thirrjen “Eja e shiko”- që të gjithë të mund ta shikojnë e ta dëshmojnë sa vlera ka një komunikim i vërtetë”.

Edhe këtë herë, ashtu si në Mesazhin  IV për Ditën Boterore të Komunikimeve Shoqërore, Ati i Shenjtë Bergoglio ndjen nevojën për të kaluar nga ideja e komunikimit, në atë të tregimit. Sepse “në fillim ishte Fjala”, na kujton Ungjilli.  E Fjala, që na prin në rrugën e njohjes së historisë, duhet të na formojë, jo të na shkatërrojë; të na ndihmojë të gjejmë forcën për të ecur së bashku e jo të përçahemi e, sidomos, t’i shikojmë kohën, ngjarjet, njerëzit, me sytë e Zotit.     

15 maj 2021, 18:07