Kërko

Vatican News

Atë Francesk Jordani, themeluesi i Salvatorianëve, nesër shpallet i Lum

Figura e të Lumit të ardhshëm At Francesk Jordan- themeluesi i Salvatorianëve, në deshminë e rregulltarit shqiptar salvatorian, atë Artan Seli: në Kishë do të kërkojmë ndërmjetësinë e tij për nevojat tona personale e mbi të gjitha nevojat e kongregatës. Atë Françesk Jordani do të na mbështesë ne në misionin dhe thirrjen tonë që të shpallim Shpëtimtarin kudo, të gjithëve, e me të gjitha mendësitë. Eshtë edhe një ftesë që me jetën tonë të shkojmë drejt shenjtërisë duke shikuar në shembull të themeluesit tonë.

R.SH. - Vatikan

Nesёr mё 15 maj, nё Bazilikёn e Shёn Gjonit në Lateran, nё Romё do tё kremtohet ceremonia e Lumturimit tё Atё Françesk Marisë së Kryqit Jordan (nё pagëzim mori emrin  Gjon Pagëzuesi), meshtar dhe themelues i Shoqërisë së Shpëtimtarit Hyjnor dhe të Kongregatës së Motrave të Shpëtimtarit Hyjnor († 1918). Meshёn e Lumnimit do ta kryesojë  Vikari i Papёs për dioqezën e Romës, Kardinali Angelo De Donatis.

Mbi figurën e jashtëzakonshme tё tё Lumit tё ardhshëm Atё Françesk Jordanit, nё mikrofonin e Radio Vatikanit Vatican News flet rregulltari shqiptar salvatorian Atё Artan Seli, nga famullia e Koplikut e kancelar i kuries sё kryedioqezёs sё Shkodёr-Pultit. Ta dёgjojmё:

Mbi figurën e tё Lumit tё ardhshëm Atё Françesk Jordanit, nё mikrofonin e Radio Vatikanit flet rregulltar shqiptar salvatorian Atё Artan Seli

Lumturimi është një ngjarje në të cilën Kisha Katolike e shpall se njeriu i cili e ka bërë një jetë shenjtërie është ne qiell. Për familjen rregulltare Salvatoriane ky akt shpalljeje si i Lum për At Francesk Jordanin- themeluesi i Salvatorianëve,  është miratimi i shenjtërisë së tij.

Falë kësaj Atë Françesku bëhet për ne një shembull për ta ndjekur, por edhe një ndërmjetës te Zoti. Në mënyrë zyrtare në Kishë do të kërkojmë ndërmjetësinë e tij për nevojat tona personale e mbi të gjitha nevojat e kongregatës. Me siguri Atë Françesk Jordani do të na mbështesë ne në misionin dhe thirrjen tonë që të shpallim Shpëtimtarin kudo, të gjithëve, e me të gjitha mendësitë. Me siguri është kjo edhe për ne një ftesë që me jetën tonë të shkojmë drejt shenjtërisë duke shikuar në shembull të themeluesit tonë. Siç ka thënë Atë Jordani: “ duhet të bëhem Shenjt. Le të më kushtojë kjo sa të dojë”.

Kush ishte Atë Francesk Jordani?

Johann Baptist Jordan (Gjon Françesk Jordan) lindi më 16 qershor 1848 në Gurtveil, në Baden të Gjermanisë. Në Pagëzim të Shenjt mori emrin Gjon Pagëzuesi. Vinte nga një familje e varfër por e lidhur me fenë. Në moshën 12 vjeçare ditën kur mori Kungimin e Parë mbi supet e tij erdhi një pëllumb. Më vonë e shpreh se përjetoi si një hir të veçantë që u bë një fillim i rrugës drejt meshtarisë. Rruga drejt meshtarisë ishte e gjatë dhe e vështirë, edhe nga mundësitë materiale të familjes.

Me 21 korrik 1878 mori shugurimin meshtarak, nga shkaku i kulturkamfit që mbizotëronte në Gjermani, pra duke fol ma shkurt lufta e shtetit me Kishën katolike, festa u bë me dyer të mbyllura, edhe Meshën e Parë është dashur ta kremtojë jo vetëm jashtë famullisë së vendlindjes, por edhe jashtë kufijve të vendit në afërsi të Zvicrës.

Meshtari 30 vjeçar Atë Jordani duke pas edhe një talent të gjuhëve të huaja, u dërgua prej ipeshkvit të tij në Romë për të mësuar gjuhët orientale. Kjo hapi përpara tij një mundësi të re dhe e çoi te përjetimet që e binden se Zoti e ka thirr në një mision të veçantë.

E rëndësishme ishte shtegtimi në Lindjen e Mesme ku u dërgua për të përmirësuar gjuhet. Në malet e Libanit, mori një hir të veçantë- si një shndritje, që i dha një siguri në të ardhmen. Si kurrë më parë dëgjoi fjalët nga Ungjilli i shën Gjonit: ,, E kjo është jeta e pasosur: që të njohin Ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë dhe atë që e dërgove Jezu Krishtin” (Gjoni 17,3)

Krejt prania e tij në Tokën e Shenjtë e sidomos duke vizituar shpesh Golgotën dhe varrin e Jezusit më në fund e bënë të vendosur për misionin e themelimit të Kongregatës.

Pasi mori bekimin e papës Leonit XIII me 8 dhjetor 1881 në kapelën e shën Brigitës në Romë bashkë me dy shokë themeloi në fillim Shoqërinë Apostolike të Mësimit.

Nuk deshi të themelojë një kongregatë tipike rregulltare, por një lëvizje që e angazhon në ungjillëzim jo vetëm meshtarët por edhe laikët në shkallë të ndryshme të lidhur me Kongregatën. Hierarkia e kishës e panë ndryshe dhe kërkuan nga ky themelues i ri për të paraqitur në mënyrë të qartë kushtet e funksionimit të kongregatës rregulltare.

Bindja qe kishte ndaj eprorëve të kishës, e çoi në përmirësimin e emrit të kongregatës në 1883 në kongregatë rregulltare me emrin ‘Shoqëria e Shpëtimtarit Hyjnor‘ ( Salvatorianët) Ne themelimin e kësaj kongregate të re mori edhe emrin Francesk Maria prej Kryqit Jordan. Me 8 dhejtor 1888 bashkë me Maria Tereza Von Vullenveber (te lumen Mari të Apostujve) të themelojë kongregatën e Motrave të Shpëtimtarit Hyjnor    (Salvatorianet)

Procesi i një rritje shpirtërore dhe lindjen e misionit, porositë e shumta per bijtë dhe bijat e tij shpirtëror, themeluesi e tregoi më së miri në “ditarin shpirtëror” që Atë Jordani  e udhëhoqi me 1875. Ne 1898, kjo kongregatë e re mori një propozim nga Selia e Shenjtë për të shkuar në Assam të Indisë ku edhe është fillimi i misionit të parë. Fillimet e këtij misioni u bënë shumë të vështira, vdekja e misionarëve prej kushteve të klimës dhe të tërmetëve, mund të themi e shkatërroi atë që në fillim pati ndërtuar, ishin një provë e madhe.

Edhe pse duke pas një grup te vogël të meshtarëve dhe vështirësitë nga ana  ekonomike filloi një zgjerim i Kongregatës ku filloi të përhapë vende te reja misionesh. Pra gjate jetës se tij themeloi në 14 shtete te ndryshme misionin e Salvatorianëve, e ishte kjo një besim I thelle ndaj provanisë së Zotit, kurajos dhe qëndresës.

Francesk Maria prej Kryqit Jordan lindi për qiellin  ditën e festës së Lindjes së Zojës me 8 shtator 1918 ne Tafers të Zvicrës. Në vitin 1956 eshtrat e tij i sollën në Romë te shtëpia Gjenerale.

Procesi për lumturimin e tij nisi qysh në vitin 1942. Në vitin 2011 u dha dekreti për virtytet heroike dhe me 19 qershor 2020 Selia e Shenjtë e aprovoi mrekullinë me ndërmjetësinë e Atë Jordanit.

Kjo mrekulli ndodhi më 2014 në Brazil ku një çift që priste një fëmijë mori vesht se vajza e tyre do të lindë me deformim të kockave. Familja dhe krejt familja Salvatoriane filloi të lus me ndërmjetësinë e Atë Jordanit dhe kjo vajze Livia pikërisht me 8 shtator në ditëlindjen në qiell (vdekjen) të Atë Jordanit lindi pa asnjë problem.

Kremtimi I lumturimit te Atë Françesk Maria prej Kryqit Jordan do te jete me 15 maj 2021 në bazilikën e shën Gjonit në Lateran në Romë. Si nje kongregate e themeluar prej Atë Francesk Maria prej Kryqit Jordan jetojmë sipas virtytëve ungjillore: pastertia, varferia dhe bindja. Në mënyrë të vecante jemi te angazhuar ne apostolat. Me kombësi të ndryshme, kulturë të ndryshme, gjuhë të ndryshme, bëjmë që të mund të arrijmë tek të gjithë dhe kudo.

Jemi nëpër famulli, shkojmë në misione, kujdesemi për të rinjtë, merremi me ushtrime shpirtërore nëpër famulli, ushtrime shpirtërore të mbyllura, jemi të pranishëm nëpër universitete, angazhohemi për të sëmurët, të varfrit, pra karizma jone është universale. Bashkë me ne Familjen Salvatoriane e formojnë: Kongregata e motrave të Shpëtimtarit Hyjnor (Motrat Salvatoriane) dhe Salvatorianët laike. Socetatis divini salvatoris – emri nga latinishtja -  Shoqëria e Shpetimtarit Hyjnor (Salvatorianët) shkurt SDS.

Në Shqipëri jemi të pranishëm nga 8 shtatori 1994 ku në fillim erdhën motrat Salvatoriane e me pas edhe meshtarët. Jemi te pranishëm ne Bilaj te Fushe Krujës, Rragam, Sheldi, dhe ne Koplik. Mbi të gjitha shërbejmë në famulli ku shpallim Jezu Krishtin shpëtimtarin e botës në të gjitha mënyrat. Përpiqemi të jemi besnik Kishës dhe ndaj themeluesit tonë ku na ka lënë si testament fjalët: ,, për derisa të jetosh në këtë tokë, nëse ndokush nuk e njeh dhe nuk e don Jezu Krishtin Shpëtimtarin e botës, nuk të lejohet të pushosh”.

14 maj 2021, 11:56