Kërko

Vatican News

Kardinali Turkson: objektivi, shërbim shëndetësor në gjithë botën

Ndërvarësia e dëshmuar nga pandemia dhe çështja e qasjes së barabartë në sistemin shëndetësor, në qendër të mesazhit të prefektit të Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, që kremtohet sot: pandemia e ka thelluar hendekun ndërmjet vendeve të ndryshme, urgjent “harmonizimi i të drejtës për shërbimin shëndetësor”

R.SH. - Vatikan

“Të ndërtohet një botë më e drejtë dhe më e shëndetshme”: kjo është parrulla e zgjedhur për Ditën Botërore të Shëndetit 2021. Pasi u themelua nga OKB-ja në vitin 1948, ajo kremtohet çdo vit, më 7 prill, me synimin për të ndërgjegjësuar botën mbi çështjet më urgjente në shëndetësi.

Pandemia i thellon pabarazitë

Tema e propozuar nga OKB-ja është tejet urgjente, pasi pandemia e Covid-19 i ka shtuar pabarazitë ekzistuese në shërbimet shëndetësore e, njëkohësisht, ka vënë në dukje se askush nuk është i sigurt, për sa kohë të mos jenë të sigurt të gjithë. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se rreziku i infektimit është më i madh pikërisht në ato zona, që nuk mbulohen akoma nga vaksinimi masiv i popullsisë.

Turkson: nevojitet shpërndarje e barabartë e strukturave

Pikërisht mbi këto tema përqendrohet mesazhi i kardinalit Peter K.A. Turkson, prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, i cili vë në dukje nevojën urgjente të eliminimit të pabarazive në shërbimin shëndetësor. Kardinali thekson se “pandemia e ka thelluar hendekun e madh ndërmjet vendeve” të pasura e të varfëra në këtë fushë dhe përmend fjalët e Papës Françesku, i cili kërkon shpërndarjen më të drejtë të strukturave shëndetësore dhe të burimeve financiare, sipas parimeve të solidaritetit dhe të subsidiaritetit”. Kardinali Turkson bën thirrje të rishikohet koncepti i shëndetit, si shëndet i gjithanshëm, duke përfshirë përmasën fizike, psikologjike, intelektuale, shoqërore, kulturore e shpirtërore të njeriut. Këtë duhet ta kenë mirë parasysh sidomos ata, që kujdesen për të sëmurët e të vuajturit. Edhe shëndeti, vëren kardinali në mesazh, duke përmendur një nga mësimet më të rëndësishme të pandemisë së koronavirusit, është e mirë e përbashkët, prandaj, duke u kujdesur për shëndetin e njërit, kujdesemi edhe për shëndetin e të tjerëve.

Të mbulohet e gjithë bota nga shërbimi shëndetësor

Më pas, prefekti vatikanas thekson nevojën për t’i shoqëruar psikologjikisht njerëzit në këtë pandemi. Vërtet, shëndeti mendor është sprovuar më tej në këtë periudhë. “Jemi gjymtyrë të një trupi të vetëm – kujton kardinali - të dashur nga një Dashuri e vetme”. Është e nevojshme – ky, mendimi i tij – që përgjegjësit e politikave ekonomike e shëndetësore t’u sigurojnë kushte më të mira pune punonjësve të shëndetësisë, duke i formuar profesionalisht dhe etikisht, duke promovuar parandalimin e sëmundjeve, kujdesin dhe edukimin për një shërbim shëndetësor të gjithanshëm.

Kardinali Turkson kërkon edhe një vëmendje të veçantë për strukturat shëndetësore të Kishës, që nuk marrin subvencione nga shteti, por që shpesh, janë të vetmet, që sigurojnë kujdesin për popullsinë, sidomos në vendet e varfra. “Për të ndërtuar një botë më të drejtë e më të shëndetshme – përfundon kardinali Turkson – është e nevojshme që e gjithë bota të mbulohet nga shërbimi shëndetësor”.

07 prill 2021, 16:20