Kërko

Vatican News

Selia e Shenjtë: nga 6 deri më 8 maj, konferencë ndërkombëtare për “të eksploruar mendjen, trupin e shpirtin”

Nga 6 deri më 8 maj, do të mbahet virtualisht Konferenca ndërkombëtare me titull: “Të eksplorojmë mendjen, trupin dhe shpirtin. Si e përmirësojnë shëndetin e njeriut shpikjet dhe sistemet e reja të shpërndarjes”

R.SH. - Vatikan

Këshilli Papnor për Kulturën dhe Fondacioni “Cura” (Kujdesi) organizojnë Konferencën ndërkombëtare me titull: “Të eksplorojmë mendjen, trupin dhe shpirtin. Si e përmirësojnë shëndetin e njeriut shpikjet dhe sistemet e reja të shpërndarjes”, që do të mbahet virtualisht nga 6 deri më 8 maj. Në takim, lexohet në një komunikatë, do të marrin pjesë mjekë, shkencëtarë, studiues të etikës, krerë të fesë, përkrahës të të drejtave të pacientëve, politikanë, filantropë dhe opinionistë, që do të diskutojnë mbi zbulimet e fundit në fushën e mjekësisë, të asistencës shëndetësore dhe të parandalimit të sëmundjeve, por edhe mbi kuptimin antropologjik e ndikimin kulturor të përparimeve teknologjike.

“Ndërtimi i urave ndërmjet shkencës dhe fesë”

Organizatorët vënë në dukje një tryezë të rrumbullakët mbi temën: “Ndërtimi i urave ndërmjet shkencës dhe fesë”, që synon të shqyrtojë pikat e përbashkëta të fesë e të përshpirtërisë me mirëqënien e shëndetin e njeriut, duke diskutuar edhe për lidhjen ndërmjet mendjes, trupit e shpirtit. Kjo do të ndihmojë në përcaktimin më të mirë të konceptit të njeriut në vetvete, duke përvijuar zona konvergjence ndërmjet shkencave humaniste dhe shkencave natyrore. Në përfundim të konferencës, Papa Françesku do t’u drejtohet të pranishmëve me një videomesazh. Organizatorët ftojnë të marrin pjesë meshtarët, punonjësit e shëndetësisë dhe studentët e universiteteve papnore e katolike nga mbarë bota.

15 prill 2021, 13:43