Kërko

Kardinali Comastri kremton Rruzaren në Bazilikën e Shën Pjetrit Kardinali Comastri kremton Rruzaren në Bazilikën e Shën Pjetrit 

Rifilloi Rruzarja e mesditës, kryesuar nga kardinali Comastri

Dje kardinali Comastri nisi ta kremtojë përsëri Rruzares në Bazilikën e Vatikanit: një takim i përditshëm, që e ndjekin besimtarë nga të katër anët e botës.

R. SH. - Vatikan

Rifilloi dje takimi i përditshëm me Rruzaren Shenjte, kryesuar nga kardinali Comastri. Thuhet si zakonisht, në orën 12.00, nga e hëna, tek e shtuna, në Bazilikën e Shën Pjetrit. E si zakonisht, lutja mariane kryesohet nga kardinali Comastri, mëkëmbës nderi i Papës për Qytetin e Vatikanit dhe kryeprift nderi i Bazilikës. Nuk është ndonjë nismë e re: pas ndërprerjes gjatë verës së kaluar, pati rifilluar më 12 nëntor 2020, për t’u ndërprerë përsëri më 30 dhjetorin e kaluar.

Në kulmin e Covid,  lutje lartuar Marisë për shëndetin e njerëzimit

Ideja për këtë takim të përditshëm lindi që në valën e parë të pandemisë, më 11 mars 2020, për t’i kërkuar Zotit, përmes ndërmjetësimit të Marisë, ndihmë e mëshirë, në një çast kaq të vështirë. E që asokohe nisi të ndiqej nga një numër shumë i madh besimtarësh, që mundën të marrin pjesë në lutje duke e ndjekur drejtpërdrejt kanalin e Vatican News si dhe kanalin italian të Radio Vatikanit,

Takim me shumë pjesëmarrës, në lutje të përbashkët

Më se një milion e gjysëm besimtarë ngarendën të parët për ta ndjekur Rruzaren e përditshme, që vijoi deri më 30 maj 2020, e dëshmi të panumërta  arritën në Vatikan për ndikimin që po ushtronte lutja në paqëtimin shpirtrave të trazuara nga sëmundja dhe kthimin e mëkatarëve në rrugën e Tënzot. Në përfundim të periudhës së parë, vetë kardinali Comastri, duke komentuar pjesëmarrjen e madhe, pati theksuar: “Kjo vërteton se problemet zgjidhen vetëm kur njeriu ia hap zemrën Zotit të gjithëpushtetshëm. Sepse pa Zotin, jeta është krejt  e kotë”.  

Ky, ndikimi i Rruzares Shenjte, që rifilloi e besimtarët në të katër anët e botës mund ta ndjekin përsëri nga Shën Pjetri. 

18 prill 2021, 11:22