Kërko

Kardinali Parolin Kardinali Parolin 

Parolin: vëllazërimi është botë, që di të ketë synime të përbashkëta

Kardinali sekretar i Shtetit të Vatikanit, duke folur në takimin web, titulluar “Vëllazërimi, Shumanshmëria e Paqja”, përqendruar mbi Enciklikën “Fratelli tutti”, pohon: “Pandemia nxit për reciprocitet lidhjesh, që duhet ta kapërcejnë izolimin e t’i bashkojnë individët dhe organizmat ndërkombëtare”. Ndërmjet organizatorëve të ngjarjes, edhe Misioni i përhershënm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, si dhe Komisioni ndërkombëtar katolik për Migrimet

R. SH. - Vatikan

Në sfond të fjalimit të kardinalit Pietro Parolin, mbajtur në takimin titulluar “Fratelli tutti: Vëllazërimi, Shumanshmëria e Paqja” - ishte  dëshira e vënies në qendër të vëmendjes të parimit të së mirës së përbashkët të familjes njerëzore, për ta realizuar të cilin duhet një mendim e një veprim më guximtar e edhe më krijues. E gjithë kjo përkon me angazhimin, për të cilin janë të thirrur - vërejti kardinali Parolin - pjesëmarrësit në takim, drejtorë të përgjithshëm e zyrtarë të lartë të OKB-së në Gjeneveë, si dhe ambasadorë të ndryshëm.  Është edhe detyrë e veprimtarisë diplomatike të shumanshme të Selisë së Shenjtë, së cilës Fratelli tutti u ofron një kontribut themelor. Për ta sqaruar konceptin e vëllazërimit, në bazë të enciklikës, sekretari i Shtetit rikujtoi fillesën e Papnisë së Françeskut kur, i sapo zgjedhur, pati thënë: “Të lutemi gjithnjë për ne; njëri për tjetrin. E të lutemi për botën mbarë, që të ketë shumë vëllazërim”. Françesku theksonte, kështu, “një kriter programatik” vendimtar - pohoi kardinali Parolin - për të kapërcyer dikotominë, apo ndarjen, posaçërisht aktuale në këto kohë pandemie, të kodit të frytshmërisë nga kodi i solidaritetit:

“Vëllazërimi na shtyn drejt një ‘kodi’ edhe më kërkues e më përfshirës; ‘Ndërsa solidariteti është parim i planifikimit shoqëror, që u krijon të ndryshëmve mundësinë të bëhen të barabartë, vëllazërimi u krijon  të barabartëve mundësinë të bëhen të ndryshëm (...). Në veprimtarinë e shumanshme, vëllazërimi shndërrohet në guxim e bujari, për të përcaktuar lirisht e vendosmërisht objektiva të përbashkëta e për të siguruar në të gjithë botën zbatimin e disa normave kryesore”.

Të mirat materiale u përkasin të gjithëve

Kardinali Parolin kujton çështjet themelore, që Selia e Shenjtë i shikon të  lidhura ngushtë me parimin e vëllazërimit:  problemet e mbrojtjes së shëndetit, të refugjatëve, të punës, të së drejtës ndërkombëtare  humanitare e të çarmatimit. Duke prekur temën e shëndetit, kardinali Parolin vërejti se  njerëzimi provoi një lidhje të pazgjidhshme, pasojë e pandemisë, duke e  ndjerë veten në të njëjtën varkë, në mes të dallgëve”, ndjesi, vendin e së cilës  sot e zu “nxitimi për vaksinimin dhe mjekimin në nivel kombëtar”. I pashmangshëm, hendeku ndërmjet mundësive të vendeve të zhvilluara e të atyre të pazhvilluara  në këtë drejtim kaq kritik:

“Selia e Shenjtë, përballë një problemi sistematik, si ky i mureve që pengojnë përdorimin e ilaçeve të domosdoshme për emergjencën  e sotme,  ofroi një sërë vijash udhëheqëse për ta përballuar këtë çështje, e frymëzuar nga vlera e vëllazërimit. Në çdo çast duket të përqendrohemi mbi parimin e së mirës së përbashkët. Mbi të ngulmonte Gjon Pali II, kur fliste për ‘hipotekën shoqërore”, me theksimin e fortë mbi parimin, sipas të cilit të mirat materiale u përkasin të gjithëve”.

Thirrje për globalizimin e solidaritetit

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujton se thirrjet drejtuar bashkësisë ndërkombëtare “për globalizimin e ri të solidaritetit”,  të vazhdueshme nga ana e Papës,  ritheksohen me forcë edhe te Fratelli tutti e vëren  se 70 vjet pas themelimit të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), numri dhe vuajtjet e refugjatëve, të shpërngulurve dhe migrantëve flet akoma për një plagë të hapur mbi trupin e botës. E më pas, vijon:

“Kjo lë të nënkuptohen problematika humanitare e shoqërore të thella. Në këtë kuptim, Selia e Shenjtë mirëpret vizionin e Global Compact mbi refugjatët, që synon të fuqizojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes ndarjes së përbashkët më të drejtë e më të parashikueshme të përgjegjësive, duke kujtuar njëkohësisht se rrugëzgjidhja e qëndrueshme ideale dhe e plotë është ajo e sigurimit të të drejtave të të gjithëve për të jetuar e për të përparuar me dinjitet, paqe e siguri në vendet e tyre të origjinës”.

Duhet një dialog shoqëror më përfshirës

Pasojë e masave parandaluese të pandemisë, mbi të cilën ndalet kardinali Parolin - është pastaj edhe kriza  e botës së punës, me ndikim tejet negativ mbi pagën e punëtorëve, posaçërisht atyre, që janë më të ligshtë. Në këto rrethana – nënvizon - duhet të nisë një dialog shoqëror më i gjerë e më përfshirës, në krahasim me format tradicionale:

“Bashkëpunimi i organizatave të punëtorëve dhe punëdhënësve është themelor,  por do të duhej të integrohej nga aktorë, që përfaqësojnë ekonominë informale dhe shqetësimet ambientale. Siç kujton ‘Fratelli tutti’, duhet menduar për pjesëmarrjen shoqërore e politikën ekonomike  në mënyra të tilla, që përfshijnë edhe lëvizjet popullore dhe gjallërojnë strukturat e qeverisjes vendase, kombëtare e ndërkombëtare me atë përrua energjie morale, që lind nga përfshirja e të përjashtuarve në ndërtimin e fatit të përbashkët”.

Respekt për të drejtën humanitare

Por është edhe një front tjetër - sipas kardinalit Parolin - në të cilin duhet punuar: e drejta humanitare. Duke folur për të, ai kujton Henry Dunant, themelues i Kryqit të Kuq, që bëri të veten britmën: “Të gjithë, vëllezër!”, për t’i ndihmuar të plagosurit, pa marrë parasysh në ç’llogore luftonin. Prej këndej lindi organizata e tij, e Kardinali pohoi se edhe sot duhen forcuar promovimi dhe respekti i së drejtës humanitare për mbrojtjen e popullsive civile në rrethana lufte e për t’i zhdukur armët, që shkaktojnë vuajtje të tmerrshme e krejt të kota. Me këtë rast, kardinali Parolin citoi Konventën e Gjenevës të vitit 1949, që  thekson parimin e vllazërimit, dhe vijoi:

“Selia e Shenjtë, e ndërgjegjshme për moskryerjen e detyrës dhe ngurrimet e vazhdueshme, shpreson se Shtetet do të mund ta zhvillojnë më tej të drejtën ndërkombëtare humanitare, me qëllim që t’i kenë mirë parasysh karakteristikat e ndeshjeve të armatosura bashkëkohore dhe vuajtet fizike, morale e shpirtërore që shkaktojnë, me synimin që t’i zhdukin krejtësisht konfliktet”.

Armët nuk e garantojnë paqen

Dëshira për paqe e siguri - pohoi akoma Hirësia e Tij Parolin - “nuk mund të plotësohet vetëm nga mjetet ushtarake, e aq më pak, nga armët bërthamore e armët e shkatërrimit në masë”. Nga konfliktet nuk mund të presësh tjetër, veçse vuajtje, për të gjitha palët:

“E, duke i parë me këtë sy, Selia e Shenjtë inkurajon me bindje angazhimin e Shteteve në fushën e çarmatimit e të kontrollit të armatimeve,  drejt marrëveshjeve të  qëndrueshme në udhën e paqes e, në mënyrë të posaçme, në frontin e çarmatosjes bërthamore”.

Përgjegjësi individuale e aftësi t’u ndjerë vëllezër

Dëshira për paqe e siguri - pohoi akoma kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit - nuk mund të plotësohet nga mjete ushtarake, e aq më pak nga grumbullimi i armëve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë. Konfliktet, veç të tjerash, shkaktojnë gjithnjë vuajtje, nga të gjitha palët:

“Prandaj Selia e Shenjtë inkurajon me bindje angazhimin e shteteve në fushën e çarmatimit e të kontrollit të armatimeve në drejtim të marrëveshjeve afatgjata në rrugën e paqes e, në mënyrë të veçantë, në frontin e çarmatimit bërthamor. Nëse vlen pohimi se jemi  të gjithë vëllezër e motra, si  është e mundur që  frika nga armët bërthamore të jetë në bazë të etikës së vëllazërimit e të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve?”.

Përgjegjësi individuale dhe aftësi për t’u ndjerë vëllezër

Duke iu afruar përfundimit, kardinali Parolin vërejti se për të ndryshuar rrugë e për të realizuar vërtet një aksion të përshtatshëm për proceset që po vë në jetë bashkësia ndërkombëtare, nuk mjafton shpallja e angazhimit, por është i nevojshëm një projekt i aftë për t’iu pëgjigjur kushteve të pas pandemisë.

“E një element tjetër - kujtoi akoma kardinali Parolin - që nuk duhet harruar, është edhe përgjegjësia individuale dhe aftësia për t’u ndjerë vëllezër, domethënë, për të marrë mbi vete nevojat e të tjerëve përmes marrëdhënieve reciproke, që kapërcejnë izolimin e krijojnë frymën e bashkëpunimit ndërmjet shteteve, individëve e organizmave ndërkombëtare”. Kjo është udha e vëllazërimit - përfundoi sekretari i Shtetit të Vatikanit - duke uruar që “edhe ngjarja e sotme të jetë një hap përpara në këtë drejtim”.

16 prill 2021, 13:03