Kërko

Vatican News

Don Armando Matteo, zv.sekretar shtesë në Kongregatën për Doktrinën e Fesë

Papa emëroi sot don Armando Matteo-n në detyrën e zv.sekretarit të dytë tё Kongregatës tё Vatikanit për Doktrinën e Fesë.

R.SH. - Vatikan

Ati i Shenjtë Papa Françesku emëroi sot si zv.sekretar të dytё të Kongregatës sё Vatikanit për Doktrinën e Fesë, don Armando Matteo-n, deri tani profesor i Teologjisë Themelore në Universitetin Papnor Urbaniana dhe drejtor i revistës “Urbaniana University Journal”.

Don Armando Matteo u lind në Catanzaro të Italisë, më 21 shtator 1970. U shugurua meshtar më 20 dhjetor 1997 në kryedioqezën metropolitane të Catanzaro-Squillace. Përfundoi filozofinë në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit në Milano dhe u doktorua në teologji në Universitetin Papnor Gregorian në Romë. Pasi kreu shërbime të ndryshme në kryedioqezën e tij, nga viti 2005 në vitin 2011, u bë Asistent Kishtar Kombëtar i Federatës Universitare Katolike Italiane (FUCI) dhe, në vitin 2012, Konsulent Kishtar Kombëtar i Shoqatës së Mësuesve Katolikë Italianë (AIMC). Përveç impenjimeve të tij si pedagog në Universitetin Papnor Urbanian dhe në drejtimin e revistës universitare, don Matteo është autor i botimeve të shumta në fushën teologjike.

12 prill 2021, 16:00