Kërko

Ikona e martirëve të Casamarit Ikona e martirëve të Casamarit 

Në Casamari lumnohen gjashtë çisterçensë

Postulatori i përgjithshëm i Urdhërit të Çisterçensëve, atë Pierdomenico Volpi, përshkruan në faqet e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, portretet morale të gjashtë rregulltarëve: Simeone, Domenico, Albertino, Modesto, Zosimo e Maturino - të cilët u lumnuan sot, 17 prill, në abacinë laciale çisterçense, nga kardinali Marcello Semeraro, prefekt Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Papës Françesku në këtë kremtim prekës.

R. SH. - Vatikan

Martirizimi ka një shenjë dalluese, siç lexohet në katekizmin e Kishës katolike: “Është dëshmia më e lartë, që u bëhet të vërtetave të fesë, ndërsa martiri është dëshmitar i këtyre të vërtetave. Deri në vdekje”. Këtë dëshmi e dhanë gjashtë rregulltarët: Simeone, Domenico, Albertino, Modesto, Zosimo e Maturino -  të cilët  sot paradite, 17 prill 2021, u lumnuan në abacinë laciale çisterçense nga kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Papës në këtë kremtim. Çdo shenjt ka tiparet e veta, jetën e vet e fundin e vet. Kështu edhe shenjtorët e Casamarit. Patën veçoritë e tyre, por edhe të përbashkëtat. E përbashkët, forca për ta dëshmuar Krishtin deri në fund të fundit. Derisa derdhën gjakun për Zotin.

Historia e martirizimit të murgjërve

Shumë nga murgjërit e Casamarit, pas dhunës ushtruar nga ushtria franceze në tërheqje nga Napoli në qytetet e afërme, u larguan nga manastiri. Mbetën aty vetëm gjashtë rregulltarë, të vetëdijshëm për rrezikun që u kërcënohej. Derisa dëgjuan trokitjen ogurzezë në portë! Ata e hapën dhe e pritën me dashamirësinë tipike për murgjërit, grupin e ushtarëve, që arritën aty më 13 maj 1799. Jehojnë edhe sot, nga thellësia e shekujve, fjalët që dëgjoi Simeoni nga Krishti, në sa po lutej, pak para se “të kryqëzohej” edhe ai vetë, si Mjeshtri; “Simeon, kryqi nuk ka marrë fund! Të pret edhe ty! Por pastaj do të vish me mua, në lumninë e pambaruar”. Dëshmitë vërtetojnë se ia pati thënë edhe murgjërve të tjerë këto fjalë, që gurronin nga kryqi. E që nga ai çast, edhe ata u shndërruan në “martirë në pritje”.

Këta rregulltarë kishin një mori arsyesh për t’u larguar nga manastiri: ndërmjet tyre ishte një murg, i cili nuk kishte pranuar të betohej për besnikëri ndaj Kushtetutës franceze (atë Simeon M. Cardon); një dezertor, që kish ikur nga ushtria republikane franceze (fra Maturino M. Pitri); një murg bohem, që i përkiste Perandorisë austriake, armike për vdekje e Republikës franceze (atë Domenico M, Zavrel); një rregulltar nga abacia  e Septfons, i strehuar në Casamari (fra Modesto Maisonade) e, së fundi, edhe një rregulltar i ri nga Milano (fra Zosimo M. Branmbat).

Martirë të mikpritjes

Ata nuk patën as “gëzimin” ta jetonin martirizimin. Martirët shikojnë tek vuajtja mundësinë e derdhjes së gjakut për Krishtin, për t’i përngjarë në vdekje: po atyre nuk u ndodhi asgjë e tillë. Vuajtën vetëm nga pasiguria, frika, dhimbja; e mirëpritën grupin e ushtarëve francezë,  ua shtruan sofrën me çka patën e, si falënderim, morën plumbin ballit. Vdiqën si “martirë të mikpritjes”, si njerëz, që jetuan e u shuan thjeshtësisht!  Atë Simeoni dhe shokët e tij qenë shenjë e gjallë e pranisë së Zotit në mes të njerëzve”.

Të ndryshëm, e krejt të ngjashëm

Të gjithë e patën ndjekur Zotin në shkollën e Shën Benediktit, në udhën çisterçense. Atë Domenico e pati braktisur si atdheun, ashtu edhe Urdhërin Domenikan, për ta jetuar më vendosmërisht thirrjen e tij për shenjtëri. Shenjë e pranisë së Zotit ishte edhe fra Maturini që, si u shërua nga një sëmundje e rëndë, u largua nga ushtria franceze, për t’ia kushtuar jetën Zotit. Nuk ka pikë dyshimi se të gjithë martirët e Casamarit, pasi patën vendosur t’i kushtohen Zotit sipas Rregullës Benediktine, qenë shenjë shprehëse e pranisë së Tij, e martirizmi i tyre, dëshmi bujare e kushtimit.

Simbol i jetës së pasosur

Qenë edhe shenjë e jetës së pasosur. Domethënëse fjalët, që Atë Simeoni ua pati thënë  atyre, të cilët u përpoqën ta shpëtonin: “Kur e mora këtë petk, hoqa dorë nga ndihma e njerëzve. Iu nënshtrova plotësisht Zotit e nuk do të bëj asnjë çap për ta shkurtuar jetën time, e as për ta zgjatur”. Edhe fra Zosimi ishte simbol i njeriut që jeton më shumë për jetën e pasosur, sesa për atë të kësaj bote; i plagosur për vdekje, arriti të fshihej për tri ditë, për të shkuar më pas në këmbë në Boville Ernica, në kërkim të një meshtari për sakramentet e fundme. Po nuk mundi ta realizonte këtë dëshirë:  vdiq, i asistuar nga një grup fshatarësh.

Dëshmitarë të jetës murgare, që më pas derdhën gjakun, martirët tanë  janë sot “farë, që prodhoi shumë fryte”. Pas martirizimit, një mori besimtarësh ngarendën tek varri i Martirëve e shumë nxorën me ndërmjetësimin e tyre, hiret e kërkuara.

Dëshmitë e shtegtarëve mbi vorrin e martirëve

Domethënëse, dëshmitë e besimtarëve, lënë në librin-kujtimor pranë varrit të tyre. Kërkonin pikërisht këtë, që ndodhi sot për martirët: lumnimin! Ndërmjet shkrimeve, edhe ky shënim:

“Në përendim tashmë pëlqehet më shumë dukja në mjetet e  komunikimit, ofrohet kristianizmi i zbutur e nuk  admirohet më guximi ungjillor për të pohuar çka duhet pohuar e për të mohuar, çka duhet! Për të thënë një “po” a “jo” ungjillore. Prej këndej edhe të krishterët, për të mos i rënë ndesh mendësisë së ditës, nuk i shikojnë më Martirët me admirimin që meritojnë, as si shembuj, që duhen ndjekur. Po martirët e Casamarit  vijojnë të përsërisin, në kundërshtim të plotë  me këtë mendësi, se rruga që ndjek një pjesë e mirë e botës së sotme, nuk është rruga e Zotit. Jezu Krishti e pohon qartë këtë, kur i shpall të lum të persektuarit. E Benedikti XVI shkruan: “Edhe shekulli XX u hap nën shenjën e martirizimit. Kur të krishterët janë me të vërtetë dritë e kripë e tokës, bëhen edhe ata, si Jezusi, objekt persekutimesh e, si Ai, janë ”shenjë kundërshtie”.

Martirët tanë pranuan urrejtjen e botës, duke e ditur mirëfilli se i urrenin për fenë e tyre. Por e dinin edhe se “Martirët shndrisin si yjet e dëshmia  e tyre është dëshmi dashurie për Zotin e vërtetë e për njeriun e vërtetë”.

17 prill 2021, 12:49