Kërko

Vatican News
Ramazani, muaj i lutjes dhe i agjërimit Ramazani, muaj i lutjes dhe i agjërimit  (AFP or licensors)

Mesazh për Ramazanin: të krishterë e myslimanë, dëshmitarë të shpresës

Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar “uron që ky muaj të jetë i pasur me bekime hyjnore e lartime shpirtërore”.

R. SH. - Vatikan

Është Ramazani i dytë në kohë pandemie! Muaji shenjt i agjërimit e i lutjes për myslimanët e mbarë botës u hap më 13 prillin e kaluar e do të vijojë dei më 12 maj. Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar i drejton, përmes një mesazhi, “urime vëllazërore”, “vëllezërve dhe motrave të dashura myslimane”.

Në tekst kujtohet “se gjatë këtyre muajve të vuajtjes, ankthit, dhimbjes, posaçërisht në periudhat e lockdown, u ndje fort nevoja për praninë hyjnore e gjestet vëllazërore”. “Gjeste si një telefonatë, një mesazh mbështetjeje e ngushëllimi, një lutje, një ndihmë për të siguruar ilaçet a ushqimin e përditshëm, një këshill”. Por ajo, për të cilën kemi më shumë nevojë - nënvizohet në mesazh - është shpresa.

“Shpresa buron nga bindja jonë se problemet e provat e kanë një kuptim, e kanë një vlerë e një qëllim, sado e vështirë dhe e pamundur të jetë aftësia për t’i kuptuar dhe përpjekja për të gjetur rrugëdaljen”. “Ne, të krishterët e myslimanët, thirremi për t’u bërë mbartës të shpresës për jetën e sotme e të ardhshme, e dëshmitarë, ndërtues e artizanë të kësaj shprese, posaçërisht për të gjithë ata, që kalojnë çaste vështirësish e dëshpërimi”.

Nis Ramazani: lejohet lutja, po me orar të caktuar

Në dokumentin - nënshkruar nga kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Miguel Angel Ayso Guixot, e nga sekretari i të njëjtit Dikaster, imzot Indunil Kodithuwakku Janakaratne Kankanamalage – nënvizohet edhe se ekzistojnë faktorë që i kundërvihen shpresës. Ndërmjet tyre, mungesa e besimit në dashurinë dhe në kujdesin e Zotit, humbja e mirëkuptimit me vëllezërit e motrat tona, pesimizmi, dëshpërimi e edhe pretendimet. Kujtohet, posaçërisht, edhe Enciklika e Papës Françesku “Fratelli tutti”. Në këtë dokument, Papa shkruan: “Ftoj për shpresën, që flet për një realitet të rrënjosur në fund të shpirtit njerëzor, pavarësisht nga rrethanat konkrete e kushtet historike në të cilat jetohet”. “Na flet për etje, për frymëzim, për dëshirën e zjarrtë të përsosurisë, të jetës së realizuar, të matjes me çka është e madhe, me çka ta mbush plot zemrën e ta larton shpirtin drejt gjërave të mëdha, si e vërteta, mirësia, bukuria, drejtësia e dashuria”.

16 prill 2021, 14:53