Kërko

Vatican News
Papa në Fatima Papa në Fatima 

Maji 2021, muaj i lutjes së vazhdueshme për fundin e pandemisë

Tridhjetë shenjtërore, në të katër anët e botës, nga Japonia - në Bosnjë; nga Nigeria - në Argjentinë, do t’i prijnë çdo ditë të majit lutjes mariane të besimtarëve, për të kërkuar fundin e pandemisë dhe rifillimin e të gjitha veprimtarive shoqërore, posaçërisht, atyre të punës së përditshme!

R. SH. - Vatikan

Me sytë  drejtuar kah qielli, me duart e bashkuara a të gjunjëzuar, në shtëpi a në vendin e punës! Vetëm a me të dashurit! Me dëshirën e Atit të Shenjtë, muaji i majit do t’i kushtohet “maratonës së lutjes”, për të kërkuar  fundin e pandemisë, që po e tmerron botën prej më se një viti e edhe  rifillimin e veprimtarive shoqërore në të gjitha drejtimet. Papa Françesku deshi që të gjitha shenjtëroret e botës të ishin pjesëmarrëse në këtë nismë,  duke u bërë, kështu, mjete të lutjes për mbarë Kishën. Nisma - lexohet në komunikatën e Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri – do të realizohet në dritën e shprehjes biblike: “Nga e gjithë Kisha i lartohej paprerë lutja Zotit” (Vap 12,5) Çdo ditë do të ketë një ndjet të veçantë!

Forca e një populli, që beson në çka kërkon!

Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, i ngarkuar nga Papa për ta organizuar ngjarjen, i fton shenjtëroret e botës ta përhapin këtë nismë në të tëra viset, për t’i bashkuar në një kor të vetëm zërat, që besojnë në ndërmjetësimin e Virgjërës Mari. Duke e thënë Rruzaren çdo ditë të muajit, shoqëruar me një ndjet lutjeje për kategoritë e ndryshme të njerëzve, kryesisht për ata, që u prekën keqas nga pandemia. Ndërmjet tjerash, të luten edhe për ata, që nuk mundën t’u jepnin përshëndetjen e fundit të dashurve të tyre, për personelin shëndetësor, të varfërit, të pastrehët, njerëzit që kalojnë vështirësi ekonomike, e për gjithë të vdekurit.

Rruzarja e Papës me Shenjtëroret, që  të marrë fund pandemia

Tridhjetë shenjtëroret e zgjedhura për t’i prirë lutjes mariane, në një ditë të muajit, janë:

Zoja e Walsingham në Angli; shenjtërorja e Krishtit Shëlbues dhe e Nënës Mari në Nigeri; Zoja e Częstochowas në Poloni; Bazilika e Lajmërimit të Zojës në Nazareth; Zoja Rruzare në Korenë e Jugut; Zoja e Aparesidës në Brazil; Zoja e Paqes dhe e Shtegtimit të mirë në Filipine;  Zoja e Lujan në Argjentinë; Zoja e Loretos në Itali; Zoja e Knock në Irlandë; Zoja e të varfërve në Banneux të Belgjikëso; Zoja e Afrikës në Algjeri; Zoja e Fatimës në Portugali; Zoja e Shëndetit në Indi; Mbretëresha e Paqes  në Medjugorje të Bosnies; Katedralja e Shën Marisë në Australi; Zoja e Papërlyer në SHBA; Zoja Lurdë në Francë; Meryem Ana në Turqi; Zoja e Kobres në Kubë; Zoja e Nagasakit në Japoni; Zoja e Montserrat në Spanjë; Zoja e Kanadasë; Shenjtërorja Kombëtare Ta’Pinu në Maltë; Zoja e Guadalupes në Meksikë; Nëna e Zotit e Zarvantysia në Ukrainë; Zoja e Altötting në Gjermani; Zoja e Libanit;  Zoja Rruzare e Pompeit në Itali.

Lutja e Papës

Françesku do ta hapë e do ta mbyllë lutjen, së bashku me besimtarët e botës, nga dy vende kuptimplote brenda Qytet Shtetit të Vatikanit. Më 1 maj Papa do të lutet para Zojës së Ndihmës, ikonë e nderuar që në shekullin VII. Ky afresk, që fillimisht ndodhej mbi altarin e Shën Leonit, pranë transetit jugor të Bazilikës së Vatikanit, më më pas u vendos ku ndodhet edhe sot e kësaj dite, brenda Bazilikës së Re të Shën Pjetrit, në ndërtim e sipër, nga Papa Gregori XIII, në vitin 1578, pranë kapelës Gregoriane ku, veç të tjerash, ruhen reliket e Shën Gregorit të Naciancenit, Doktor e Atë i Kishës. Më 2013, gjatë Vitit të Fesë, ikona iu nënshtrua një restaurimi të ri. Me që restaurimi i parë u realizua nën papninë  e  Papës Françesku, asokohe i sapozgjedhur, u shkruan fjalët: SVCCVRRE NOS e FRANCISCVS PP. A. I.,  duke ia besuar kështu Papën  Zojës së Ndihmës. Me këtë rast Françesku do të bekojë rruzaret, që do të përdoren posaçërisht për këtë ngjarje, të cilat do të shpërndahen pastaj, në të tridhjetë shenjtëroret prej nga lutja do të nisë shtegtimin nëpër botë. Do të marrin pjesë në lutje e në lexim, disa familje ardhur nga famullitë e Romës e të Lacios, së bashku me të rinjtë anëtarë të Lëvizjes së Ungjillëzimit të Ri. Më 31 maj, së fundi, Papa Françesku do ta përfundojë lutjen në një vend  domethënës, siç janë Kopshtet e Vatikanit. Për këtë do të ketë një njoftim të ri. Të dy këto çaste do të mund të ndiqen nga të shurdhërit  përmes përkthimit në gjuhën e shenjave LIS.

Si e ku të lutemi

Çdo  shenjtërore në botë  ftohet të lutet në mënyrën e në gjuhën e traditës vendase, për t’i kërkuar Zojës të ndërmjetësojë për rifillimin e jetës shoqërore, të punës e të veprimtarive të tjera, të ndërprera gjatë pandemisë. Kjo thirrje komunitare synon të realizjë një lutje të vazhdueshme, të përhapur në meridianet e botës, që lartohet nga e gjithë Kisha drejt qiellit, drejt Atit, me ndërmjetësimin e Marisë. Prej këndej, shenjtëroret janë të thirrura t’i nxisin besimtarët të marrin pjesë në lutjen e përditshme, kudo që të jenë: në makinë, udhës, me smartphone e mjete të tjera teknologjike të komunikimit, për të kërkuar fundin e pandemisë dhe rifillimin e veprimtarive  shoqërore. Lutja, nga secila prej këtyre shenjtëroreve, do të transmetohet përmes kanaleve zyrtare të Selisë së Shenjtë, sipas orarit të Romës, në orën 18.00. U mendua edhe për një doracak liturgjik, që mund të përdoret në këto çaste në bashkësitë përkatëse. Doracaku, në gjuhën italiane, mund të shkarkohet nga kanali i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, ku gjindet edhe në gjuhën angleze e spanjolle.

28 prill 2021, 15:43