Kërko

Vatican News

Jezusi është Gjallë, të mos e kërkojmë në varre, ku sundon vdekja

“Pse e kërkoni ndër të vdekur, atë që është i gjallë? Kjo pyetje na bën ta kapërcejmë tundimin për të shikuar mbrapa, për të kthyer kokën nga e djeshmja dhe na shtyn përpara, drejt ardhmërisë. Jezusi nuk është në varr, është i Gjalli! I Ngjalluri! Ai që e përtërin gjithnjë korpin e vet e Kishën dhe e bën të ecë, duke e tërhequr drejt Tij. ‘Dje’ është varri i Jezusit, varri i Kishës, varri i së vërtetës e i drejtësisë; ‘sot’ është ngjallja e pasosur, drejt së cilës na shtyn Shpirti Shenjt Zot, duke na dhuruar jetёn dhe lirinë e plotë.

R.SH. - Vatikan

Jezusi është Gjallë, të mos e kërkojmë në varre, ku sundon vdekja. Po pse unë, në jetë, e kërkoj ndër të vdekur Atë, që është i gjallë? Sot  nё ditёn e dytё tё Pashkёve, Ungjilli na kumton pёrsёri Ngjalljen e Krishtit dishepujve, nësa ata dyshojnë në vërtetësinë e këtij kumti të jashtëzakonshëm, të padëgjuar kurrë në historinë e njerëzimit, nga zanafilla.

Është kufizim thellësisht njerëzor, ta kërkosh atë, që të duhet, pikërisht në vendin ku nuk gjindet. Të kërkosh ndihmën e nevojshme për jetën, në vende ku sundon vdekja! Nuk bën përjashtim as feja, na kujtoi Kisha, duke përshkuar çastet kryesore të rrëfimit ungjillor, kushtuar Ngjalljes. Në fillim, askush nuk e njeh Jezusin: as Madalena para varrit të zbrazët, e as dishepujt e Emausit, që kthehen në shtëpi me shpirtin të pushtuar nga një mërzi e madhe, me ndjesinë e përhumbjes në zemër. Madje deri njëri nga Apostujt, Toma, ‘vë kushte’ për të besuar në Ngjalljen e Zotit Jezus: kërkon të shtjerë gishtin në plagë.

Pse e kërkon ndër të vdekur, atë që është i gjallë? Sa herë në të përditshmen tonë e kërkojmë jetën, ndër sende të vdekura, që nuk mund të japin jetë, sende që sot janë e nesër nuk janë më, sende që kalojnë…. “Pse e kërkoni ndër të vdekur, atë që është i gjallë?”. Nuk është e lehtë ta pranosh se i Ngjalluri është me të vërtetë në jetë, se kjo varet nga verbëria, që të pengon ta shikosh “Jezusin e Gjallë”, nga mbyllja në çfarëdolloj forme të egoizmit e të vetëdashjes, nga joshja prej pushteteve tokësore e sendeve të kësaj bote, duke e harruar Zotin e të afërmin dhe duke i varur të gjitha shpresat në kotësitë e kësaj bote, në paranë, suksesin.

Atëherë Fjala e Zotit na thotë: “Pse po e kërkon ndër të vdekur, atë që është i gjallë?” Pse e kërkon atje?. Varri nuk mund të të japë jetë! Po! Ndoshta ta mbush zemrën me gëzim për një minut të vetëm, për një ditë, një javë, një muaj... E pastaj? ‘Pse e kërkoni ndërmjet të vdekurve, atë që është i Gjallë?’. Eh, kjo frazë duhet të na hyjë në zemër e duhet ta përsërisim. T’i përsërisim fjalët e Engjëllit, që vijojnë të na sigurojnë se Krishti Zot u Ngjall, me të vërtetë u Ngjall! Një mënyrë për ta kërkuar Jezusin në vendin e duhur, ёshtё tё bëjmë pyetjen e duhur e duke e ditur se Jezusi i Gjallë do të jetë gjithnjë pranë nesh për të na treguar udhën e drejtë, nëse kemi dredhuar, udhën e Jetës.

“Pse e kërkoni ndër të vdekur, atë që është i gjallë? Kjo pyetje na bën ta kapërcejmë tundimin për të shikuar mbrapa, për të kthyer kokën nga e djeshmja dhe na shtyn përpara, drejt ardhmërisë. Jezusi nuk është në varr, është i Gjalli! I Ngjalluri! Ai që e përtërin gjithnjë korpin e vet e Kishën dhe e bën të ecë, duke e tërhequr drejt Tij. ‘Dje’ është varri i Jezusit, varri i Kishës, varri i së vërtetës e i drejtësisë; ‘sot’ është ngjallja e pasosur, drejt së cilës na shtyn Shpirti  Shenjt Zot, duke na dhuruar jetёn dhe lirinë e plotë.

05 prill 2021, 12:52