Kërko

Vatican News
Zoja Zoja 

Comastri, pika urtie për “Muajin e Marisë”

31 meditime, në 31 video. Një për çdo ditë të majit. Kardinali Comastri do të meditojë mbi rrënjët e devocionit për Virgjërën Mari, përmes anekdotave e historive të kthimit në rrugën e fesë të atyre, që patën dredhuar, me ndihmën e Nënës së Krishtit.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Comastri nis një cikël të ri me video të shkurtëra të përditshme, titulluar “Një muaj me Marinë”, për ta kuptuar thellësisht dashurinë e besimtarëve dhe të Kishës ndaj Nënës së Krishtit”. Mëkëmbësi i nderit i Papës për Qytetin e Vatikanit e pranoi me kënaqësi ftesën e Telepaces për ta realizuar këtë kolanë. Episodet, gjithsejt 31, aq sa ditët e majit, do të transmetohen çdo ditë përmes kanaleve të ndryshme:  atyre të web e të social të Vatikan News gjatë paradites, e ato televizive të emitentes katolike, paradite (nga e hëna, deri të shtunë, në ora 13.20; ndërsa të diel, në orën 11:40, me një përsëritje çdo ditë, në orën 20.30)

Një e papritur, në çdo ditë të majit të Zojës

Do të tregoj histori kthesash e mrekullish, në të cilat preket me dorë prania e Zojës së Bekuar - pohon kardinali Comastri - që këtë herë, për disa aspekte, ndjek një udhë  të papritur, në të cilën të gjithë mund të gjejnë diçka nga vetvetja. Kjo, sepse aftësia komunikative gërshetohet me forcën e rrëfimit, që ndalet shpesh herë edhe tek përvoja e fesë së personaliteteve të mirënjohura në fusha të ndryshme, si për shembull tek Ungaretti, Carducci, Papini, Napoleon Bonaparti, etj etj.

Zoja, e zgjedhura e Zotit

“Një mundësi e re për ta ndjekur me devocionin e duhur Majin e Zojës”, shton Comastri duke folur për ciklin e realizuar në kapelëzën private të apartamentit të tij, në Vatikan. “Zoja - shpjegon - është e zgjedhura e Zotit. Atëhere të radhitemi edhe ne pas Saj, për t’i dhënë botës shtytjen drejt Zotit. E kjo - saktëson - është forca e lutjes. Na e kujton vetë Zoja.

Kërkesa nga mbarë bota

Takimi i ri i përditshëm i shtohet Rruzares, që thuhet në Bazilikën e Shën Pjetrit e që kardinali rinisi ta kremtojë drejtpërdrejt në video, duke filluar nga 17 prilli i kaluar. “Rikthimi - kujton - u bë me ndërhyrjet që erdhën nga jashtë; nga njerëzit më të ndryshëm e nga kombet më të ndryshme”. E kardinali vijon të marrë letra të panumërta falënderimi e të shumta janë edhe dëshmitë e njerëzve të kthyer në rrugën e fesë pikërisht falë kësaj lutjeje, transmetuar nga media të ndryshme katolike, që ofruan menjëherë bashkëpunimin e tyre:

“Zoja është e zgjedhura e Zotit. Atëhere të radhitemi edhe ne pranë Saj, për t’i dhënë mbarë botës një shtytje drejt Zotit. Kjo është forca e lutjes! Na e kujton vetë Zoja; në Lurdë, në Fatima e në çdo dukje tjetër, na kërkon të lutemi për kthimin e botës”.

Do të jem meshtar deri në fund të fundit

Ndonëse kohët e fundit i pati lënë të gjitha detyrat e tij për shkak të moshës së shtyrë, kardinali Comastri nuk u ndal. “Si prifti, ashtu  edhe i krishteri, nuk dalin kurrë në pension”- saktëson. “Ndërrojnë vendin, metodat, udhët e apostullimit. Por mbeten priftërinj a të krishterë deri në fund të fundit!”. Këtë u kujton gjithë të krishterëve kardinali “pensionist” – që nuk e ka në mend të dalë kurrë në pension. Gjë që i kujton edhe një porosi, të cilën ia pati dhënë Nënë Tereza: “Zoti - i thoshte gjithnjë - të bëri dhuratë aftësinë për të folur thjeshtë, qartë, kuptueshëm për të gjithë. Mos hiq dorë prej saj! Vëre në shërbim të Tij!”. E unë – përfundon kardinali Comastri - përpiqem  ta vë në dispozicion këtë aftësi, që ma dhuroi Zoti, për t’u prirë njerëzve drejt Tij, sepse ky është qëllimi”.

30 prill 2021, 11:46