Kërko

Vatican News

Caravaggio në Muzetë e Vatikanit: loti është drita e hirit

E njohur si kryevepër qysh në kohën e realizimit, Zbritja e Krishtit nga Kryqi e Karavaxhos (Caravaggio-s), që mund ta sodisim në Muzetë e Vatikanit, pasqyron, me lojën e dritë-hijeve të veta, tragjedinë tronditëse të vdekjes së Krishtit, duke parë në Korpin e Tij, gurin e themelit, mbi të cilin lartohet Kisha

R.SH. - Vatikan

Një britmë zemërçjerrëse e gris heshtjen e së Premtes së Madhe. Është britma e Marisë së Kleofës, me krahët e lartuar drejt qiellit, si për të kërkuar ndihmë! Me të janë edhe Maria Magdalenë, që qan e dëshpëruar; nëna e Jezusit, me fytyrën e shpërfytyruar nga dhimbja dhe Gjoni, që e ledhaton me sy, për herë të fundit, Mësuesin e dashur, shuar mbi kryq. I pajetë e i irnuar nga çikja e vdekjes, trupi i Zotit lëshohet i tëri në krahët e Nikodemit, që e thith shikuesin me shikimin e tij magnetik.  Grupi, si në një altoreliev, del nga errësira, i shndritur nga drita e hirit, në “Zbritjen e Zotit nga kryqi” pikturuar nga Karavaxho, për Kapelën e familjes Vittrice, në Kishën e Re, ndërmjet viteve 1602  e 1604.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Guri i flakur

Me pamje monumentale, kanavaca e pikturuar me bojë vaji, 300x203, i prin, përmes kontrasteve të dritë-hijes, shikimit të atij, që e sodit. Emocionin e shikuesit e ngacmon edhe më shumë rrasa e madhe, mbi të cilën mbështeten protagonistët:  është rrasa, që do të mbyllë grykën e varrit, por, sidomos guri i vajimit, lapis untionis i riteve të lashta, mbi të cilin do shtrihet korpi i pajetë i Krishtit për t’u larë, për t’u vajosur e për t’u parfumuar. Një element, që na kujton Psalmin 118 e shprehjen domethënëse: “Guri i flakur nga ndërtuesit, bëhet gur themeli”.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Flijimi eukaristik

Jezusi është pikërisht guri i flakur nga historia. Karavaxho pikturon me realizëm të  ashpër orët, që pasojnë braktisjen dhe mohimin nga ana e dishepujve, çastin në të cilin të duket se vdekja tashmë e ka korrur fitoren e vet! Por piktori, në përkim me programin ikonografik pas-tridentin, të këshilluar nga etërit e oratoriumit të Shën Filip Nerit, të cilëve u qe besuar Kisha e  Re, shikon në Jezusin, gurin mbi të cilin u themelua Kisha: “korpin mistik të Krishtit”. Paraqitja konkrete e peshës së korpit të pajetë të Jezusit, na kujton menjëherë praninë e Korpit të Krishtit në Eukaristi. Tejet origjinale, zgjedhja e personazheve: u punuan duke shkrirë në një, ikonografi të ndryshme, që nga ajo e “Varrosjes së Korpit të Jezusit”,  ngjarje në të cilën, në ungjijtë, janë të pranishëm Jozefi i Arimatesë, Nikodemi, Maria Magdalenë e Maria e Kleofës,  tek “Pietà” - “Zoja e Dhimbshme”, ku duken edhe Virgjëra e Shën Gjoni.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Jehona e Mikelanxhelos

“Pietà-ja” e famshme e Mikelanxhelo Buonarrotit e frymëzoi Karavaxhon për pozicionin e Korpit të Krishtit. E ky nuk është i vetmi ndikim në këtë kryevepër. Piktura është fryt i frymëzimit nga një sërë veprash paleokristiane e kryeveprash rinashimentale, si “Deposizione Baglini”, vepër e Rafaelos,  apo “Varrosja” e Ticianit. Nuk mungojnë as ndikimet e klasicizmit të gjashtëqindës të Anibale Karraçit. Ndërkaq kjo vepër, me fuqinë e saj të pashoqe  shprehëse, frymëzoi deri më sot brezni të tëra artistësh, nga Rubens - tek Fragonard; nga Gerikò (Gericault) - tek Sezan (Cèzanne).

Pietà e Mikelanxhelos
Pietà e Mikelanxhelos

Një kryevepër

Kryevepra, e cila në këndvështrimin stilistik të kujton pikturat karavagjeske të Kapelës Çerasi në Kishën e famshme romake të Shën Marisë së Popullit, pas dukjes së saj në botën e pasur të pikturave me këtë temë, u konsiderua menjëherë “kryevepër”.  Kjo, që kritiku i gjashtëqindës Giovanni Baglione e pati quajtur “vepra më e mirë e Karavaxhos”, qe e vetmja  pikturë e tij që u sekuestrua, gjatë plaçkitjeve napoleonike.

Kapela Cerasi në kishën e Shën Marisë së Popullit, në Romë
Kapela Cerasi në kishën e Shën Marisë së Popullit, në Romë
02 prill 2021, 16:31