Vatikan. Urbańczyk: mediat të promovojnë mundësi të barabarta
R. SH. - Vatikan
“Promovimi i respektit dhe i pjesëmarrjes së barabartë të grave dhe burrave në e nga ana e mas-mediave, është një hap i nevojshëm e jetik për mbrojtjen e paqes e të sigurisë së qëndrueshme” - këtë theksoi më 9 mars imzot Urbańczyk, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OSBE-së (Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, me seli në Vjenë), me rastin e takimit të parë shtesë, përqendruar tek tema: “Liria e mjeteve të komunikimit dhe barazia e gjinisë”. “Shoqëria - shtoi - ka të drejtë për një informim të bazuar mbi të vërtetën, lirinë, drejtësinë e solidaritetin”. Duke kujtuar, më pas, se veprimtaria mediatike i shërben së mirës së përbashkët, prelati pohoi nevojën të bazohet mbi promovimin dhe tutelën e dinjitetit njerëzor, “që kështu të ketë edhe ndikim pozitiv mbi paqen e sigurinë”. E gjithë kjo është e rëndësishme - shpjegoi imzot Urbańczyk - sepse “njeriu dhe bashkësia njerëzore janë qëllimi dhe masa e përdorimit të mjeteve të komunikimit shoqëror”.
Informimi duhet të jetë korrekt, objektiv, i ekuilibruar
Prej këndej, thirrja që mjetet e kumunikimit dhe gazetarët t’i shërbejnë së mirës së përbashkët, “duke dhënë informacione korrekte, objektive e të ekuilibruara”, me qëllim që, “politikanët dhe bashkësia ndërkombëtare të mund të marrin vendime me përgjegjësi dhe të bazuara mbi fakte”. Gazetarët luajnë një rol të rëndësishëm - vijoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë - që “bëhet edhe më i rëndësishëm në situata konflikti”, sepse mund t’i japin botës atë vizion të luftërave, të cilin informacionet zyrtare ose qeveritare shpesh nuk duan a nuk janë në gjendje ta japin, posaçërisht kur është fjala “për vuajtjet e padurueshme që pësojnë njerëzit gjatë konflikteve”.
Vlera e grave në jetën kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike
Njëkohësisht imzot Janusz Urbańczyk ripohoi se Selia e Shenjtë i mbështet angazhimet e OSBE-së për respektimin e barazisë së grave me burrat, duke përfshirë edhe atë të pjesëmarrjes në mediat, “si edhe atë për mbrojtjen e gazetareve nga çdo tip dhune”. Hapi i parë në këtë drejtim - përfundoi përfaqësuesi i Vatikanit - është njohja e rëndësisë që ka pjesëmarrja dhe angazhimi i grave në të gjitha aspektet e jetës kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike”. Falë “vizionit dhe ndjeshmërisë së tyre”, gratë mund të jenë shpesh herë kyç për vlerësimin më të plotë e më të drejtë të realitetit.